Zyra e Kryeministrit

Mesazhi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 103 vjetorit të fillimit të punimeve të Kongresit të Manastirit, më 14 nëntor 1908

14 Nëntor, 2011

Në tekstin e mesazhit thuhet:

Njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore të kombit dhe qytetërimit shqiptar është Kongresi i Manastirit, i mbajtur në decenien e parë të shekullit njëzetë, 103 vjet më parë.

Kongresi i Manastirit është historik sepse në të u arrit përcaktimi i alfabetit shqip, me germa latine, duke shënuar etapë të re të zhvillimit gjuhësor, komunikimit dhe shkrimit të gjuhës shqipe.

Përqafimi i këtij alfabeti nga studiuesit, shkrimtarët, gazetarët, administrata dhe mbarë qytetërimi shqiptar ishte fitore dhe tregues i identitetit të lashtë të kulturës sonë dhe të forcimit të identitetit kombëtar.

Pjesëmarrësve të shquar të Kongresit të Alfabetit edhe sot u jemi mirënjohës për të arriturën me të cilën krenohen shqiptarët  kudo: në trojet shqiptare dhe gjithandej ku jetojnë, punojnë dhe zhvillojnë botën e tyre shpirtërore, shkencore dhe kulturore.

Me germat e alfabetit të Kongresit të Manastirit  qytetërimi shqiptar krijon vlera shpirtërore,  kultivon, përçon dhe përqafon vlerat më të përparuara të njerëzimit, duke dhënë kontribut në rritjen e lirisë,  paqes dhe demokracisë.

Hashim Thaçi
Kryeministër i Republikës së Kosovës

Last modified: 14 Nëntor, 2011

Comments are closed.