Zyra e Kryeministrit

U nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim Asocimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës

27 Tetor, 2015

Strasburg, 27 tetor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar sot në Strasburg, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në ceremoninë që u zhvillua në Strasburg, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe Johannes Hahn, komisioner i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas nënshkrimit të Marrëveshjes, ka thënë se kjo ditë është ndër ditët më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Sot, vendi im, në mënyrë zyrtare ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje, konfirmuam vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës drejt perspektivës eurointegruese dhe hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën. Kjo Marrëveshje vulos rrugën e Kosovës drejt BE-së, rrugë e cila nuk ka kthim, por i hapë mundësi Kosovës drejt reformimit, përshtatjes dhe implementimit të reformave në të gjithë sektorët. Është rrugë e forcimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, rrugë e stabilitetit politik dhe e perspektivës ekonomike, rrugë e përfundimit të tranzicionit drejt një ekonomie funksionale të tregut, e forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe e zgjidhjeve politike”, theksoi kryeministri Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, tha se procesi i evropianizimit kuptimplotë të Kosovës, që po fillon sot, do të përcillet me një përkushtim të plotë shtetëror dhe institucional të Kosovës dhe me partneritet të plotë me Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, tha se është bërë shumë punë nga të dyja anët, dhe është mirë që më në fund u nënshkrua MSA-ja. “Presim  që kjo të hyj në fuqi sa më parë që është e mundur. Pas kësaj do të ketë shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit. Është një moment i mirë” theksoi ajo.

Komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, tha se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës . “Është një ditë e madhe për të gjithë ne, duke falënderuar ekipet tona, pa të cilat kjo gjë nuk do të ishte arritur. Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”,  u shpreh komisioneri Hahn.

Ai, po ashtu, e falënderoi përfaqësuesen e Lartë, familjet, dhe të gjithë të tjerët, të cilët punuan në muajt e kaluar duke e vlerësuar si një arritje për të gjithë familjen evropiane. “Është një deklaratë e fuqishme e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, theksoi komisioneri Hahn.

 

Last modified: 27 Tetor, 2015

Comments are closed.

×