Zyra e Kryeministrit

Mbahet takimi i pestë i Komisionit Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional

3 Korrik, 2023

Prishtinë, 3 korrik 2023

Komisioni Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, i udhëhequr nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti sot takimin e pestë me radhë.

Në kuadër të këtij takimi në fokus të diskutimit ishin tri çështje, përfshirë atë të qeverisjes së arsimit dhe aftësimit profesional, për të cilin MAShTI ka themeluar grupin punues për rishikimin e Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional.

Temë tjetër e diskutimit ishte edhe zbatimi dhe sfidat e arsimit dual gjatë vitit të kaluar shkollor, si dhe për planet të cilat parashikojnë zgjerimin e arsimit dual. Në këtë pikë theks të veçantë iu vu rolit të Odës Ekonomike për të koordinuar zbatimin e arsimit dual, pasi siç tha Kryeministri Kurti duhet të ekzistojë një bashkëpunim i mirëfilltë në mes të sektorit publik dhe atij privat.

Në praninë e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe anëtarëve të Komisionit Ekzekutiv e përfaqësuesve të ministrive përkatëse, u shpalosën rezultatet, hapat e ndërmarrë dhe planet për përmirësimin e arsimit dhe aftësimit profesional.

 

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Ministre Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,

I nderuar z. Ministër Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve,

E nderuara znj. Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë,

E nderuara znj. Majlinda Rizvanolli Bajraktari, këshilltare për Arsim dhe Aftësim Profesional, nga MAShTI,

I nderuari Enis Spahiu, Ushtrues i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve,

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar anëtarë të Komisionit Ekzekutiv për Zhvillimin e Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional,

Sot, po e mbajmë takimin e pestë me radhë të këtij Komisioni. Gjatë këtij takimi do të shpalosim rezultatet dhe hapat e ndërmarrë për përmirësimin e arsimit dhe aftësimit profesional dhe do të diskutojmë për sfidat që po na shfaqen si pengesë për avancimin e mëtutjeshëm.

Janë tri çështje që do t’i diskutojmë sot me fokus më të madh: Së pari është çështja e qeverisjes së arsimit dhe aftësimit profesional të cilën ende nuk kemi arritur ta diskutojmë dhe të marrim vendim lidhur me skenarin e propozuar. Për njërin nga skenarët duhet të vendosim sot, për shkak se MAShTI ka themeluar grupin punues për rishikimin e Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional. Është me rëndësi që të ketë orientim për punën e tyre të mëtejme.

Gjithashtu gjatë takimit do të diskutojmë për zbatimin e arsimit dual, me fillim të vitit të kaluar shkollor, sfidat me të cilat është ballafaquar implementimi i arsimit dual përgjatë këtij viti shkollor si dhe për planet të cilat parashikojnë zgjerimin e arsimit dual.

Po ashtu, një pikë e rëndësishme për të cilën duhet të diskutojmë dhe të marrim vendim, është roli i Odës Ekonomike për të koordinuar zbatimin e arsimit dual. Arsimi dual nuk mund të mbijetojë dhe ekzistojë pa një bashkëpunim të mirëfilltë në mes të sektorit publik dhe atij privat, andaj edhe nevojitet një bashkëpunim i mirëfilltë në mes këtyre. Ne si Qeveri duhet të kemi vëmendjen e duhur dhe të marrim vendime lidhur me fuqizimin e këtij bashkëpunimi.

Ideja e themelimit ka qenë që të kemi koordinim më të mirë ndërinstitucional, në mënyrë që të kontribuojmë së bashku për avancimin e arsimit dhe aftësimit profesional. Marrë parasysh këtë kërkoj nga të gjitha institucionet dhe anëtarët që përfaqësojnë ministritë dhe dikasteret e ndryshme të japin informacione lidhur me zhvillimet që i kanë në kuadër të institucioneve të tyre lidhur me zhvillimin e AAP-së. Koordinimi sa më i mirë do të mundësojë shfrytëzimin më efikas edhe të donatorëve, por edhe të buxhetit shtetëror.

Last modified: 3 Korrik, 2023

Comments are closed.

×