Zyra e Kryeministrit

U mbajt mbledhja e 9-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës

27 Shkurt, 2008

Prishtinë, 27 shkurt 2008

Mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës e ka kryesuar kryeministri Thaçi, me ç’rast ka informuar kabinetin për gjendjen aktuale të sigurisë dhe hapat e ndërmarrë për ruajtjen e rendit dhe stabilitetit në Kosovë. Kryeministri ka thënë se gjendja e sigurisë është nën kontroll të plotë të SHPK-së, Policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it, të cilët janë në bashkëpunim të ngushtë për të siguruar gjendje të qëndrueshme të sigurisë në Kosovë. Z. Thaçi ka thënë se njohja e shtetit të Kosovës po vazhdon më intensitet të shtuar nga shtetet dhe qeveritë e vendeve më të fuqishme të botës dhe ka kërkuar nga ministrat e kabinetit qeveritar që të fillojnë përgatitjen e procedurave për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, fillimisht në Fondin Monetar Ndërkombëtarë (FMN) dhe Bankën Botërore (BB), ndërsa më vonë edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), NATO dhe OSBE.  
 
Në bazë të vendimit të Qeverisë, nr. 02/4, të datës 31 janar 2008, me të cilin parashihet që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që aktualisht janë të vendosura në objekte private, të vendosen në objekte publike, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Planin Strategjik për Akomodimin Rezidencial të Qeverisë së Kosovës, i cili ka për qëllim zvogëlimin e shpenzimeve, akomodimin adekuat dhe funksional, rritjen e sigurisë për pasurinë dhe personat, rritjen e efikasitetit në punë, ofrimin e shërbimeve të shpejta për qytetarë dhe krijimin e imazhit shtetëror-reprezentativ.
 
Gjithashtu është shqyrtuar pasqyra e gjendjes së automjeteve që shfrytëzohen nga institucionet, ku Ministria e Shërbimeve Publike ka ofruar një listë të detajuar që përfshinë të gjitha automjetet që shfrytëzohen nga institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo listë paraqet një pasqyrë për automjetet sipas institucioneve, numrit dhe gjendjes së tyre. Me këtë rast është konstatuar se ka një respektim të plotë të vendimit të mëhershëm për përdorimin e automjeteve, si dhe është miratuar propozimi për përgjysmimin e numrit të përgjithshëm të veturave institucionale, që përbëhet nga 3132 sosh, përfshirë SHPK-në dhe TMK-në, të cilat do të vihen në ankand publik. Po kështu është bërë edhe shqyrtimi i pagave e i numrit të punëtorëve të institucioneve në nivelin qendror të cilët paguhen nga linja buxhetore e subvencioneve dhe punëtorët e angazhuar me kontratë mbi vepër (MKRS), me ç’rast është kërkuar që të vihen kritere të qëndrueshme dhe transparente. 
 
Kabineti qeveritar ka aprovuar edhe kërkesën për nxjerrjen e vendimit për aplikimin e procedurave të tenderit për vendburimet minerare të hulumtuara, deri në finalizimin e Strategjisë së Minierave dhe kërkesën për ndryshimin (rritjen) e buxhetit për vitin 2008  për KEK-un dhe për SHPK-ën (MEF), e cila është rrjedhojë e rrethanave të krijuara ditët e fundit në vendin tonë. Ndryshimet e nevojshme të kërkuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave janë: rritja prej 2.8 milionë euro në shumën e siguruar për KEK-un, në kategorinë “subvencione dhe transfereve”, për të mbuluar koston e importeve të energjisë elektrike gjatë periudhës së definimit të statusit, si dhe rritjen prej 800.000.00 eurosh për Shërbimin Policor të Kosovës, në kategorinë “shpenzime kapitale, Projekti për përgjimin ligjor që ka të bëjë me çështjet konfidenciale.
 
Në vijim është miratuar financimin e projekteve të Instrumentit për Paraanëtarësim (IPA) 2007, që do të ekzekutohen gjatë vitit 2008 (MEF), me ç’rast shënohet ngritje e buxhetit prej 2.5 milionë eurosh për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe 400.000 eurosh për Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të përmbushur nevojat e bashkëfinancimit si pjesë e IPA-s nga Komisioni i Evropian. Po ashtu është miratuar projektvendimi për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave (MSHP. Me këtë rast është vlerësuar se regjistrimi i popullsisë është një detyrim dhe standard ndërkombëtar për Republikën e Kosovës. Çështja e regjistrimit do të konsiderohet me prioritet të lartë në agjendën shtetërore të Kosovës, sepse të gjitha objektivat shtetërore, jo vetëm ekonomike, sociale dhe zhvillimore, varen nga rezultatet cilësore të regjistrimit të popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave, ndërsa përfitues do të jetë e gjithë shoqëria. Orientim i Qeverisë së Republikës së Kosovës është që deri në fund të gjysmës së parë të nëntorit të këtij viti duhet të përfundojë regjistrimi i paraparë.
 
Po kështu janë miratuar një varg udhëzimesh administrative dhe projektligjesh, si:
 
–          Udhëzimi Administrativ për Pagesën e Stafit Politik në Komuna (MAPL-MEF), me të cilin caktohet paga e kryetarëve të komunave, zëvendëskryesuesve të kuvendeve komunale dhe drejtorëve të drejtorive të emëruar nga kryetarët e komunave, si dhe kompensimi maksimal për këshilltarët e kuvendeve komunale dhe anëtarët e komiteteve komunale. Pagesa e stafit politik nëpër komuna deri më tani është bërë në bazë të Udhëzimit Administrativ, nr. 7/2004, të ndryshuar me Udhëzimin Administrativ, nr. 3/2005, që do të shfuqizohen me rastin e miratimit të këtij udhëzimi. Ky Udhëzim Administrativ është përgatitur duke u bazuar në strukturën e personelit politik sipas Rregullores së UNMIK-ut nr. 2007/30;
 
–          Udhëzimi Administrativ për administrimin me mbeturinat medicinale (MMPH), qëllimi i të cilit është që të përcaktojë kërkesat mjedisore për administrimin e mbeturinave medicinave; të vendosë mbikëqyrjen funksionale të aktiviteteve lidhur me mbledhjen, trajtimin, ambalazhimin, magazinimin, deponimin dhe transportimin e mbeturinave medicinave, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe mjedisit, si dhe të përcaktojë kompetencat dhe përgjegjësitë mbi administrimin e mbeturinave medicinale. Me këtë udhëzim administrativ definohen llojet e mbeturinave të cilat krijohen me rastin e shërbimeve mjekësore për mbrojtjen e shëndetit publik në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private dhe objektet ku krijohen mbeturinat medicinave;
 
–          Udhëzimin Administrativ për administrimin e mbeturinave të rrezikshme (MMPH), fushëveprimtaria e të cilit qëndron kryesisht në përcaktimin e detyrimeve të autoriteteve kompetente, klasifikimin, karakterizimin e mbeturinave të rrezikshme, kushteve për mbledhjen-grumbullimin, transportimin, trajtimin, magazinimin, asgjësimin dhe deponimin e tyre. Nevoja e paraqitjes së një akti të tillë juridik është paraqitur për arsye se nuk ka ekzistuar ndonjë akt juridik për rregullimin e kësaj çështje nga aspekti legjislativ, kërkesave të vazhdueshme nga prodhuesit e mbeturinave të rrezikshme si dhe gjendjes shumë të keqe në terren;
 
–          Udhëzimi Administrativ për Vula në institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës (MSHP), qëllim i të cilit është rregullimi dhe përcaktimi i formës dhe përmbajtjes së vulës, përdorimit, ruajtjes dhe përgjegjësinë për përdorimin e vulës në institucionet e Republikës së Kosovës. Të gjitha vulat që janë në përdorim deri me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi administrativ do të dërgohen në arkivin kompetent për ruajtje, në pajtim me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në Ligjin nr. 2003/7 për lëndën arkivore dhe arkivat;
 
–          Projektligjin për produktet për mbrojtjen e bimëve (MBPZHR), me të cilin rregullohet vendosja në treg dhe kontrollimi i substancave aktive të produkteve për mbrojtjen e bimëve, autorizimi, qarkullimi, përdorimi, mbetjet në bimë dhe produkte bimore, mbajtja e regjistrit për personat fizik dhe juridik, që janë të përfshirë në vendosjen në treg dhe përdorimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve, përgjegjësitë e autoritetit kompetent për zbatimin e këtij projektligji dhe monitorimin e tij. Sipas deklaratës financiare të lëshuar nga MEF-i vlerësohet se projektligji ka implikime buxhetore prej 13.000 euro për vitet 2008-2010, shumë kjo e cila nuk është përfshirë as në Ligjin për Buxhetin e vitit 2008 dhe as në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2008-2010, prandaj do të mbulohet nga vetë ministria sponsoruese. Sipas deklaratës së AIE-së, projektligji nuk i cenon parimet e legjislacionit evropian;
 
–          Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes (MMPH), qëllimi i të cilit është arritja e parandalimit dhe kontrollit të integruar të ndotjes e cila vjen si pasojë e veprimtarive në industrinë energjetike, prodhimin dhe përpunimin e metaleve të industrisë së mineraleve, të industrisë kimike, menaxhimin e mbeturinave, aktivitetet minerare dhe aktivitetet tjera, duke krijuar sistemin e dhënies së lejes mjedisore të integruar për pajisjet dhe aktivitetet që mund të ndikojnë negativisht në mjedisin dhe shëndetin e njeriut dhe në të mirat minerale.
 
Në fund të takimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës janë shqyrtuar disa propozime dhe është marrë vendim për emërimin e zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, në detyrën e përgjegjësit për marrëdhënie me publikun nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ndërsa në postin e Koordinatorit të Paktit të Stabilitetit është emëruar z. Besim Beqaj. Gjithat për postin e drejtorit menaxhues të Autoritetit Qendror Bankar është propozuar z. Hashim Rexhepi.

Last modified: 27 Shkurt, 2008

Comments are closed.