Prishtinë, 13 tetor 2022
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zhvilloi takimin e rregullt me organizata të shoqërisë civile.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi, tha se si Qeveri i shohim akterët e shoqërisë civile si partnerë në procesin e Integrimit Evropian ku secila palë ka rolin e vet dhe mund të japë kontribut si në hartim, monitorim, zbatim apo komunikim të reformave. “Sidomos këtë vit është shumë e rëndësishme përfshirja dhe kontributi i të gjitha palëve.” tha zëvendëskryeministri Bislimi.
Bashkëpunimi ynë bazohet në mirëbesim dhe përkushtim reciprok ndaj reformave, pjesëmarrje të rregullt të të dyja palëve, bashkëpunim të rregullt dhe gjithëpërfshirës si dhe konkretizim në fusha sektoriale specifike.
Takimi i sotshëm është i 5-ti me radhë sektorial, e këtë here në fushën e arsimit. Përmes këtij takimi synojmë përfshirjen e shoqërisë civile në konsultime drejtpërdrejt me institucionet zbatuese në kuadër të reformave legjislative dhe të politikave, përpara se ato të vendosen në platformën për konsultime publike.
U diskutua gjithashtu dhe mbi prioritetet që rrjedhin nga Agjenda Evropiane e Reformave si përmirësimi i cilësisë së përgjithshme në sektorin e arsimit, sigurimi i qeverisjes transparente të institucioneve arsimore e rritja e qasjes në arsim.
Procesi i Integrimit Evropian është aq kompleks dhe kërkues saqë kërkon mobilizim e gjithë potencialit vendor, prandaj çdo ndihmë dhe kontribut është i mirëseardhur. Si Qeveri, bazuar në arritjet tona, llogarisim në përkrahjen e shoqërisë civile në arritjet sektoriale duke qenë se këtë vit do të aplikojmë dhe për anëtarësim në BE, me synim marrjen e statusit kandidat. Prandaj u ftuan akterët pjesëmarrës për bashkëpunim si në monitorim dhe zbatim të reformave po ashtu edhe në aktivitete të diplomacisë publike që do të kemi mundësi t’i organizojmë së bashku.
Takimet e radhës planifikohen të mbahen në fushën e punësimit, çështjet sociale dhe energji, në muajt nëntor dhe dhjetor.
Last modified: 14 Tetor, 2022