21.03.2022

Intervista e Kryeministrit Kurti për “La Repubblica”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, ka folur për zhvillimet e fundit, veçanërisht për situatën në rajon pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë.

“Tentakulat e carit në Ballkan
Kosova ende është në rrezik”

Blitzkriegu i dështoi, por nuk do të ulet të negociojë me Zelenskyn. Po do ta ribëjë Jaltën, e veten e sheh si Stalin dhe tek Bideni sheh Roosveltin e tij.

Nga: Paola Brera

Kur vështron fqinjin përtej kufirit, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, 46 vjeç, nuk sheh Presidentin serb Aleksandër Vuçiq, por “marionetën e Kremlinit” në qeverinë e një vendi që “imiton Rusinë ndonëse nuk është”. Sheh përpjekjen për të destabilizuar Ballkanin duke “përsëritur modelin”.

Serbia si Rusia?

“ishBRSS u transformua në një oktapod me qendër Federatën Ruse dhe tentakulat Donbassin, Krimenë, Transnistrinë, Osetinë e jugut … Ish-Jugosllavia në një oktapod më të vogël me qendër Serbinë, entitetin serb në Bosnje, një entitet serb në Mal të Zi që s’e njeh pavarësinë si dhe strukturat ilegale në veri të Kosovës.
Serbia e Madhe e serbo-boshnjakut Dodik si Nënëmadhja Rusi e Putinit? Miti që duhet rikrijuar pavarësisht çfarë kushton?

“Menjëherë e kemi dënuar pushtimin rus. Na shokoi, por nuk na befasoi. E pamë të mbërrinte me përqendrimin e forcave ushtarake.
Putinit ndonëse i dështoi Blitzkriegu nuk po do të negociojë me Zelenskyn, por me Bidenin. E do një Jaltë të re. I duket vetja Stalin dhe tek Bideni po sheh Roosveltin e tij, por nuk e do një Churchill rrotull. Po dëshiron ta rishkruajë historinë e po ia merr mendja që është i atij niveli. Lufta në Ukrainë, ku nuk po mbërrin rezultate të mëdha, nuk do t’i mjaftojë e do t’i duhet ta shtrijë edhe më tej për të mbërritur tek tratativat me Bidenin. Ndaj jemi të shqetësuar. Sepse Ballkani Perëndimor është rajoni ku mund të provojë ta bëjë. Dhe mund t’i përdorë armë kimike siç bëri në Siri”.

Në Ballkan?

“Këtu janë tre vende të NATO-s, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Pastaj është Kosova, e cila nuk është në NATO, por ka NATO-n brenda (misionin e paqes KFOR, që ishte dhe do të kthehet nën udhëheqjen italiane). Na duhet ta bëjmë një hap tutje drejt partneritetit në Programin e Paqes të NATO-s që është vendimtar për sigurinë për çka dhe llogarisim në ndihmën e Italisë.

Serbia nuk ju njeh dhe sigurisht nuk do të anëtarësohej në NATO.

“Paratë i dëshirojnë të Evropës ndërsa armatimin të Rusisë. Dhe gazi rus që ka një çmim tepër të lirë por që realisht ka çmimin e shtrenjtë të të qenit marioneta e Kremlinit. Vitin e kaluar Kosova mori pjesë me 350 ushtarë në stërvitjen më të madhe të NATO-s, Defender Europe 2021. Ndërsa Serbia mori pjesë tek “Mburoja sllave” së bashku me Rusinë dhe Bjellorusinë. I kanë këto mitet mesjetare, pansllaviste e shumë të errëta”.

Ata ju akuzojnë se e trajtoni pakicën serbe ashtu siç ukrainasit trajtonin pro-rusët në Donbass.

“Presidenti Putin do ta mistifikojë ndërhyrjen e NATO-s për ta justifikuar hegjemoninë ruse. Ne kemi mbajtur zgjedhje në Kosovë dhe një referendum gjatë pushtimit serb, por referendumet e bëra në Krime dhe Donbas ishin shumë të ndryshme, aty qendrat zgjedhore ishin në duart e ushtarëve të armatosur rusë. Pastaj tek ne ishte misioni i OKB-së, e Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë qartësoi se shpallja e pavarësisë nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare.

Çfarë do të ndodhë tani?

“Ka elementë që na e mundësojnë parashikimin e të ardhmes. Serbia shpenzon 2.9% të PBB-së për ushtrinë dhe nga viti 2015 në 2021 e kanë rritur buxhetin me 70%. Kjo rritje e shtyu Kroacinë që të shpenzojë një miliard dollarë në aeroplanë luftarakë. Serbia ka 14 Aeroplanë Mig, 8 prej tyre “të dhuruar” nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia. Kanë 30 tanke T72, 30 blinde dhe sistemin rus të mbrojtjes ajrore. Në vitin 2012, para Vuçiqit, kishte 2 programe të përbashkëta ushtarake mes Rusisë dhe Serbisë. Në vitin 2016 ishin 50, vitin e kaluar 100. Qendra e Sputnikut në Ballkan është në Beograd dhe 160 kilometra nga Prishtina është “Qendra Humanitare” ruse, që janë dhe zemra e luftës hibride në Ballkanin Perëndimor, që siç u pa nuk qe zëvendësim për luftën por përgatitje për të”.

A i ndruheni një Ukraine të re këtu?

Vuçiqi është takuar me Putinin 19 herë. Herën e fundit, më 25 nëntor, i foli për “standarde të dyfishta” dhe “hipokrizinë ndërkombëtare” dhe ia tregoi veriun e Kosovës në hartë. Gazprom ka 56% të industrisë serbe të naftës dhe 51% të njësisë së madhe të magazinimit në Vojvodinë. Lukoil, Hekurudhat ruse, Banka Vtb, Rosatom, Roscosmos dhe Sberbank janë të gjitha atje, janë hardueri i pranisë ruse në Serbi dhe Vuçiqi është softueri ”

Ju jeni një lider nacionalist. Nacionalistët e UÇK-së janë duke u gjykuar në Hagë si terroristë.

“E kanë bërë luftën me Serbinë, kemi pasur dy mijë dëshmorë. Është e pabesueshme të kesh politikanë të rangut të lartë të Kosovës në burg që luftuan për çlirim ndërsa Vuçiq, ministri i Millosheviçit, flirton me Putinin. Është një nga paradokset evropiane”.