Prishtinë, 10.11.2011
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, mori pjesë në konferencën ‘Prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe Nevojat e Zhvillimit të Kapaciteteve’.
Konferenca shënoi tetë vjetorin e Projektit për Zhvillim të Kapaciteteve (Capacity Development Facility – CDF).
Zëvendëskryeministri dhe ministri i drejtësisë Hajredin Kuçi, tha se Qeveria e Kosovës i ka kushtuar vëmendje të veçantë procesit të Integrimit Evropian.
“Si rezultat i kësaj, procesi i Integrimit Evropian është shpallur njëri ndër prioritetet kryesore të kësaj Qeverisje, dhe jam i bindur që do të vazhdojë të jetë top-prioritet edhe në vitet në vijim. Në këtë drejtim, në këtë rrugë ne jemi drejtuar shpesh nga matësi i rezultateve tona drejt përmbushjes së këtij qëllimi, e që janë Raportet e parvjetshme të Progresit për Kosovën” tha Zëvendëskryeministri Kuçi.
Zëvendëskryeministri poashtu vlerësoi projektin e CDF-it, që ndihmoi Qeverinë e Kosovës në të gjitha fushat, si dhe kontributin profesional të ekspertëve që kanë qenë pjesë e stafit të administratës dhe e kanë lehtësuar procesin e ndërtimit të kapaciteteve.
Projekti i CDF-së, në vlerë 6.5 milionë Euro, është iniciativë e përbashkët e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe i përkrahur financiarisht nga Qeveria e Norvegjisë. Që nga viti 2004 deri më sot projekti ka përkrahur Qeverinë e Kosovës me shërbimet e mbi 220 ekspertëve kosovarë, nga diaspora dhe atyre rajonal në fusha të ndryshme. Këta ekspertë kanë kryer mbi 270 konsulenca në agjenci të ndryshme qeveritare.
Last modified: 10 Nëntor, 2011