Mbledhja e 73-të e Qeverisë së Kosovës
Prishtinë, 30 tetor 2018
Qeveria ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2018 të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në program do të përfshihen Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për kredi midis Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG për projektin e sistemit të largimit të ujërave të zeza për Komunën e Podujevës dhe Projektligji për ratifikimin e protokollit shtesë të marrëveshjes për ndryshimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore. Në Programin legjislativ të vitit 2019 do të barten Projektligji për partneritet publiko-privat; Projektligji për Agjencinë e Tatimeve dhe Doganës; Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet KfW Frankfurt am Main dhe Republikës së Kosovës për përmirësimin e rrjetit të transmisionit, faza e gjashtë; dhe Projektligji për Ratifikimin e marrëveshjes për hua ndërmjet KfW Frankfurt am Main dhe Republikës së Kosovës për përmirësimin e rrjetit të transmisionit, faza e shtatë.
Miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme e ka marrë edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike. Në kuadër të këtyre plotësimeve dhe ndryshimeve në Ligj, parashihet qartësimi i dispozitave, me theks të veçantë në kontrollin e financimit të subjekteve politike, auditimi i raporteve financiare dhe publikimi i tyre, si dhe përcaktimi i dispozitave ndëshkuese për subjektet politike që nuk i zbatojnë kërkesat ligjore.
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Rregulloren për të drejtën e kompensimit të veçantë dhe reprografik. Rregullorja përcakton tarifën e kompensimit të veçantë, e cila duhet të paguhet me rastin e shitjes së parë apo importimit të bartësve të mediumeve të zbrazëta audiovizuele dhe tarifën e kompensimit të veçantë për shitjen apo importimin e parë të aparateve të reja për fotokopje dhe skanim.
Kabineti qeveritar ka miratuar Rregulloren për ndryshim dhe plotësim e Rregullores për ndërmjetësimin e kontesteve në fushën e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Rregullorja trajton çështjen e fillimit të procedurës së ndërmjetësimit në konteste të përcaktimit të tarifave të përgjithshme për shfrytëzimin e materialit të mbrojtur me të drejtën e autorit dhe çështjen e propozimit të ndërmjetësuesit në këto konteste. Rregullorja përcakton edhe kohëzgjatjen e procedurës së ndërmjetësimit të kontesteve në lidhje me përcaktimin e tarifave të përgjithshme.
Në mbledhjen e sotme janë miratuar edhe vendimet përfundimtare të shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i Projektit të zgjerimit të rrugës nacionale, hyrja në Qytetin e Prizrenit, zona kadastrale Dushanovë, Atmaxhë dhe Landovicë në komunën e Prizrenit; pronat të cilat preken nga realizimi i projektit për rehabilitimin e rrugës Kllokot-Gjilan; dhe pronat të cilat preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.
Qeveria ka miratuar edhe dy vendime preliminare të shpronësimit të pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi i Memorialit “Baza e parë e UÇK-së” dhe “Kulla e Zahir Pajazitit”; si dhe objektit të ish-“Gjykata Themelore në Prishtinë”, për nevoja të akomodimit të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Me propozimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është miratuar vendimi për themelimin e Këshillit për pronësi intelektuale, si organ këshillëdhënës në fushën e të drejtave të pronës intelektuale, i cili do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Veprimtaria dhe organizimi i Këshillit do të përcaktohet me statusin që do të aprovohet nga Këshilli Shtetëror për Pronësi Intelektuale.
Miratimin nga Qeveria e ka marrë edhe inicimi për fillimin e negociatave të Marrëveshjes për “Mbrojtje dhe Promovim të Investimeve” në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë. Ndërsa, në parim është miratuar edhe nisma për Marrëveshje në fushën e arsimit për njohje reciproke të kualifikimeve në: Doktor i mjekësisë, dentist, arkitekt dhe inxhinier i ndërtimtarisë mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Edhe nisma në parim për marrëveshjen për heqjen e vizave në mes të Republikës së Kosovës dhe Antigua dhe Barbuda, është miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Koncept dokumentin për tubimet publike. Dokumenti kontribuon në forcimin e prioritetit strategjik për qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit në vendin tonë dhe ka për objektivë ruajtjen e sigurisë dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Kabineti Qeveritar ka aprovuar kërkesën e Komunës së Deçanit për ndarjen e mjeteve financiare për nevojën e kompensimit të pronave private dhe objekteve që preken nga realizimi i projektit rregullues në qendër të qytetit të Deçanit.
Kabineti Qeveritar është informuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane për ecurinë e realizimit të projekteve të Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA).
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar kabinetin qeveritar me gjendjen aktuale të punësimit të personave me aftësi të kufizuara. Ai ka kërkuar nga Ministria e Administratës Publike që të krijojë mekanizma për zgjidhje afirmative në punësimin e kësaj kategorie të margjinalizuar sociale.
Ministri i Administratës Publike ka propozuar krijimin e një Grupi punues për përgatitjen e një dokumenti propozues për zgjidhjen e çështjes së akomodimit të institucioneve publike të Republikës së Kosovës. Kabineti qeveritar ka miratuar propozimin e ministrit Mahir Yagcilar.