Albin Kurti është kryetari i subjektit më të madh politik në vend, Lëvizja VETËVENDOSJE!, si dhe kryeministri i katërt dhe i gjashtë i Republikës së Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Ai ka lindur më 24 mars 1975 në Prishtinë.
Albin Kurti iu bashkua Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në gusht 1997, i cili organizoi protesta paqësore, jo të dhunshme, për lirimin e ndërtesave dhe ambienteve të universitetit, të cilat u pushtuan nga autoritetet e regjimit serb.
Kur filloi lufta në Kosovë, në gusht 1998, Kurti filloi të punojë si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi. Kur filluan bombardimet e NATO-s në Serbi dhe Kosovë në mars të vitit 1999, Kurti qëndroi në Prishtinë, dhe, u arrestua nga policia serbe më 27 prill 1999. Kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10 qershor, Kurti dhe mbi dy mijë shqiptarë të tjerë u transferuan në burgjet serbe. Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua më 7 dhjetor 2001. Më 23 prill 2003, Albin Kurti diplomoi në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i Telekomunikacionit me Kompjuterikë.
Në qershor 2005, Albin Kurti me aktivistë të tjerë të Rrjetit të Aksionit për Kosovën (Kosova Action Network) e avancuan atë në subjektin Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ai ishte Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! deri në mars të vitit 2015. Ai garoi përsëri në zgjedhjet e brendshme për Kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në janar të vitit 2018 dhe i fitoi ato. Në periudhën 2005-2017, Kurti kaloi rreth një vit e gjysmë si i arrestuar nga pushtetet e UNMIK-ut, EULEX-it dhe Republikës së Kosovës.
Albin Kurti ka qenë deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tre mandate me radhë. Ai gjithashtu ka shërbyer si Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitet 2011-2014.
Në tri palë zgjedhjet e njëpasnjëshme parlamentare në Kosovë, më 2017, 2019 dhe 2021, Kurti ka qenë kandidati i partisë për kryeministër. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe 2019, Kurti dhe partia e tij fitoi numrin më të madh të votave.
Në zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt 2021, lista e VETËVENDOSJE! fitoi 50.28 për qind të votës popullore, e që është rezultati më i mirë që një parti e ka arritur që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Ishte kandidati që fitoi numrin më të madh të votave në vend. Ndërsa në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019, Albin Kurti dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! fitoi numrin më të madh të votave.
Albin Kurti ka publikuar mbi 550 artikuj, dhe është ftuar të prezantojë në universitete të ndryshme të njohura brenda dhe jashtë vendit. Ai flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, angleze dhe serbo-kroate.
Ai është i martuar me Rita Augestad Knudsen dhe kanë një vajzë, Lean.