Zyra e Kryeministrit

Nën organizimin e Zyrës së Kryeministrit, u mbajt mbledhja komemorative në nderim të Faik Rexhepit

25 Shkurt, 2025

 

Prishtinë, 25 shkurt 2025

Nën organizimin e Zyrës së Kryeministrit, sot u mbajt mbledhja komemorative në nderim të të ndjerit Faik Rexhepit, i njohur si simbol i rezistencës kundër regjimit serb në protestat e vitit 1990 në Prishtinë, i cili vdiq më 23 shkurt 2025.

Në fjalën e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u shpreh se në kronologjinë e pashkëputur të ngjarjeve të përditshme, janë të rralla rastet dhe aq të pakët njerëzit që arrijnë të ngritën nga rëndomësia dhe të bëhen simbol të ngjarjeve të veçanta politike të kohës së tyre.

“Mes mijëra njerëzve që po ndiqeshin nga policia, një burrë, Faik Rexhepi, qëndroi i ulur mu në mes të rrugës, i ulur këmbëkryq dhe me dorën nën mjekër, në një pozicion qëndrimi stoik”, përshkroi kryeministri Kurti, duke treguar historinë e 29 gushtit të vitit 1990, kur në vizitë në Prishtinë kishte qenë një delegacion prej shtatë senatorësh amerikanë, të prirë nga Robert Joseph Dole, dhe rreth 10,000 njerëz ishin mbledhur në Prishtinë t’ua bënin me dije senatorëve amerikanë që ata ishin aq të mirëpritur në Kosovën, ku shqiptarët ishin të shtypur, të nënpërfaqësuar dhe të diskriminuar nën regjimin serb.

Përmes imazhit të burrit që nuk luan vendi para dhunës së policisë serbe, Faik Rexhepi mbiu në shesh të Republikës edhe imazhin e Odës shqiptare, tha kryeministri.

“Faik Rexhepi punëtor dhe patriot, nga Presheva në Prishtinë, Faik Rexhepi është njeriu ynë që nuk ik, njeriu ynë që qëndron. E ata që nuk ikin, ata që qëndrojnë, edhe po qofshin vetëm një individ, bëhen një popull i tërë që qëndron dhe fiton. E ajo ditë të ne erdhi 9 vjet pas në qershor të 1999-ës”, u shpreh tutje ai.

32 vjet pas protestës me figurën qendrore të Faik Rexhepit, ai u u monumentalizua në një skulpturë publike në mes të Prishtinës më 28 nëntor 2022, nga artistja Eliza Shala. Gjatë fjalës, kryeministri Kurti shprehu se Faik Rexhepin e njohim me emër dhe me veprën e tij, me dashamirësinë e tij për njerëzit, për punën, për popullin, për kombin tonë.

“Faik Rexhepi do të mbetet i përjetësuar në sheshin qendror të Prishtinës, tashmë edhe Republikë demokratike pa okupatorët serbë siç ka ngelur i përjetësuar edhe në kujtesën tonë, të familjeve, të shoqërisë e të mbarë shqiptarëve jo vetëm në Kosovë”, përmbylli ai.

Në këtë mbledhje komemorative së bashku me kryeministrin Kurti ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilija Rexhepi, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetë të Kuvendit, si dhe familjarë, miq e bashkëpunëtorë të Faik Rexhepit.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara zonja Hyrije, bashkëshorte e Faik Rexhepit,
Të nderuar Visar, Elvis, Albana dhe Vlora, fëmijë të Faik Rexhepit,
Të nderuar familjarë,
I nderuar z. Dibran Gashi, bashkëpunëtor dhe mik i Faik Rexhepit.
Të nderuar kolegë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministre Rexhepi, ministrat Maqedonci, Hajdari, Aliu dhe Haxhiu,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Veprimtarë të çështjes kombëtare, ish të burgosur politikë,
Të nderuar të pranishëm, të pikëlluar prej humbjes që patëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,

Në kronologjinë e pashkëputur të ngjarjeve të përditshme, janë fort të rralla rastet dhe aq të pakët njerëzit që arrijnë të ngritën nga rëndomësia dhe të bëhen simbol të ngjarjeve të veçanta politike të kohës së tyre. Një nga këto raste dhe një nga këta njerëz, është ai i Faik Rexhepit, për të cilin jemi mbledhur ta kujtojmë sot, një ditë pasi që u varros dhe ndahemi fizikisht, vetëm fizikisht prej tij.

Më 29 gusht të vitit 1990, kishte ardhur në vizitë në Prishtinë një delegacion prej shtatë senatorësh amerikanë, të prirë nga Robert Joseph Dole. Teksa ata po mbanin një takim me elitën politike kosovare të kohës, rreth 10,000 njerëz ishin mbledhur në Prishtinë para Hotelit Grand, ku po mbahej ai takim. Me grumbullimin e tyre, ata mijëra njerëz donin t’ua bënin me dije senatorëve amerikanë që ata ishin aq të mirëpritur në Kosovën tonë të dashur, ku shqiptarët ishin të shtypur, të nënpërfaqësuar dhe të diskriminuar nën regjimin serb. Pra ishte ajo koha kur nuk më pak se dy muaj na ndanin nga shpallja e Republikës përmes deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, ndërkaq në anën tjetër ishin bërë gati 1 vjet e gjysmë prej se ishte suprimuar autonomia dhe okupimi i Jugosllavisë e i Serbisë ishte bërë edhe aparteid në Republikën e Kosovës asokohe e okupuar por gjithnjë dëshirë e vullnet i popullit shqiptar.

E ndërkohë që delegacioni me senatorët amerikanë po informoheshin për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të drejtave politike e kombëtare nga regjimi serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, policia serbe mësyu ndaj grumbullit të njerëzve për t’i shpërndarë ata me dhunë. Mes mijëra njerëzve që po ndiqeshin nga policia, një burrë, Faik Rexhepi, qëndroi i ulur mu në mes të rrugës, i ulur këmbëkryq dhe me dorën nën mjekër, në një pozicion qëndrimi stoik. Përveç xhirimeve të kohës, Faik Rexhepi u fiksua në një fotografi ikonike, në një imazh emblematik nga fotoreporterit Hazir Reka. Dhe meqë kishte më pak se dy muaj që kishim deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990, sheshet tona ishin sheshe të Republikës paçka se e okupuar dhe me atë moment të Faik Rexhepit i cili qëndron aty në shesh të Republikës disi duket thua se imazhi i Odës shqiptare mbinë në shesh të Republikës sepse qëndrimi i Faik Rexhepit është pikërisht qëndrimi i dikujt në odën shqiptare ashtu qëndrojmë ne këmbëkryq kur shkojmë nëpër oda nëpër qytetet e fshatrat tona e kuvendojmë me njëri-tjetrin. Na ishte suprimuar autonomia, nuk mund të mblidhej parlamenti, Republika ishte shpallur dhe në shesh të Republikës të Kosovës së okupuar, mbinë oda shqiptare me këtë emrin e përveçëm, Faik Rexhepit.

Të nesërmen më 30 gusht, në një artikull me titull “Shtypet apo thyhet protesta shqiptare në Jugosllavi” (“Albanian protest broken up in Yugoslavia”), gazeta The New York Times, shkruante po citoj: “Policët specialë përdorën shkopinj dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë mijëra shqiptarë etnikë që prisnin një delegacion të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, për t’u ankuar për shkeljet e të drejtave të njeriut. Rreth 10,000 njerëz, duke brohoritur “Liri, liri” dhe “USA, USA” u mblodhën para një hoteli, ku delegacioni prej shtatë senatorësh republikanë pritej të zhvillonte bisedime me liderët e shumicës shqiptare në Kosovë, një provincë jugore e Jugosllavisë.”

Faik Rexhepi punëtor dhe patriot, nga Presheva në Prishtinë, Faik Rexhepi është njeriu ynë që nuk ik, njeriu ynë që qëndron. E ata që nuk ikin, ata që qëndrojnë, edhe po qofshin vetëm një individ, bëhen një popull i tërë që qëndron dhe fiton. E ajo ditë të ne erdhi 9 vjet pas në qershor të 1999-ës.

E 32 vjet pas asaj proteste me figurën qendrore të Faik Rexhepit , ndërkohë që Kosova ishte çliruar dhe pavarësuar, më 28 nëntor 2022, Faik Rexhepi në imazhin e tij qëndrestar, u monumentalizua në një skulpturë publike në mes të Prishtinës, nga artistja e re Eliza Shala. Mbase imazhi i atij burri që nuk luan vendi para dhunës së policisë serbe, mund të krahasohet me të famshmin e të mirënjohurin Njeriun Tenk (Tenk Man), burri që më 5 qershor 1989, qëndroi i paepur para tankeve të regjimit kinez që po i shtypte protestat studentore në sheshin Tiananmen në Peking të Kinës. Por ndryshe prej atij që ka ngelur edhe sot e asaj dite i panjohur, si një anonim në histori, Faik Rexhepin e njohim me emër dhe me veprën e tij, me dashamirësinë e tij për njerëzit, për punën, për popullin, për kombin tonë. Faik Rexhepi do të mbetet i përjetësuar në sheshin qendror të Prishtinës, tashmë edhe Republikë demokratike pa okupatorët serbë siç ka ngelur i përjetësuar edhe në kujtesën tonë, të familjeve, të shoqërisë e të mbarë shqiptarëve jo vetëm në Kosovë.

U kujtoftë dhe u nderoftë gjithmonë!

Ju falemnderit.

 

Last modified: 25 Shkurt, 2025

Comments are closed.