Zyra e Kryeministrit

Publikohet raporti i Dialogut Kombëtar për Rini

12 Gusht, 2022

Prishtinë, 12 gusht 2022

Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës mori pjesë në ceremoninë e publikimit të raportit të Dialogut Kombëtar të Rinisë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Komunikimi i drejtpërdrejtë me të rinjtë është posaçërisht i rëndësishëm, sepse përveç që formëson vendimet që marrim, njëkohësisht formon edhe të ardhmen, të cilën të rinjtë e trashëgojnë, tha në fjalën e tij Kryeministri Kurti.

Me këtë qëllim, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit gjatë vitit 2021 ka realizuar dialogun e gjerë ndërmjet të rinjve dhe hisedarëve të sektorit të rinisë për të indentifikuar më mirë arritshmëritë, sfidat dhe nevojat e rinisë, në procesin që është emërtuar Dialogu Kombëtar për Rini.

Me anë të Dialogut Kombëtar për Rini, synohet që të njoftohen më mirë të gjitha institucionet qeveritare, komunale, partnerët ndërkombëtarë e shoqëria civile, lidhur me nevojat dhe sfidat e rinisë, me qëllim të përmirësimit të procesit të hartimit të politikave, por edhe të programeve e projekteve për mbështetjen e të rinjve, si dhe zhvillimit personal dhe profesional të tyre.

Kryeministri Kurti theksoi se si zbatues të politikave jemi të fokusuar të zhvillojmë plane e programe më të mira për t’u ofruar të rinjve mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për ta, në të tashmen por edhe për të ardhmen e tyre e të vendit tonë.

Mes nismave të Qeverisë për mbështetjen e të rinjve, kryeministri veçoi skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë, si dhe mbështetjen e projekteve të organizatave rinore në fushën e arsimit, kulturës-artit, sportit dhe ndërmarrësisë në vlerë mbi 490.000 euro. Ai theksoi edhe thirrjen për projekte rinore, publikuar së fundmi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për shumën e gjithmbarshme prej 600 mijë eurosh.

Ai përmendi ndarjen e 3.5 milionë euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional, 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe djemve për të ndjekur profile deficitare, si dhe rreth 1000 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit.

Kryeministri foli për projektet që po vazhdojnë për ndërtimin e qendrave të reja rinore, në Ferizaj, Deçan, Gjakovë, e Podujevë, ku të rinjtë mund të studiojnë dhe organizojnë aktivitete. Po ashtu, nënshkrimin e marrëveshjeve me 7 komuna për themelimin e qendrave të karrierës me bazë në shkolla profesionale.

Aktualisht jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes së draftit të koncept dokumentit për të rinjtë, që synon pjesëmarrjen më aktive të të rinjve në mekanizmat vendimmarrës, tha kryeministri.

Ai theksoi se qëllimi i raportit të sotëm, është të ofrojë rekomandime për fushat me prioritet për zhvillimin dhe fuqizimin e të rinjve,
si dhe për bashkërendim më të mirë të hisedarëve, në përbërje të krijimit të sinergjive të nevojshme për avancimin e rinisë.

Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të nivelin qendror dhe lokal, përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të organizatave rinore, krahas publikimit të raportit, me këtë ceremoni u bë edhe hapja e Muajit të Rinisë, që do të zgjasë deri më 31 gusht, me shumë aktivitete të organizuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit anëmbanë Kosovës.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuar Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku
Të nderuar zëvendësministra, Linda Çavdarbasha, Getoar Mjeku, Liza Gashi, Daulina Osmani, Agon Dobruna,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Agon Batusha, Ardian Gola, njëherazi edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport,
Të nderuar këshilltarë, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të rinj,

Është kënaqësi që jemi këtu bashkë përfaqësues të shoqërisë civile, pastaj, jemi bërë bashkë edhe me drejtorë të komunave anembanë Kosovës, në mënyrë që të adresohen këtu çështjet në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, të cilat kanë të bëjnë me rininë por kanë të bëjnë mbi të gjitha me gjithë shtetin dhe popullsinë.

Në këtë ditë ne festojmë të arriturat e rinisë sonë, por njëkohësisht edhe shprehim mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e rinisë në shoqëri. Rinia tek ne është e veçantë për shkak se është masive. Mosha mesatare në Kosovë është mbi 30 vjeç e i kemi 2/3 nën 35 vjeç.

Andaj, edhe në fund të vitit të kaluar si Qeveri e Republikës së Kosovës kemi ndërmarrë nismën për fillimin e Dialogut Kombëtar për Rininë, se kjo është një nismë, e cila e përfshinë shumicën e popullsisë, pra të flasësh për rininë dhe të flasësh për demokracinë janë dy gjëra të ndryshme, dhe kjo nismë është realizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sikurse edhe me nisma të tjera, edhe me këtë dialog me të rinjtë, duam të theksojmë se angazhimi i të rinjve, qoftë në nivel të lagjes së qytetit apo fshatit në cilëndo komunë, por edhe në nivel vendi, ndikon drejtpërdrejt në politika më të mira për të rinjtë.

Komunikimi ynë i drejtpërdrejtë me të rinjtë është posaçërisht i rëndësishëm, sepse përveç që formëson vendimet që marrim ne, njëkohësisht formon edhe të ardhmen, të cilën të rinjtë e trashëgojnë.

Me anë të Dialogut Kombëtar për Rini, synohet që të njoftohen më mirë të gjitha institucionet qeveritare, komunale, partnerët ndërkombëtarë e shoqëria civile, lidhur me nevojat dhe sfidat e rinisë, me qëllim të përmirësimit të procesit të hartimit të politikave, por edhe të programeve e projekteve për mbështetjen e të rinjve, si dhe zhvillimit personal dhe profesional të tyre.

Mundësitë për të rinjtë tanë në Kosovë çdo ditë e më shumë janë duke u rritur, në mënyrë që ata të jenë sa më shumë e sa më shpejtë pjesë aktive e zhvillimeve dhe e ndryshimeve. Edhe nëpërmjet nismave dhe programeve rajonale, si për shembull Zyra Rajonale për Bashkëpunim të Rinisë, pastaj Laboratorit të Rinisë për Ballkanin Perëndimor në RCC, si dhe nga ky vit organizatat dhe të rinjtë e Kosovës do të kenë po ashtu mundësinë për partneritete dhe fonde që ofrohen nga programi Erasmus + i financuar nga Bashkimi Evropian.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Arsimi është shtylla bazë mbi të cilën zhvillohen të gjitha fushat e tjera të shtetit dhe shoqërisë. Qeveria jonë po punon me një qasje shumëdimensionale për ta forcuar arsimin në vend, pasi edukimi cilësor është thelbësor në vetvete, por edhe faktor kryesor në zhvillimin e shoqërisë. Andaj, edhe kemi rritur buxhetin për arsim për 12%.

Nga viti akademik 2021/2022, arsimin e lartë publik e kemi bërë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelet Bachelor dhe Master. Kush do të studiojë duhet ta ketë të drejtë studimin, për plot prirje, kërkesë apo nevojë të tij jetësore.

Ndërsa për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit kemi ndarë mbi 3.000 bursa.

Për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, në vitin akademik 2021/2022, ne kemi ndarë 1365 bursa universitare në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, apo siç njihet ndryshe STEM. Po vazhdojmë të punojmë për të avancuar vajzat dhe gratë në shkencë, teknologji dhe inovacion, për të mbyllur hendekun ekzistues gjinor në profesione.

Në përgjithësi vajzat janë studente më të mira se djemtë, mirëpo kur mbarojnë studimet te ne, marrin një diplomë, gjejnë një vend pune, atëherë ka dallim të kundërt me pagë, pra nuk ka asgjë gjinore te studimi i shkencave natyrore ndër gjini. Sikurse djemtë, njësoj edhe vajzat, studimet tregojnë mbase edhe më mirë e më shumë, mund t’i përfundojnë ato studime e t’i zhvillojnë pastaj në profesione.
Inicimi i arsimit dual është prioritet për qeverinë tonë, pasi mbanë çelësin e rpocesit dhe progresit teknologjik, në zhvillimin e cilitdo shtet, jo vetëm tonit e sidomos në shtimin e vendeve të punës dhe zbutjen e pabarazisë. Prandaj, nga viti shkollor 2022/2023 do të fillojmë me ofrimin e arsimit dual në tri profile, si hap i parë. Nuk është një akt, është proces, por që ky proces të ketë progres, ne e kemi të domosdoshme ta urëzojmë hendekun e shkathtësive midis tregut të punës dhe arsimimit profesional.

Kemi ndarë 3.5 milionë euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional, 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe djemve për të ndjekur profile deficitare, si dhe rreth 1000 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit.

Aktualisht në Kosovë i kemi 650 kompani në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të Komunikimit, 10 për qind janë në pronësi të huaj, 21 për qind janë pronësi e përzier, 70 për qind të këtyre bëjnë eksporte, 61 për qind të produkteve janë për eksport, 20 mijë profesionistë dhe profesioniste janë të kyçur aktualisht, me ç ‘rast 2 mijë studentë janë duke i përfunduar studimet në teknologjinë e informacionit dhe drejtimet e shkencave kompjuterike dhe të ngjashme, por janë edhe 2 mijë të tjerë në programe të ndryshme, përfshirë ato qeveritare, që po trajnohen e po aftësohen.

Përderisa po jetësojmë skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, janë mbështetur projekte të organizatave rinore në fushën e arsimit, kulturës-artit, sportit dhe ndërmarrësisë në vlerë mbi 490.000 euro. E së fundmi, për të mbështetur projekte rinore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë thirrje publike për shumën e gjithmbarshme prej 600 mijë eurosh.

Po vazhdojnë projektet e ndërtimit të qendrave të reja rinore, siç e shpjegoi edhe Donika, në Ferizaj, Deçan, Gjakovë, e Podujevë, ku të rinjtë mund të studiojnë dhe organizojnë aktivitete.

Kemi nënshkruar marrëveshje me 7 komuna për themelimin e qendrave të karrierës me bazë në shkolla profesionale.

Aktualisht jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes së draftit të koncept dokumentit për të rinjtë, që synon pjesëmarrjen më aktive të të rinjve në mekanizmat vendimmarrës.

Pra, nuk është vetëm vendi i punës por edhe aktiviteti, sepse shanset e humbura dhe nganjëherë dobësimet e karaktereve të të gjithë njerëzve, por sidomos të rinisë nuk vijnë thjesht nga papunësia por nga pasiguria. Sepse, ne e dimë nga jeta jonë institucionale bashkë me ministrin dhe të tjerët që është e mundshme të jesh edhe i punësuar edhe pasiv, po ashtu siç është edhe e mundshme të jesh edhe i papunë dhe aktiv. E neve na duhen të dyja. Na duhet edhe punësimi edhe aktiviteti. E besoj që rinia është kategoria shoqërore më e dobishmja për ta dhënë shembullin e aktivitetit në shoqëri.

Qëllimi i raportit të sotëm, është të ofrojë rekomandime për fushat me prioritet për zhvillimin dhe fuqizimin e të rinjve, si dhe për bashkërendim më të mirë të hisedarëve, në përbërje të krijimit të sinergjive të nevojshme për avancimin e rinisë.

Si zbatues të politikave jemi të fokusuar të zhvillojmë plane e programe më të mira për t’u ofruar të rinjve mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për ta, në të tashmen por edhe për të ardhmen e tyre e të vendit tonë.

Rinia e sotme është një brez i rritur në kohë sfidash të mëdha, kur vendi ynë kaloi faza të vështira të shtet ndërtimit dhe të një shoqërie demokratike në liri e në barazi. Por është edhe brezi i lirisë.
Rinia tani ka lirinë për të ndërtuar një të ardhme siç e dëshiron, me mbështetjen e pakusht të Qeverisë e të institucioneve. Duke investuar në rini, ne thjesht investojmë në ardhmëri dhe besojmë që shumëfish ky investim do t’i kthehet vetë brezit të ri aktual por edhe atyre të cilët janë fëmijë tani po më shpejt se sa që ne besojmë do të bëhen të rinj po ashtu.

Andaj me këtë po e përfundoj duka ua uruar dhe duke u thënë gëzuar Dita e Rinisë!

Dhe shpresoj të takohemi edhe në aktivitetet që do të organizojmë përgjatë Muajit të rinisë.

Ju faleminderit.

 

Last modified: 12 Gusht, 2022

Comments are closed.

×