Podujevë, 19 qershor 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ishte i pranishëm në qytetin e Podujevës për vënien e gurthemelit të Shkollës Fillore në fshatin Dumosh, si dhe në vënien e gurthemelit të çerdhes në qytetin e Podujevës.
Në Dumosh të Podujevës, kryeministri Kurti me kryetarin Shpejtim Bulliqi, drejtorin e shkollës dhe nënën e dëshmorit Ali Ajeti, zonjën Vahide, bashkë vunë gurthemelin e shkollës në vlerë prej 560 mijë euro, financim ky i mundësuar nga buxheti komunal. Kjo shkollë ka kapaciteti per 170 nxënës dhe do të përfshijë 8 dhoma mësimi.
Po ashtu, qyteti i Podujevës do të bëhet edhe me një çerdhe të re me investim afër 700 mijë euro, gurthemelin e së cilës e vendosi kryeministri Kurti. Me këtë rast, ai njoftoi se objekti i çerdhes me sipërfaqe 1400 metra katrorë është i destinuar për 150 fëmijë.
Në këtë ambient fëmijët do të zotërojnë 7 dhoma për qëndrim, 3 dhoma të gjumit për fëmijë, hapësirën për shumë qëllime, kuzhinën, trapezarinë, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratën, si dhe hapësira teknike. Për këtë çerdhe, sipas kryeministrit do të punësohen 15 edukatore dhe 5 persona staf administrative.
Tutje në përgjithësi, kryeministri tregoi se çerdhe si kjo janë ndërtuar edhe katër të reja në vitin 2021/2022, përderisa në implementim janë edhe 14 çerdhe të reja në Kosovë e 5 adaptime, ndërkaq në planifikim edhe 17 çerdhe të tjera e 5 adaptime të shkollave në kopshte.
“Brenda dy vjetëve e kemi shtu buxhetin e shtetit për arsim për 26%, kemi rrit shumë numrin e bursave edhe për nxënës të komuniteteve, edhe për studentë, në veçanti për vajza, për ato që studiojnë në degët STEM, pra shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Kemi pas mbi 1300 bursa për vitin shkollor 2021/2022 e në këtë vit i kemi shtuar edhe 2 mijë bursa të tjera me dy milion euro”, shtoi tutje ai.
Në fund duke i uruar të gjithë për këto investime, kryeministri falënderoi Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, e në veçanti, punëtorët të cilët do t’i ndërtojnë këto objekte arsimi.
Prononcimi i kryeministrit Kurti në fshatin Dumosh të Podujevës:
Unë jam shumë i nderuar që jam këtu bashkë me Kryetarin e komunës Shpejtim Bulliqin, jam bashkë me drejtorin e shkollës dhe jam me nanën e dëshmorit tonë Ali Ajeti, zonjën Vahide, për të vënë gurthemelin e shkollës së re të fshatit Dumosh, e cila do t’i ketë 8 dhoma mësimi dhe këta 138 nxënës do ta kenë pra shkollën e re, e kjo shkollë mund të funksionojë edhe për deri në 170 nxënës.
Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështet Komunën e Podujevës dhe komunat anë e mbanë Kosovës sepse arsimi është themeli edhe i progresit ekonomik, por njëkohësisht edhe i të ardhmes së ndritshme shtetërore e kombëtare.
Brenda dy vjetëve e kemi shtu buxhetin e shtetit për arsim për 26%, kemi rrit shumë numrin e bursave edhe për nxënës të komuniteteve, edhe për studentë, në veçanti për vajza, për ato që studiojnë në degët STEM, pra shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Kemi pas mbi 1300 bursa për vitin shkollor 2021/2022 e në këtë vit i kemi shtuar edhe 2 mijë bursa të tjera me dy milion euro.
Pra, arsimi është prioritet për neve dhe më lejoni të përgëzoj Komunën e Podujevës që po ashtu e konsideron arsimin prioritet për llapjanët e vegjël që do ta ndritin Llapin duke mësuar këtu e duke punuar për këtu.
Faleminderit shumë.
Prononcimi i kryeministrit në Podujevë:
Unë jam shumë i gëzuar që ndodhem sot këtu në vendosjen e gurthemelit edhe për një çerdhe për fëmijë, çerdhe e cila siç e tha edhe kryetari Bulliqi do t’i ketë 1400 m2, do të jetë çerdhe me investim afër 700 mijë euro dhe kjo është çerdhja e dytë prej se është kryetar Shpejtimi, ndërkohë që në dy dekada para kësaj ka qenë vetëm një çerdhe në krejt Podujevën, e tash janë dy çerdhe në qytet ndërkaq edhe disa çerdhe nëpër fshatra, sikurse për shembull Lluzhani e Kërpimehu.
Qeveria e Republikës së Kosovës e ka arsimin prioritet dhe ne besojmë që edukimi i hershëm është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe duhet të kemi sa më shumë çerdhe për fëmijë në mënyrë që kur të fillojnë nëpër shkolla fillore të jenë sa më të përgatitur.
Konkretisht 150 fëmijë do të mund të jenë në këtë çerdhe të re, 7 dhoma për qëndrim të fëmijëve dhe 3 dhoma të gjumit për fëmijë. Mandej hapësira për kuzhinë, trapezari, dhoma e mjekut, e psikologut, administratë dhe hapësira teknike. Do të jenë të punësuar gjithsej 15, 10 edukator dhe 5 staf administrativ. Në përgjithësi janë ndërtuar katër çerdhe të reja në vitin 2021/2022, në implementim janë edhe 14 çerdhe të reja në Kosovë, edhe 5 adaptime, e në planifikim edhe 17 çerdhe të tjera edhe 5 adaptime të shkollave në kopshte.
Unë falënderoj edhe njëherë kryetarin e komunës, falënderoj Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, e sidomos edhe punëtorët të cilët do të na e ndërtojnë këtë çerdhe me sipërfaqe kaq të madhe dhe sa bukur do të duket, sigurisht që shihej edhe në atë banerin në hyrje të këtyre punimeve ku besoj që do të rikthehemi atëherë kur do ta inaugurojmë edhe funksionimin.
Faleminderit e urime të gjithëve.
Last modified: 19 Qershor, 2023