Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon sulmin ndaj qytetarëve të kthyer në fshatin Zallq të Burimit

21 Prill, 2010

Prishtinë, 21 prill 2010

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon fuqishëm sulmin ndaj qytetarëve të kthyer, që ndodhi në mesnatën mes 20 dhe 21 prillit në fshatin Zallq të Burimit (Istogut).

Republika e Kosovës është shtet demokratik, që përbëhet nga komunitete të ndryshme etnike. Në këtë kuadër, duke pasur një prej prioriteteve të saj respektimin afirmativ të të drejtave të të gjitha komuniteteve, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për të mbështetur kthimin e personave të shpërngulur në pronat dhe shtëpitë e tyre në Kosovë.

Sulmi me gurë ndaj qytetarëve të kthyer, që ndodhi në Zallq, është një akt qyqar, i patolerueshëm dhe i dënueshëm nga të gjithë qytetarët e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës u bën thirrje autoriteteve komunale që menjëherë të marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë e të kthyerve. Në të njëjtën kohë u bëjmë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet që aktorët e këtij sulmi të nxirren para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Qeveria është e përkushtuar fuqishëm për të mbështetur procesin e rikthimit të qëndrueshëm dhe në këtë drejtim do të investojë 100 mijë euro për kthimin e qytetarëve në Zallq.

Last modified: 21 Prill, 2010

Comments are closed.