Zyra e Kryeministrit

Prof. Dr. Rifat Latifi u emërua Ministër i Shëndetësisë

16 Nëntor, 2021

Prishtinë, 16 nëntor 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka emëruar Prof. Dr. Rifat Latifi, Ministër të Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Emërimi i tij u bë i ditur në një konferencë të përbashkët për shtyp të kryeministrit Kurti dhe Prof. Dr. Rifat Latifit.

Gjatë prezantimit të ministrit të ri, kryeministri Kurti vlerësoi përvojën e tij akademike dhe profesionale, përfshirë qendra spitalore dhe universitete me emër në ShBA. Ai theksoi punën e vazhdueshme të Prof. Dr. Latifi për promovimin e shëndetësisë në Kosovë dhe në themelimin e telemedicinës në Kosovë dhe Shqipëri.

Ndërkaq, ministri i sapoemëruar i Shëndetësisë, falënderoi kryeministrin Kurti për, siç tha ai, nderin e madh dhe besimin për këtë detyrë me përgjegjësi të jashtëzakonshme. Ai u zotua që bashkë me ekipin e tij do të angazhohen që në mënyrë afatgjate të ngrisin standardet mjekësore në Kosovë.

Dr. Rifat Latifi është i lindur në Kllodernicë të Skenderajt. Ka studiuar në mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe pastaj ka përfunduar dy specializime, atë për kirurgji të përgjithshme dhe traumatologji e reanimacion në Kleveland dhe Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përvoja e tij akademike dhe profesionale, përfshinë qendra spitalore dhe universitete me emër në disa shtete federale të ShBA-së.

Për momentin, Dr. Latifi punon si profesor dhe drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Kolegjin e Mjekësisë së Nju Jorkut, drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Qendrën Mjekësore të Westchenster-it, Spitalin për fëmijë të “Maria Farerit” dhe spitalit regjional të Mid Hjuston.

Dr. Latifi është shumë i angazhuar edhe në fushën e telemedicinës ndërkombëtare, përmes së cilës edhe ndihmon në rindërtimin e shërbimit shëndetësor në vendet e dala nga konfliktet apo vendet në zhvillim.

Ka punuar në vazhdimësi për promovimin e shëndetësisë në Kosovë dhe në themelimin e telemedicinës, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.

Për angazhimin e tij, është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare. Është autor dhe bashkautor i mbi 350 punimeve shkencore apo kapitujve të librave shkencorë dhe shërben si anëtar i bordit editorial të disa magazinave shkencore.

Prof. Dr. Rifat Latifi është kryetar dhe themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.

Last modified: 16 Nëntor, 2021

Comments are closed.

×