Zyra e Kryeministrit

Mbledhja e 100-të e Qeverisë

12 Tetor, 2022

Prishtinë, 12.10.2022

Qeveria ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt, të 100-tën me radhë.

Fillimisht u miratuan tri projektligje të rëndësishme;

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Plotësimet dhe ndryshimet kanë të bëjnë me veprën penale të Dhunimit, Sulmit Seksual, Dhunës në familje dhe Krimet Kibernetike.

Krahas dënimeve që parasheh Kodi Penal, ky Projektligj parasheh edhe disa dënime plotësuese shtesë të cilat kanë të bëjnë me ndalimin e blerjes në ankande të shitjes së pronave publike, aseteve publike apo licencave që jepen nga një autoritet publik në çfarëdo shërbimi, ndalimi i aplikimit si investitor strategjik dhe çdo formë tjetër e përfitimit nga privilegjet që jepen nga legjislacioni në fuqi. Po ashtu, projektligji parasheh se kur personi shpallet fajtor për veprën penale të Dhunimit i ndalohet e drejta e punësimit në sektorin publik, i ndalohet kandidimi në çfarëdo pozite publike deri në 10 vite

Me ndryshimet në lidhje me dhunën në familje, Projektligji parasheh një varg ndalesash/dënime plotësuese duke filluar nga ndalimi përgjithmonë i kandidimit në çdo pozitë publike, ndalimin e punësimit në sektorin publik, ndalimin e blerjes në ankande të shitjes së pronave publike, aseteve publike apo licencave që jepen nga një autoritet publik në çfarëdo shërbimi dhe ndalimin e aplikimit si investitor strategjik dhe çdo formë tjetër të përfitimit nga privilegjet që jepen nga legjislacioni në fuqi.

Ndërsa në rastet kur kemi të bëjmë më veprën penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje kufijtë e zbutjes së dënimeve nuk do të zbatohen.

Në projektligj përcakton sanksione për Krimet Kibernetike për arsye se Kosova po vazhdon të përballet me këtë lloj të krimit dhe në Kodin Penal në fuqi nuk kanë qenë mjaftueshëm të përfshira. Projektligjit për të parandaluar dhe sanksionuar Krimet Kibernetike i janë shtuar rreth 17 vepra penale të reja.

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale i cili ka për qëllim plotësimin dhe ndryshimin e tri çështjeve.

Çështja e parë e trajtuar është çështja e afateve kohore të hetimit të ndjekjes penale në projektligj.

Shkurtohet afati i hetimit në rastet kur kemi të bëjmë me veprat penale të dhunimit dhe dhunës në familje.

Projektligji bën ndryshimin e duhur sa i përket çështjes së masave të sigurimit të pandehurit në procedurë, ku parashihet se për veprat penale të dhunimit dhe dhunës në familje të përcaktuara në Kodin Penal, gjykata shqipton masën e paraburgimit si masë të vetme për të siguruar praninë e të pandehurit, me qëllim pengimin e ri të kryerjes së veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, që parasheh ndryshimin e dispozitave të ligjit bazik në lidhje me afatet ligjore për aplikim për legalizim të ndërtimeve pa leje në mënyrë që të vazhdohet afati për aplikim; ndryshimin e dispozitave të ligjit bazik në lidhje me afatet ligjore për propozimin e programeve të hollësishme për Qeverinë për trajtimin e ndërtimeve pa leje; ridefinimin e përkufizimeve të disa termave të përdorura në ligjin bazik me qëllim qartësimin dhe zbatimin efektiv të ligjit; dhe plotësimin e dispozitës së ligjit bazik që e përcakton taksën për legalizimin e ndryshimit të përdorimit për të ofruar qartësimin gjatë zbatimit të dispozitave të ligjit.

Më tej, Qeveria ka miratuar vendimin për autorizimin e Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për nënshkrim të Protokollit mbi administrimin e fondeve të destinuara, në qëllim të zbatimit të Marrëveshjes për Bashkëfinancimin e Projektit Madhor në Albanologji-Enciklopedia Shqiptare, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Grupit Punues për themelimin e entitetit për menaxhimin e Aktivitetit shumë funksionalë të Ruajtjes së Energjisë, siç është përcaktuar me Marrëveshjen Kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Marrëveshjen për Implementimin e Programit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit. Grupi do të ketë këtë përbërje:
1. Urtina Zeka, Zyra e Kryeministrit – kryesuese;
2. Fjolla Mikullovci, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – zëvendës kryesuese;
3. Sofie Kika, Zyra e Kryeministrit – anëtare;
4. Sabit Gashi, Ministria e Ekonomisë – anëtar;
5. Qëndresa Morina, Ministria e Ekonomisë – anëtare;
6. Bekim Brahimi, Ministria e e Ekonomisë – anëtar;
7. Burbuqe Hydaverdi, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – anëtare; dhe
8. Burbuqe Hasani, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut – anëtare.

Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për themelimin e Grupi Punues për përmbushjen e parakushteve që rrjedhin nga Marrëveshja Kompakt e Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Marrëveshja për Implementimin e Programit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit. Grupi do të ketë këtë përbërje:
1. Vesa Janova, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – kryesuese;
2. Lum Mita, Zyra e Kryeministrit – zëvendës kryesues;
3. Besar Dinarama, Zyra e Kryeministrit – anëtar;
4. Leonita Shabani Mullarama, Ministria e Ekonomisë – anëtare;
5. Petrit Krasniqi, Zyra e Rregullatorit të Energjisë – anëtar;
6. Arben Ajazi, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – anëtar; dhe
7. Alban Imeri, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut –anëtar.

Qeveria ka ndarë 300 mijë euro për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për sanimin e dëmeve nga shembjet në rrugën Nacionale N22.3 Mitrovicë-Jarinjë, tek vendi i quajtur “Kërshi i Kajushës”.

Ndërkaq, është miratuar edhe vendimin për miratim të kërkesës së Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për mbështetje financiare. Për këtë janë ndarë mjete financiare në shumën prej 35 mijë eurove.

Pas shqyrtimit, ka marrë miratimin për procedim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Raporti vjetor për Gjendjen e Mjedisit në Kosovë për vitin 2021.Të dhënat e këtij raporti do të shërbejnë për hartimin e politikave adekuate në mbrojtje të mjedisit dhe për investime në sektorë të ndryshëm.

Edhe Plani i veprimit për zbatimin e Strategjisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2028 është shqyrtuar dhe miratuar në mbledhjen e sotme. Plani adreson kostot e zbatimit te objektivave të Strategjisë dhe që do të shërbejnë për rritjen e konkurrueshmërisë në sektorin agro-ushqimor, menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore, mbështetjen e bizneseve dhe rritjen e punësimit si dhe reformimin gjithëpërfshirës për të krijuar shërbime publike efikase.

Në mbledhjen e sotme, u ndan mbi 28 milionë euro për zbatimin e masës 3.2, Mbështetja për Pensionistët dhe Familjet me asistencë, në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin, ashtu që që këtë muaj pensionistët të marrin shtesën e njëhershme ne vlerë prej 100 euro.

Me propozimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është miratuar vendimi për shqyrtim të mëtejmë të shpronësimit të pronave të paluajtshme në zonat kadastrale në Komunën e Podujevës të cilat do të preken nga investimet për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës, Varrezave të Qytetit dhe për investimet në sektorin e shëndetësisë.

Në fund të mbledhjes, kryeministri Kurti ka njoftuar anëtarët e kabinetit qeveritar për projektin e integrimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit dhe Planeve Strategjike Operacionale të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive në Planin Kombëtar të Zhvillimit nga fillimi i vitit të ardhshëm.

 

Last modified: 12 Tetor, 2022

Comments are closed.

×