Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim zv.Drejtorin Menaxhues të FMN-së, z. Bo Li

21 Shtator, 2022

Prishtinë, 21 shkurt 2022

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, priti në takim zv.Drejtorin Menaxhues të FMN-së, z. Bo Li.

Në takim u bisedua mbi sfidat dhe prioritetet e Qeverisë, ku pati theks të veçantë në masat e ndërmarra për lehtësimin e efekteve të krizës së shkaktuar nga agresioni dhe pushtimi rus në Ukrainë dhe mbështetja e shtresave të shoqërisë të cilat janë më të prekura.

Sa i përket krizës energjetike, që po prek edhe Kosovën sikurse pjesën më të madhe të botës, u veçuan masat e ndërmarra nga Qeveria për kursim dhe subvencionim të energjisë elektrike. Për të përballuar krizën e shkaktuar në këtë sektor, në mbledhjen e fundit të Qeverisë, u ndanë dhe 19 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët, me qëllim të uljes së ndikimit të tarifave të energjisë, si dhe 6 milionë euro, për zbatim të masave të efiçiencës së energjisë.

Gjithashtu u përmend dhe dyfishimi së fundmi i pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për muajin shtator 2022, mbështetja e vazhdueshme për pensionistët, dhe familjet me asistencë sociale, në kuadër të vazhdimit të zbatimit të masave të parashikuara në Pakon e Ringjalljes Ekonomike.

Z. Bo Li përgëzoi Qeverinë për ndërmarrjen e masave në kohën e duhur, për të zvogëluar ndikimin te qytetarët të krizës me të cilën po përballet Evropa përmes mbështetjes së targetuar dhe për të ruajtur stabilitetin makro-fiskal. Ai e vlerësoi pozitivisht vendimin e Qeverisë për moslejimin e tërheqjes së fondeve pensionale nga Trusti, që do të minonte sistemin pensional.

Zëvendëskryeministri Bislimi dhe Ministri Murati, duke e falënderuar z. Bo Li për vizitën dhe bisedën, theksuan se e vlerësojnë lartësisht mbështetjen e vazhdueshme dhe mirëpresin përkrahjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar për tejkalimin e sfidave të cilat i kemi përballë dhe rritjen e bashkëpunimit mes nesh.

Last modified: 21 Shtator, 2022

Comments are closed.

×