14.10.2021

Kryeministri Albin Kurti takoi ish-ministrin e jashtëm të Gjermanisë, Joschka Fischer

Shkup, 14 tetor 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “The Economist” me temën “Promovimi i solidaritetit dhe gjithëpërfshirjes në Evropë” në Shkup të Republikës së Maqedonisë së Veriut, zhvilloi takime të ndara me ish-ministrin e jashtëm të Gjermanisë, z. Joschka Fischer, ish-ministrin e financave të Holandës, z. Jeroen Dijsselbloem, dhe me drejtoren ekzekutive të “The Economist Events” për Greçi, Çipro, Maltë dhe Evropën Juglindore, znj. Nectaria Passarivakis.

Kryeministri Kurti falënderoi ish-ministrin e Gjermanisë, Joschka Fischer për rolin e tij të rëndësishëm dhe vendimtar gjatë vitit 1999, që rezultoi me intervenimin e NATO-s kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit. Me z. Fischer kryeministri bisedoi edhe për politikën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Në takimin me z. Jeroen Dijsselbloem kryeministri Kurti bisedoi për investimet në ekonomi si promotor i krijimit të vendeve të reja të punës, kurse në takimin me znj. Nectaria Passarivakis u diskutua për mundësinë e organizimit të ngjarjeve të ngjashme edhe në Kosovë nga “The Economist”.