Prishtinë, 13 qershor 2024
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, raportoi ditën e sotme në Komisionin për Integrim Evropian, mbi procesin e integrimit evropian.
Në adresimin e tij hyrës, ai raportoi mbi nivelin e zbatimit të Agjendës për Reforma Evropiane ERA II dhe zbatimin e Programit Kombëtar për Integrim Evropian në vitin e kaluar.
“Plani i Veprimit të ERA II ka përfshirë 15 prioritete dhe 341 reforma konkrete apo tregues. Sipas gjetjeve të raportit përfundimtar mbi të arriturat në zbatimin e ERA II, deri në fund të vitit që lamë pas janë zbatuar 245 nga gjithsej 341 tregues, ose 72%.” u shpreh zëvendëskryeministri mbi nivelin e zbatimit të ERA II.
Kjo përbën një rritje të konsiderueshme nga niveli i zbatimit të ERA I, i cili ka qenë në nivelin 45%.
“Tashmë që të dy dokumentet e Agjendës për Reforma Evropiane kanë përfunduar zbatimin, pra ERA I dhe II, mund të krahasojmë trendin e realizimit të reformave. Për dijeninë tuaj, ERA I ishte zbatuar në periudhën Nëntor 2016 – Dhjetor 2019. Zbatimi i saj ka qenë 45%, ndërsa niveli i realizimit të ERA II qëndron tek 72%. Kjo rritje në nivelin e realizimit shpalos një rritje të konsiderueshme në realizimin e reformave të integrimit evropian si dhe një rritje në tempon e realizimit të reformave. Kështu Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po dëshmon se është gati të avancojë në integrimin evropian duke arritur kështu gradualisht përafrim të plotë me standardet e BE-së. Rritja e realizimit të reformave është një lajm dhe arritje e mrekullueshme për qytetarët e Kosovës.” shtoi zëvendëskryeministri Bislimi.
Në vijim, në lidhje me Programin Kombëtar për Integrim Evropian, zëvendëskryeministri theksoi se deri në fund të vitit të kaluar Qeveria kishte miratuar 13 projektligje dhe i ka përcjell ato në Kuvend për miratim, teksa radhiti dhe disa prej masave të rëndësishme të zbatuara.
Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:
E nderuar Kryesuese e Komisionit për Integrim Evropian, znj. Krasniqi,
Të nderuar anëtarë të Komisionit dhe ju pjesëmarrës,
Në vijim më lejoni të prezantoj të arriturat në zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II) deri në fund të vitit 2023. Si fillim, Plani i Veprimit të ERA II ka përfshirë 15 prioritete dhe 341 reforma konkrete apo tregues. Sipas gjetjeve të raportit përfundimtar mbi të arriturat në zbatimin e ERA II, deri në fund të vitit që lamë pas janë zbatuar 245 nga gjithsej 341 tregues, ose 72%. Një numër i ligjeve shumë të rëndësishme janë miratuar gjatë kësaj periudhe e tashmë po zbatohen, ndër të cilat janë:
• Kodi i procedurës penale;
• Ligji për financimin e subjekteve politike;
• Ligji për deklarimin, origjinën dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve publikë;
• Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit;
• Ligji për zyrtarët publikë dhe për pagat në sektorin publik;
• Ligji për valën e parë dhe të dytë të racionalizimit të agjencive;
• Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore;
• Ligji për zgjedhjet;
• Ligji për sigurinë e përgjithshme të produkteve; për inspektimet e përgjithshme; dhe për Gjykatën Komerciale;
• Ligji për promovimin e burimeve te ripërtëritshme të energjisë; për mbrojtjen e ajrit nga ndotja; dhe ai për mbeturina;
• Ligji për mbrojtjen e konkurrencës;
• Ligji për Agjencinë e Akreditimit;
• Ligji për edukimin në fëmijërinë e hershme; dhe
• Ligji për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse.
Në të njëjtën kohë, edhe një numër i madh i reformave janë zbatuar gjatë kësaj kohe, ndër të cilat po veçoj:
Miratimin e Strategjive për:
• Sundimin e Ligjit
• Parandalimin e Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm;
• Migrimin
• Reformën e Administratës Publike
• Luftimin e Dhunës në Familje
• Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Njeriut dhe të komuniteteve
• Për Energjinë, Ujërat, dhe për Parkun Kombëtar: Bjeshkët e Nemuna si dhe
• Reforma e Menaxhimit të Financave Publike
Një numër i madh i reformave konkrete janë realizuar dhe po zbatohen në vazhdimësi.
Për referencë:
Në fushën e administratës publike, është krijuar portali i shërbimeve E-Kosova, i cili po zgjerohet çdo ditë për nga shërbimet që ofrohen; janë funksionalizuar mekanizmat për zbatimin e ligjeve kornizë për administratën publike; si dhe është zvogëluar barra administrative përmes thjeshtimit, bashkimit ose shfuqizimit të rreth 8% të lejeve dhe licencave për operatorët ekonomikë;
Tek energjia dhe ambienti, është bërë realizimi i dy projekteve të energjisë së erës, me kapacitet prej 69 MW; 1600 shtëpi dhe 25 komplekse banesore kanë përfituar dhe janë bërë më efiçiente përmes projektit Reliable Energy Landscape (RELP); është arritur zbatim i plotë i legjislacionit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura; është krijuar Sistemi online për Informacionit Mjedisor; është reduktuar numri i deponive ilegale nëpër komuna; si dhe janë trajnuar shumë inspektorë për menaxhimin e mbeturinave dhe atyre të ujërave.
Tek segmenti i tregut dhe ambientit të të bërit biznes, është funksionalizuar Gjykata Komerciale; është themeluar njësia për informimin e bizneseve lidhur me standardet; 10 sesione këshilluese për biznese për certifikim dhe zbatim të standardeve, si dhe subvencionim i së paku 20 bizneseve; është rritur mbulueshmëria e kredive të reja përmes Fondit Kosovar për Garanci të Kredive.
Tek drejtësia dhe siguria, është institucionalizuar bashkëpunimi me EUROPOL-in; janë trajnuar prokurorë, gjyqtarë dhe hetues të policisë mbi krimet ekonomike dhe financiare; është avancuar infrastruktura komunikuese e Policisë; është funksionalizuar Qendra e Pritjes së Përkohshme për migrantë; janë mbikëqyrur emërimet e niveleve të larta dhe shumë të tjera.
Tek punësimi dhe arsimi, rreth 4000 persona në vit janë punësuar nga masat aktive të tregut të punës; është mbështetur formalizimi i vendeve të punës dhe punësimi për gra dhe persona me aftësi të kufizuara; është zhvilluar dhe po zbatohet skema e garantimit të punësimit për të rinj; ka pasur përmirësim të sigurisë dhe shëndetit në punë përmes rritjes së numrit të përgjithshme të inspektimeve nga 5000 në 6000 dhe rritje e inspektimeve të përbashkëta mes institucioneve të Policisë dhe ATK-së; është zhvilluar kurrikula bërthamë e arsimit dhe aftësimit profesional për shkollat e mesme.
Agjenda e Reformave Evropiane ERA II, tashmë është përmbyllur dhe ky përbën raportin përfundimtar të zbatimit të tij. Treguesit realizimi i të cilave nuk është përfunduar ende, janë bartur në Programin Kombëtar për Integrim Evropian dhe do të vazhdojnë të monitorohen.
Tashmë që të dy dokumentet e Agjendës për Reforma Evropiane kanë përfunduar zbatimin, pra ERA I dhe II, mund të krahasojmë trendin e realizimit të reformave. Për dijeninë tuaj, ERA I ishte zbatuar në periudhën Nëntor 2016 – Dhjetor 2019. Zbatimi i saj ka qenë 45%, ndërsa niveli i realizimit të ERA II qëndron tek 72%. Kjo rritje në nivelin e realizimit shpalos një rritje të konsiderueshme në realizimin e reformave të integrimit evropian si dhe një rritje në tempon e realizimit të reformave. Kështu Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po dëshmon se është gati të avancojë në integrimin evropian duke arritur kështu gradualisht përafrim të plotë me standardet e BE-së. Rritja e realizimit të reformave është një lajm dhe arritje e mrekullueshme për qytetarët e Kosovës.
Tek Programi Kombëtar për Integrim Evropian, gjatë vitit që lamë pas janë paraparë 160 masa. Deri në fund të atij viti Qeveria kishte miratuar 13 projektligje dhe i ka përcjell në Kuvend për miratim. Ndërkaq, Kuvendi deri tani ka miratuar 5 sosh.
Të miratuar janë:
– Ligji për zgjedhjet;
– Ligji për plotësim-ndryshim e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me ligjin për procedurën e përgjithshme administrative, faza e dytë;
– Ligji për organizimin e tregut të përbashkët të produkteve bujqësore;
– Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore; dhe
– Ligji për ndryshime klimatike.
Po presim për t’u miratuar në Kuvend:
– Ligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës;
– Projektligji për regjistrin e pronarëve përfitues;
– Projektligji për burimet e ripërtëritshme të energjisë;
– Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave;
– Projektligji për lirinë fetare;
– Projektligji për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror;
– Projektligji për vlerësimin strategjik mjedisor; dhe
– Projekt-kodi doganor dhe i akcizave.
– Masat të tjera të rëndësishme që janë zbatuar gjatë vitit 2023 janë:
– Miratimi i Agjendës Digjitale për Kosovën 2030;
– Miratimi i Programit të Zbatimit të Strategjisë së Energjisë;
– Miratimi i Programit për bujqësi dhe zhvillim rural 2022-2027 dhe Planit kombëtar për bujqësi organike;
– Miratimi i Planit të veprimit 2023-2025 për zbatimin e Strategjisë së Transportit Multimodal 2023-2030;
– Miratimi i Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030 dhe Planit të Veprimit 2023-2025;
– Miratimi i Strategjisë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre 2020-2027 dhe Planit të Veprimit për zbatimin e saj;
– Miratimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023-2028;
– Miratimi i shumë akteve nënligjore në kapitullin për lëvizjen e lirë të mallrave; për shoqërinë e informacionit dhe mediat; në fushën e transportit; dhe në kapitullin për drejtësi, liri dhe siguri;
– Përgatitja e raporteve tremujore financiare dhe të performancës për të gjitha ndërmarrjet publike;
Rekrutimi i 13 zyrtarëve në Autoritetin e Konkurrencës;
Janë mbajtur trajnime për:
– Qeverisjen korporative të ndërmarrjeve publike;
– Sigurinë e produkteve;
– Prokurimin publik – kriterin TEMF/tenderi ekonomikisht më i favorshëm (198 zyrtarë të prokurimit dhe të tjerë nga autoritetet kontraktuese);
– Të drejtën e pronësisë intelektuale;
– Politikat e konkurrencës;
– Hetime penale (për 171 zyrtarë të Policisë);
– Integrimin e të huajve (400 zyrtarë);
• Ndërmjetësimi në punësim, përmes masave aktive të tregut të punës, i 2,369 punëkërkuesve (1,503 gra dhe 866 burra), në total 18% më shumë se në vitin 2022, përkatësisht 20.6% më tepër gra se në vitin 2022 dhe 13.6% më tepër burra.
•Janë realizuar gjithsej 8,129 inspektime nga Inspektorati i Punës, që përbën një rritje prej 29%.
• Ndarja e bursave për 467 nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe atij egjiptian 244 femra, 223 djem të rinj dhe për 55 studentë universitarë nga këto komunitete.
Ju faleminderit!
Last modified: 13 Qershor, 2024