Prishtinë, 18 maj 2010
Zëvendëskryeministri i Republikës se Kosovës, Hajredin Kuçi është takuar sot në Klinë me znj. Ljubica Jelushiq, ministre e Mbrojtjes e Republikës së Sllovenisë dhe më pas ka marrë ceremoninë e pranim-dorëzimit të automjetit special për zjarrfikës në Klinë, donacion nga Sllovenia.
Fillimisht Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi znj. Ljubica Jelushiq janë pritur nga kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota. Në takim ka marrë pjesë edhe ministri i FSK-së, Fehmi Mujota dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhelili.
Në vazhdim po e japim të plot fjalën e Zëvendëskryeministrit të Republikës se Kosovës, Hajredin Kuçi:
Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ta falënderoj Qeverinë e Republikës së Sllovenisë, popullin slloven për ndihmën permanente që I ka dhënë Republikës së Kosovës.
Populli i Kosovës dhe ai i Sllovenisë, janë dy popuj të identifikuar për miqësinë e tyre që nga vitet e mëhershme, që është mbajtur në vitet e ’90-ta dhe më pastaj.
Republika e Kosovës i është mirënjohëse për gjithë atë gatishmëri që e ka bërë Qeveria e Sllovenisë në ndihmën që i ka dhënë Republikës së Kosovës edhe gjatë procesit të pavarësimit të vendit, por edhe sot në ndërtimin e vendit tonë.
Në veçanti do të falënderoja KFOR-in slloven, i cili ka luajtur një rol për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, të cilët kanë dhënë një kontribut që ka perceptim të mirë për qytetarin e Republikës së Kosovës.
Simbolika e sotme për bashkëpunimin në fushat e emergjencave civile, ka një simbolikë për ndërtimin e kapaciteteve të përbashkëta për përgatitjen e hapave për integrimin në BE.
Natyrisht, Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i kryejë obligimet e veta, do të jetë një partner i denjë për Republikën e Sllovenisë dhe integrimin në Unionin Evropian.
Ne do t’i ngremë kapacitetet tona të shërbimit të zjarrfikësve, edhe të kuadrit njerëzor dhe përvojës që fitojmë nga vendet mike.
Kjo simbolikë në komunën e Klinës ka rëndësi të veçantë që të vazhdohet bashkëpunimi, jo vetëm në sferën e emergjencave civile, por edhe të bashkëpunimit të komunave të Republikës së Kosovës dhe komunave të Republikës së Sllovenisë.
Bashkëpunimi bilateral dhe multilateral do të vazhdojë dhe unë jam i bindur që kemi një popull mik, sikur që është populli slloven.
Po ashtu do të jemi miq të denjë për Slloveninë, për botën perëndimore dhe për të gjithë ata që e kanë ndihmuar Republikën e Kosovës.