Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri priti në takim përfaqësuesit e Koalicionit të Pensionistëve të Kosovës

20 Mars, 2012

Prishtinë 20 mars 2012
 
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, znj. Edita Tahiri ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Koalicionit të Pensionistëve të Kosovës në përbërje të së cilit ishin, z. Fahri Buçinca, Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës,  z. Sahit Dragaj, Kryetar i Partisë së Pensionistëve të Kosovës, z. Hamdi Tasholi, Drejtor i Organizatës së Invalidëve të Kosovës, z. Naser Avdiu, Kryetar i Shoqatës së Minatorëve Pensionist e Invalid të Kosovës, dhe Prof. Dr. Sabri Kadriu, Kryetar i Forumit për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkufitar.
 
Gjatë këtij takimi në mes të Zëvendëskryeministres Tahiri dhe delegacionit të pensionistëve të Kosovës u bisedua për dialogun teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me theks për çështjen e fondit pensional të Kosovës të marrë nga Serbia gjatë kohës së luftës.
 
Zëvendëskryeministrja Tahiri informoi përfaqësuesit e pensionistëve se çështja e kthimit të fondit pensional është e përfshirë në kuadër të platformës së përgjithshme të Qeverisë për dialogun teknik. Po ashtu, zëvendëskryeministrja Tahiri theksoi se Qeveria e Kosovës e ka parashtruar pranë BE-së kërkesën zyrtare për trajtimin e kësaj çështjeje në dialogun teknik.
 
Praktikisht çështja e kthimit të fondit pensional është njëra nga çështjet që duhet diskutuar në kuadër të riparimit të dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia gjatë luftës në Kosovë, tha znj. Tahiri.
 
Ajo poashtu tha se në të ardhmen kur kjo çështje do të futet në rendin e ditës së dialogut teknik, Qeveria do të kërkojë  bashkëpunimin dhe ekspertizën e Koalicionit të Pensionistëve të Kosovës për këtë çështje dhe do të angazhojë përfaqësuesin e tyre në cilësinë e ekspertit në kuadër të ekipit qeveritar që do të negocion për çështjen në fjalë.
 
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e koalicionit të pensionistëve të Kosovës, falënderuan Zëvendëskryeministren Tahiri për përkrahjen dhe vlerësuan punën e saj dhe të delegacionit të Kosovës të bërë në kuadër të kësaj faze të dialogut teknik. 

Last modified: 20 Mars, 2012

Comments are closed.