15.02.2008

Fjala e kryeministrit Thaçi për themelimin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve

Ashtu siç jam zotuar, me qëllim të garantimit të një komunikimi të vazhdueshëm dhe të shpejtë me të gjitha komunitetet pakicë si Kryeministër i Kosovës, kam vendosur që të themeloj një Zyrë të veçantë për Çështje të Komuniteteve dhe të emëroj një këshilltar për çështje të komuniteteve në kabinetin tim.

Prishtinë, 15 shkurt 2008
 
Ashtu siç jam zotuar, me qëllim të garantimit të një komunikimi të vazhdueshëm dhe të shpejtë me të gjitha komunitetet pakicë si Kryeministër i Kosovës, kam vendosur që të themeloj një Zyrë të veçantë për Çështje të Komuniteteve dhe të emëroj një këshilltar për çështje të komuniteteve në kabinetin tim.
 
Zyra për Komunitete dhe këshilltari si drejtues i saj do të më raportojnë në baza ditore për problemet e komuniteteve pakicë. Prej tash e tutje, komunitetet pakicë do të kenë një adresë të qartë dhe të përgjegjshme të zgjidhjes së problemeve të tyre. Zyra ime do të jetë përherë e hapur, jo vetëm për t’i dëgjuar, por për të gjetur zgjidhje të përbashkëta, të cilat do të përmirësojnë sigurinë, jetesën dhe mirëqenien e të gjitha komuniteteve.
 
Në Kosovën e pavarur, asnjë qytetar i Kosovës nuk do të ndihet i diskriminuar ose i lënë anash. Unë do të angazhohem fuqishëm që çështjet e komuniteteve të gëzojnë trajtimin e duhur në të gjitha nivelet e institucioneve të Kosovës.
Fillimisht, është ndarë një buxhet prej 1 milion euro për funksionalizimin e zyrës, ndërkohë që është premtuar edhe mbështetje nga donatorët.
 
Përgjegjësia kryesore e Këshilltarit të Lartë të Kryeministrit për Çështje të Komuniteteve është raportimi i drejtpërdrejtë te Kryeministri dhe është drejtues i Zyrës së Kryeministrit për Çështje të Komuniteteve.  Këshilltari ndihmohet nga dy zëvendës, i pari do të jetë nga radhët e komunitetit pakicë joserb, ndërsa i dyti nga radhët e komunitetit shqiptar. Kompetencat kryesore të tij do të jenë konstituimi i Zyrës së Komuniteteve, përkufizimi i detyrave dhe përgjegjësive të personelit të zyrës, përcaktimi i procedurave operative për shqyrtimin e çështjeve të ngritura nga komunitetet, përgatitja e kërkesave vjetore buxhetore për zyrën të cilat i përgjigjen qëllimeve dhe prioriteteve të parapara dhe zhvillimi i procedurave të brendshme qeverisëse për shfrytëzimin e fondit të mirëbesimit të Zyrës për Komunitete.
 
Këshilltari i Lartë i Kryeministrit për Çështje të Komuniteteve këshillon Kryeministrin për çështjet e komuniteteve duke shërbyer si ndërlidhës midis komuniteteve joshqiptare dhe Zyrës së Kryeministrit. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet komunikimit publik dhe privat të qeverisë me komunitetet joshqiptare. 
 
Në fushën e avokimit e njofton Kryeministrin lidhur me çështje të ndjeshme që lidhen me komunitetet, për shembull, kontestet pronësore të nivelit të lartë, krimet ndëretnike, etj; përkufizon dhe artikulon prioritetet dhe qëllimet e programeve sociale dhe ekonomike për komunitetet dhe identifikon projektet e mundshme të asistencës dhe zhvillimit, të cilat mund të zbatohen nëpërmjet fondit të mirëbesimit të Zyrës së Komuniteteve. 
 
Ndërlidhja me komunitetin e donatorëve/ndihmave bëhet duke përcjell dhe bashkërenduar asistencën e donatorëve dhe të Qeverisë së Kosovës për komunitetet joshqiptare dhe duke avokuar për komunitetet të cilat kanë nevojë për projekte të asistencës duke i lidhur me donatorë.
 
Bashkërendimi në kuadër të Qeverisë bëhet nëpërmjet komunikimit të organeve të Qeverisë, të cilat punojnë në çështjet ose projektet që lidhen me komunitetet, siç janë Ministria për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Financave, SHPK-ja, Agjencia Kosovare e Pronës dhe organizatat tjera përkatëse.
 
Pikë kontaktuese për organizatat ndërkombëtare shërben si pikë kryesore kontaktuese e Qeverisë me Zyrën Civile Ndërkombëtare, zyrat ndërlidhëse dhe organizatat tjera ndërkombëtare që merren me çështjet e komuniteteve.