Prishtinë, 31 tetor 2009
Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 91-të, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi ka diskutuar Projektin e Buxhetit për vitin 2010 dhe më pas njëzëri ka miratuar atë.
“Buxheti i Kosovës, i planifikuar për vitin e ardhshëm kap shumën 1 miliard e 461 milionë euro, që shënon një rritje prej rreth 6% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar”, tha z. Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi fillimisht ka përshëndetur të gjitha ministritë dhe të gjithë ekspertët që kanë marrë pjesë në procesin e hartimit të kornizave buxhetore për vitin 2010.
“Planifikimi i buxhetit është bërë në përputhje të plotë me prioritetet e përcaktuara nga Qeveria, që për synim kanë mbështetjen e politikave zhvillimore. Më saktësisht, struktura e Buxhetit respekton prioritetet kyçe të kësaj Qeverie, që janë: rritja ekonomike, zhvillimi dhe fuqizimi i kapaciteteve institucionale, qeverisja e mirë dhe stabiliteti social”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi më tutje ka pohuar se është inkurajues fakti, që edhe përkundër prezencës së krizës ekonomike botërore, ne presim që ekonomia jonë gjatë viti 2010 të shënojë rritje prej mbi 4 për qind. Padyshim se ky paraqet një sukses të konsiderueshëm për Qeverinë e Kosovës, theksoi z . Thaçi.
Sipas kryeministrit Thaçi në përgatitjen e këtij Projekt-buxheti, Qeveria e Kosovës është konsultuar dhe ka marrë mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë këtu Fondin Monetar Ndërkombëtarë (FMN), Bankën Botërore (BB) si dhe Komisionin Evropian (KE).
Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala duke arsyetuar para kabinetit qeveritar Projektin e Buxhetit për vitin 2010, ka thënë se Qeveria do të vazhdojë të investoj në masë të madhe në zhvillimin e sektorit të transportit, sektorit të energjisë, arsimit, shëndetësisë e të tjera. Do tu ofrohet mbështetje familjeve të personave të humbur si dhe për të ngritur mbështetjen për invalidët e luftës.
“Qeveria vazhdon të financoj themelimin e institucioneve të reja të Republikës. Ky buxhet në mes tjerash përfshinë financimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Agjencionit Kosovar të Inteligjencës, si dhe ndërtimin e ambasadave të reja”, tha ministri Ahmet Shala, duke shtuar se ky Projekt buxhet, jo vetëm që mundëson realizimin e projekteve të planifikuara, por gjithashtu hap perspektiva dhe mundësi të reja financimi për projekte edhe më ambicioze në të ardhmen.
Në mbledhje, kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin e tij lidhur me vizitën e nesërme në Kosovë, të ish Presidentit të SHBA-ve Bill Klinton.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet e Kosovës, kanë bërë të gjitha përgatitjet për pritjen e ish Presidentit të SHBA-ve Bill Klinton”, theksoi z. Thaçi, duke shtuar se kontributi i Klinton dhe i të gjitha qeverive të SHBA-ve është i jashtëzakonshëm për Kosovën dhe se miqësia e popullit kosovar me popullin amerikan është e përjetshme.
Ish-presidenti Klinton do të marrë pjesë nesër në inaugurimin e shtatores së tij në sheshin “Bill Klinton”. Gjatë kësaj vizite Klinton do t’i drejtohet me një fjalë rasti Kuvendit të Kosovës dhe do të ketë takim të përbashkët me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Last modified: 31 Tetor, 2009