Prishtinë, 7 maj 2025
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), Jacob Granit. Prezent në takim ishte edhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.
Kjo është vizita e parë e drejtorit Jacob Granit në Kosovë. Zëvendëskryeministri Bislimi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë gjersa vlerësoi bashkëpunimin me partnerët tanë e vendet mike ku zë vend të veçantë edhe shteti i Suedisë.
U bisedua mbi mundësitë për zgjerim të bashkëpunimit nga fusha si investimet e shkëmbimi tregtar, deri te teknologjia e digjitalizimi. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi progresin dhe zhvillimin që ka njohur vendi në katër vitet e fundit. Tha se rritja duhet të jetë e qëndrueshme dhe e shpërndarë në mënyrë të barabartë drejt qytetarëve.
Veçoi rritjen e shpejtë të sektorit të teknologjisë së informacionit si dhe perspektivën e potencialin që Kosova ofron përmes ambientit të mirë të të bërit biznes.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi drejtorin Jacob Granit për vizitën e tij në Kosovë e takimin e sotshëm, duke shprehur mirënjohjen për partneritetin e ngushtë dhe marrëdhëniet e fuqishme mes Kosovës dhe Suedisë.
Last modified: 7 Maj, 2025