Prishtinë, 16 shkurt 2024
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në eventin e organizuar për Ditën Nacionale të Komunitetit Ashkali mbrëmjen e djeshme. Në këtë event, në mesin e shumë pjesëmarrësve, ishin prezent dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca,
Zëvendëskryeministrja e tretë, Emilija Rexhepi, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e deputetë të Kuvendit nga radhët e minoriteteve dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se në këtë ditë kaq të veçantë, duhet të ndihemi “krenar për vlerat tuaja si komunitet, për arritjet aktuale dhe kontributin në Kosovën e suksesshme, dinamike dhe multietnike, si dhe për përfaqësimin tuaj të denjë e të përkushtuar gjatë këtyre viteve.”
“Kosova krenohet për faktin që ka shkencëtarë/e ashkali, sportistë/e ashkali, policë/e ashkali, mësues/e ashkali, aktivistë/e ashkali, shkrimtarë/e ashkali, biznesmenë/e ashkali, dhe shumë anëtarë të tjerë të komunitetit që kontribuojnë në shtetin tonë”, shtoi zëvendëskryeministri Bislimi.
Mirëqenia e komuniteteve pakicë, zbutja e diskriminimit, zhvillimi social dhe ekonomik, janë disa nga prioritetet e qeverisë sonë, andaj edhe do të mundohemi gjithmonë që së bashku të gjejmë zgjidhje për çdo sfidë, sepse vetëm së bashku mund t’ia dalim dhe ta përmirësojmë edhe më tej kualitetin e jetës së qytetarëve dhe të gjitha komuniteteve.
Qeveria e Kosovës, e ka dëshmuar përkushtimin dhe angazhimin e saj për krijimin e kushteve më të mira për të gjithë qytetarët, në mënyrë që të arrijmë të krijojmë një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku të gjithë përfitojnë në mënyra të ndryshme e me impakt të drejtpërdrejtë.
“Do të punojmë bashkërisht dhe të përkushtuar për të gjitha moshat, për një jetë sa më të mirë dhe për një shoqëri gjithëpërfshirëse e të barabartë”, përfundoi fjalën e tij zëvendëskryeministri Bislimi.
Last modified: 16 Shkurt, 2024