Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur


Image

 Prishtinë, 23 maj 2014

Familjarët e personave të zhdukur kërkojnë drejtësi ndërkombëtare për ‘rastin e Rashkës’

Familjarë të personave të zhdukur dhe aktivistë të shoqatave familjare, të shoqëruar edhe nga përfaqësues të Komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur dhe Departamenti i Mjekësisë Ligjore, vizituan lokacionin e varrezës masive në Rudnicë, të Rashkës.

Me këtë rast, përfaqësuesit e familjarëve, kryesisht nga fshati Rrezallë, që ishin të pranishëm sot në lokacion, u njoftuan mbi zhvillimet e punimeve në kuadër të gërmimeve vlerësuese dhe procesit të zhvarrimit të mbetjeve mortore, tashmë të gjetura në varrezën masive në Rudnicë.  Sipas të dhënave të fundit, të prezantuara sot para familjarëve, nga numri i mbetjeve mortore të gjetura deri më tani, rezultojnë të jenë gjetur rreth 25 individ.

Përfaqësuesi i Shoqatave Familjare në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, Bajram Qerkinaj, gjatë kësaj vizite, në emër të familjeve, shprehu shqetësimin e tyre për dinamikën e punës, e cila sipas tij, nuk është në përputhje me planifikimet e prezantuara para familjarëve. ‘Shqetësim mbetet edhe mos-identifikimi, përkatësisht mos-dërgimi i mostrave të reja për identifikim përmes analizës së ADN-së’.

Po ashtu edhe përfaqësuesit e familjeve Hoti dhe Rukolli, shprehën shqetësimin rreth mungesës së informacionit nëse janë ndërmarrë edhe hapat tjerë të nevojshëm profesional deri në mbylljen e plotë të dy rasteve të tyre, tashmë të identifikuara, e për të cilat familjarët janë njoftuar më 13 prill të këtij viti. Mirëpo, sipas, Afrim Hotit, ‘që nga ajo datë familjet nuk kanë asnjë informacion se çfarë në të vërtetë po ndodhë me më të dashurit e tyre të identifikuar dhe dhjetëra bashkëfshatar të tjerë që vazhdojnë të jenë të zhdukur’. ‘Masakra e datës 5 prill në Rrezallë dhe bartja e kufomave nga ish-ushtria jugosllave për të fshehur gjurmët e krimit dhe gjetja tash kjo varrezë masive, që ne sot e vizituam në Rashkë, tregon më së miri se kush ka kryer krime në Kosovë’, theksoi Hoti.

Iniciuesi i ‘rastit të Rrezallës’, Hamdi Aliu, pasi prezantojë fotografitë e të gjitha viktimave nga fshati Rrezallë dhe kujtojë para ta pranishmëve masakrën dhe krimet monstruoze të kryera para 15 viteve në fshatin Rrezallë dhe fshatrat tjerë përreth, gjendjen aktuale të varrezës masive e cilësojë ‘si krim të pesëfishtë’. Ai, po ashtu, prezantojë angazhimin e aktivistëve nga fshati Rrezallë, në bashkëpunim me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, për vite të tëra, në veçanti nga viti 2010, në përpjekjen e tyre të përbashkët për të ndriçuar të vërtetën dhe zbardhur fatin e të gjithë personave të zhdukur me forcë nga ushtria dhe policia serbe, gjatë luftës së viteve 1998 –’99.

Familjarët e personave të zhdukur, nga lokacionin i varrezës masive, kërkuan që sa më parë të zbardhet fati edhe i 1712 personave që vazhdojnë të jenë të evidentuar si persona të zhdukur, të luftës, dhe që autorët e këtyre krimeve monstruoze të sjellën para drejtësisë ndërkombëtare. Një kërkesë e tillë u prezantua para përfaqësuesve të të dy delegacioneve, përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, të pranishëm sot në lokacionin e varrezës masive në Rudnicë, të Rashkës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors