Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Duke nderuar jetën, kontributin dhe sakrificën e Heroit të Kombit Agim Ramadanit – nderojmë të gjithë dëshmorët dhe luftëtarët e Brigadës 138

April 11, 2013

Prishtinë, 11 prill 2013

Në vazhdim po japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi:


E nderuara familje Ramadani,
I nderuari Zëvendëskryeministër,
Të nderuar ministra, deputetë, zyrtarë, komandantë të FSK-së, Policisë së Kosovës,
I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë, z.Lauka,
Zonja dhe zotërinj,
Ju bashkëluftëtarë të nderuar,

Tri ditë më parë shënuam pesë vjetorin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të aktit më të lartë juridik të Republikës së shtetit tonë.

Për të ardhur tek Dita e Kushtetutës, deri tek pesë vjetori i pavarësisë, deri te 14 vjetori i çlirimit të Kosovës, vendi ynë ka kaluar nëpër histori të lavdishme dhe të gjatë.

Ka kaluar nëpër rezistencë të vazhdueshme politike e qytetare.

Ka kaluar nëpër Ditët e Epopesë të lavdishme, siç është Beteja e Koshares, beteja e rezistencë të vazhdueshme për liri dhe pavarësi

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një nga vlerat më supreme politike dhe ushtarake që ka krijuar ndonjëherë kombi ynë.

Brenda konceptit të saj politik dhe ushtarak veproi pjesa më e ndërgjegjshme dhe më e guximshme për çlirimin e Kosovës, e luftëtarë dhe çlirimtarë të Kosovës janë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, kudo që kanë jetuar, në Kosovë dhe diasporë, sepse të gjithë treguan rezistencën kundër Serbisë, kudo që jetonin, në Kosovë e diasporë dhe diaspora ndau kafshatën e gojës për lirinë e Kosovës dhe duhet t’u jemi mirënjohës gjithmonë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës për herë të parë në historinë e kombit tonë, arriti t’i bashkojë shqiptarët, bashkojë qytetarët e Kosovës pa dallim politik, fetar e pa dallim rajoni, bashkoi shqiptarët në Shqipëri pa dallime politike, krahinore dhe fetare, bashkoi shtetin shqiptar, politikën shqiptare, bashkoi në mbështetje të luftës sonë shqiptarët në Maqedoni, Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, shqiptarët në Mal të Zi.

Pra, UÇK-ja për herë të parë arriti t’i bashkojë të gjithë shqiptarët pa dallim, me një qëllim e vizion të vetëm – çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Kur u bashkuan shqiptarët, edhe bashkësia ndërkombëtare, SHBA-të, Bashkimi Evropian, e në fund edhe NATO, e mbështetën projektin e UÇK-së, projektin e popullit të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë.

Brenda radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u krijua uniteti politik dhe profesional duke e drejtuar me sukses luftën edhe në planin operacional.

Strukturat drejtuese politike dhe ushtarake të UÇK-së përcaktuan, organizuan, drejtuan dhe bënë një luftë të drejte dhe te pastër çlirimtare.

Ne arritëm që për herë të parë në historinë tone, të jemi  aleatë me  forcat demokratike dhe popujt më liridashës të botës. 

Zonja dhe zotërinj,

Sot, po vazhdohet me shënimin e manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes” në shenjë të 14 vjetorin të Betejës së Koshares.

Prandaj, ndihem krenar që sot jam në mesin tuaj, në mesin e komandantëve të kësaj brigade, familjarëve të tyre.

Në këto beteja u sprovua uniteti veprues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe hynë në historinë e lavdishme të Kosovës

Beteja e Koshares nuk ishte rastësi, as Beteja Shigjeta, që ishin beteja të mëdha, beteja për Kosovën.

Brigada 138 luajti rol të rëndësishëm dhe ishte e  denjë për këtë mision, sepse në krye të saj kishte luftëtarë, komandantë,  idealistë e vizionarë te mëdhenj si Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe Xhemajl Fetahaj dhe shumë komandantë e luftëtarë të tjerë.

Prandaj, sot, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës shpreh mirënjohjen dhe respektin e madh institucional e shtetëror për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, brigadat e saj, në veçanti për Brigadën 138, që sot shënojmë këtë përvjetor, për komandantin saj, tash Heroin  e Kosovës dhe Kombit, Agim Ramadani në ditën e 14 vjetorit të rënies së tij në krye të detyrës, në krye të luftës çlirimtare.

Duke nderuar jetën, kontributin dhe sakrificën e  heroit të Kombit Agim Ramadanit,  ne nderojmë sot të gjithë dëshmorët dhe luftëtarët e Brigadës 138.

Nderojmë  ata që më luftën e tyre e bën të pavdekshme një betejë të lavdishme të  UÇK –së, Betejën  e Koshares,  e cila ishte pjesë e rëndësishme e operacionit për çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Heroi i Kombit Agim Ramadani luajti një rol kyç ne krijimin e kësaj brigade, në unitetin e saj, por  edhe në planifikimin, zbatimin dhe udhëheqjen e operacionit për thyerjen e kufirit shqiptaro- shqiptar.

Ashtu siç ishte e gjithë jeta dhe veprimtaria e tij në shërbim të unitetit dhe unifikimit të forcave politike dhe ushtarake, edhe rënia e tij heroike i shërbeu këtij qëllimi madhor.

Duke i unifikuar veprimet dhe qëndrimet politike dhe ushtarake,  bashkëluftëtarët e Agim Ramadanit po realizonim një dëshirë dhe amanet të tij.

Ky unifikim që mban vulën e emrit dhe gjakut të Agim Ramadanit padyshim që përfaqëson një nga sukseset më të mëdha të luftës sonë për liri.

Brigada 138 është unike në kuadër të përkushtimeve tona, jo vetëm për numrin e madh  të luftëtarëve, që u bënë pjesë e saj, por edhe për pjesët e atdheut që ata kishin sjellë në këtë Brigadë.

114 dëshmorët e Brigadës 138, ditëve të muajve prill, maj dhe qershor 1999 u dhanë kuptim me jetën dhe gjakun e tyre.

Ato vërtet ishin dhe mbesin DITË TË SHQIPES.

Nuk ka pjesë  të Kosovës por edhe të viseve tjera shqiptare që të mos ketë pasur  luftëtarë në këtë Brigadë, nga të gjitha viset e Kosovës; ishin nga diaspora jonë patriotike, nga Tetova e nga Tropoja; nga të gjitha viset shqiptare. 

Prandaj edhe dëshmorët që ranë në këtë betejë ishin dëshmorë nga të gjitha pjesët e atdheut dhe kjo ditë nuk shënohet vetëm në Prishtinë, kjo ditë sot shënohet edhe në Tiranë, Tetovë, Mal të Zi, Preshevë e diasporë.

Zonja dhe zotërinj,
E nderuar familje Ramadani,

Agim Ramadani mbetet  model i oficerit modern dhe të kompletuar, i pajisur me njohuri dhe talent jo vetëm në fushën profesionale.

Kam pasur nderin dhe kënaqësinë që Agim Ramadanin ta takojë dy herë ne jetën time dhe kemi biseduar më tepër për art, kulturë, letërsi, sport dhe zhvillime të gjithanshme kombëtare, por edhe botërore.

Agim Ramadani nuk e donte luftën, por theksonte se lufta në Kosovë është e domosdoshme. Pa luftë nuk ka çlirim të Kosovës.

Luftën se kemi dashur askush, por ka qenë e domosdoshme për të çliruar vendin. Prandaj, këtu rriten edhe vlerat e Agim Ramadanit. Ai ishte një enciklopedi, të cilin e respektonin të gjithë me vlerat që ka prezantuar dhe përfaqësuar.

Pra, ai ishte njeri i artit dhe kulturës, ishte humanist; ai ishte poet dhe piktor.

Me Agimin mund të flisje për gjithçka, sepse ishte njeri i afirmuar, njeri i përgatitur, ishte njeri që e njihte botën; ishte njeri që e donte jetën, por mbi të gjitha ishte njeri që e donte lirinë e vendit dhe popullit të tij.

Ai ishte një burrë i madh i Kosovës, një burrë i madh i shqiptarisë.

Të tillë do t’i kujtojmë e nderojmë gjithmonë.

Sot, kur kujtojmë heroin Agim Ramadani, Kosova ka kaluar një periudhë të rëndësishme historike.

Të nderuar të pranishëm,

Kosova ka dëshmuar që meriton lirinë dhe pavarësinë.

Me sukses ka përmbyllur periudhën e pavarësisë së mbikëqyrur, duke u dëshmuar si tregim i suksesit dhe përparimit.

Njohjet ndërkombëtare kanë kaluar mbi gjysmën e shteteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kosova në të ardhmen e afërt do të anëtarësohet edhe në NATO, BE dhe OKB.

Prandaj, Kosova e ëndrrave të dëshmorëve dhe heronjve të saj vazhdon të jetë vizion i gjeneratës që sot çdo ditë punon për forcimin, përparimin dhe afirmimin e shtetit tonë të lirë, sovran dhe demokratik.

Jemi të vetëdijshëm, si institucione dhe lidership, se para nesh ende qëndrojnë sfida dhe sprova të mëdha.

Ndihem mirë që më në fund kemi filluar dhe është në përmbyllje gjithë procesi i aplikimit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës.

Deri më tani kanë aplikuar rreth 57 mijë.

Edhe njëherë, nga kjo Akademi e nderuar, ftoj të gjithë veteranët e UÇK-së, kudo që jetojnë, të aplikojnë dhe çdo vlerë dhe sakrificë do të vlerësohet në mënyrë institucionale nga shteti i Kosovës, sepse edhe veteranët, edhe familjet e dëshmorëve, heronjtë e kombit, invalidët e luftës, sakrifikuan për shtetin, lirinë dhe vlerat më sublime dhe, ne kemi obligim si gjeneratë që udhëheqin Kosovën, t’i kryejmë ato përkushtime, institucionalizojmë atë vlerë dhe të afirmojmë sakrificë të madhe të atyre njerëzve.

Pra, të jeni të sigurt se nuk ka asnjë forcë që e ndalon Kosovën drejt zhvillimit, përparimit, kultivimit të lirisë, demokracisë dhe vlerave euroatlantike.

Zonja dhe zotërinj,

Lavdi dëshmorëve të brigadës 138!
Lavdi dëshmorëve të Kombit!
Lavdi heroit Agim Ramadani!

Last modified: July 31, 2022

Comments are closed.