Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, i uroi mirëseardhjen ambasadorit të Francës, z.Olivier Guérot, në këtë takim të parë mes tyre. Në bisedën e zhvilluar, u shpreh bashkërisht gatishmëria për të vazhduar marrëdhënien dhe bashkëpunimin e ngushtë me ambasadën franceze.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se ky vit është shumë i rëndësishëm sa i përket agjendës evropiane të Kosovës, ku pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, do të aplikojmë brenda vitit dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat. Kosova gjendet në vitin e 6-të të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, duke qenë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i cili akoma nuk ka aplikuar, andaj tashmë ka ardhur momenti të merret një hap i tillë.
Në takim u bisedua dhe mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon dhe dialogun me Serbinë, ku u potencua fakti se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në këtë proces, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të përhershme, ligjërisht të obligueshme, me në qendër njohjen reciproke.
Marrëdhëniet Kosovë-Francë kalojnë edhe përmes rritjes së bashkëpunimit ekonomik, rritjes së investimeve franceze në vend e projekteve konkrete në fusha me interes të përbashkët.
Last modified: 17 Tetor, 2022