Zyra e Kryeministrit

Në javën që shënon fuqizimin e grave të reja në Inxhinieri, Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të 50 vajzave të programit “EngineeringHER Future”

16 Shtator, 2023

Prishtinë, 16 shtator 2023

Pas takimit të djeshëm produktiv me “STEM Ambassadors”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe këshilltarin e tij për Teknologji të Informacionit, Lulëzon Jagxhiu, ishte i pranishëm në ceremoninë e certifikimit të “EngineeringHER Future”, ngjarje kjo e cila edhe shënon javën e fuqizimit të grave të reja në Inxhinieri.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti cilësoi se duke u dhënë vajzave shansin për të kontribuar në STEM, ne hapim mundësi të reja për to dhe për mbarë shoqërinë.

“Sot jemi bashkë në këtë ditë të veçantë për këto 50 vajza, që nga ky projekt i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë përfituar aftësi dhe njohuri të nevojshme për hapjen e klubeve rinore të inxhinierisë në komunitetet dhe në shkollat e tyre”, u shpreh kryeministri.

Si rrjedhojë edhe e kemi futur si politikë të re qeveritare për vajzat dhe gratë në STEM, vazhdoi kryeministri, duke njoftuar se në vitin 2022 dyfishuam buxhetin për këto bursa në 2 milionë euro, derisa gjatë këtij mandati kemi dhënë gjithsej 3,978 bursa për studime në fushat STEM brenda dhe jashtë vendit.

Paralelisht, në prill të këtij viti edhe është mbajtur konferenca e parë kombëtare për gra dhe vajza në STEM, STEMinists, organizuar nën patronatin e Kryeministrisë ku janë krijuar edhe kushtet për rrjetëzimin e vajzave dhe grave në këto fusha si dhe për mundësitë për zhvillim profesional.

Në këtë ceremoni ku krahas vajzave, të pranishëm ishin edhe prindër e ekipet e projektit, mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave të tyre, kryeministri theksoi se kjo është një tregues i fuqisë së bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët, me qëllim që të gjithë të sigurojmë progres më të madh arsimor, shoqëror dhe ekonomik të Kosovës.

Fuqizimi i vajzave të Republikës së Kosovës në Inxhinieri është synimi parësor i projektit “EngineeringHER Future”, i cili është një nga projektet fituese të thirrjes publike në fushën e rinisë 2023 për individë, e hapur dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë, dhe Sportit.

Të premten, Kryeministri Kurti, i kishte mirëpritur në ndërtesën e Qeverisë rrjetin “STEM Ambassadors”, të rinj e të reja nga Kosova e Diaspora, të dalluar në fushat STEM.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Edhe dy javë bëhen fiks 30 vjet prej se unë dhe Lulzon Jagxhiu, që është bashkë me mua, këtu filluam studimet në Fakultetin e Elektroteknikës, dega Kompjuterikë me Telekomunikacion siç quhej atëherë e sot i thonë FIEK, pra Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterikes. Pra fiks 30 vjet në 1 tetorin sivjet prej se ne patëm filluar studimet me një rrugëtim që po e ndjekin një numër i konsiderueshëm i të rejave dhe të rinjve sot. Nga gjimnazi matematikor, pra nga matematika në gjimnaz, në kompjuterikë, në telekomunikacion, në elektronikë automatike e kështu më radhë.

I nderuari zëvendësministër Durmishi,

Të nderuar anëtarë të ekipit të projektit ‘’Engineering Her Future”

E nderuara znj.Erblina Bunjaku, Menaxhere e Projektit,

Të nderuar mësimdhënës e drejtorë të shkollave,

Të nderuar prindër të pranishëm,

Të dashur vullnetarë, ambasadorë të STEM,

Të dashura STEMiniste,

Është kënaqësi që pas takimit të djeshëm në Kryeministri, po ritakohemi sot në këtë ceremoni e cila e shënon zbatimin e suksesshëm të pjesës së parë të “EngineeringHER Future”. Jam i lumtur teksa shoh finalizimin e kësaj faze të projektit për zhvillimin e shkathtësive të vajzave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

Duke u dhënë vajzave shansin për të kontribuar në STEM, ne hapim mundësi të reja për to dhe për mbarë shoqërinë. Duke e rritur diversitetin në këto fusha, ne mund të nxisim inovacionin dhe kreativitetin.

Prandaj edhe e kemi futur si politikë të re qeveritare për vajzat dhe gratë në STEM e në vitin 2022 e dyfishuam buxhetin për këto bursa në 2 milionë euro. Kemi ofruar mbi 1,300 bursa për fushat STEM në vitin akademik 2021-2022, dhe mbi 1,600 bursa për fushat STEM në vitin akademik 2022-2023. Si asnjëherë më parë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka intensifikuar mbështetjen për vajzat në STEM me 1,382 bursa në vitin 2022.

Gjatë këtij mandati kemi dhënë gjithsej 3,978 bursa për studime në fushat STEM brenda dhe jashtë vendit.

Në saje të këtyre masave stimuluese, por edhe sektorit shumë të zhvilluar të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, i kemi rreth 1500 kompani në Kosovë që janë të suksesshme dhe të cilat kanë bërë që bilanci tregtar në këtë sektor të jetë pozitiv në Republikën tonë.

Pjesëmarrja e vajzave në studime në fushat STEM në Universitetin e Prishtinës, është në masën 50%, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian, është 17% Pra, përafërsisht raporti një me tre në aspektin relativ, pra varësisht se sa është përmasa e shtetit. 50% në Universitetin e Prishtinës janë vajza në fushat STEM, në Bashkimin Evropian, ku edhe ata po përpiqen që ta rrisin këtë përqindje, janë 17%.

Në prill të këtij viti, Zyra e Kryeministrit dhe MAShTI-i, ka mbajtur bashkë konferencën e parë kombëtare për gra dhe vajza në STEM, të quajtur STEMinist, pra prej feminist, STEMinist, për rrjetëzimin e vajzave dhe grave në këto fusha, si dhe mundësitë për zhvillimin profesional.

Sot jemi bashkë në këtë ditë të veçantë për këto 50 vajza, që nga ky projekt i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë përfituar aftësi dhe njohuri të nevojshme për hapjen e klubeve rinore të inxhinierisë në komunitetet dhe në shkollat e tyre.

Në këtë ngjarje krahas vajzave, ju kemi edhe juve prindër të nderuar, por edhe ekipin e projektit dhe mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave të tyre.

Ky është një tregues i fuqisë së bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët, me qëllim që të gjithë të sigurojmë progres më të madh arsimor, shoqëror dhe ekonomik të Kosovës.

Ju faleminderit dhe suksese të mëtejme në programin ‘EngineeringHER Future’.

Last modified: 16 Shtator, 2023

Comments are closed.

×