Zyra e Kryeministrit

Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave nis zbatimin më 1 mars 2016

25 Janar, 2016

Prishtinë, 25 janar 2016

Në Bruksel gjatë javës së kaluar, delegacionet e të dyja shteteve, Republikës së Kosovës dhe të Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë arritur pajtimin që Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave të filloj zbatimin më 1 mars 2016.
Ministrja për Dialog Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore në dialogun e Brukselit ka theksuar se kjo është një marrëveshje e re për diplomat, e cila është më e zgjeruar se ajo e vitit 2011, sepse përfshinë njohjen reciproke të diplomave të të gjitha niveleve të shkollimit, prej shkollës fillore deri te arsimi i lartë universitar si dhe nivelet profesionale. Me këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të njohin reciprokisht këto diploma: diplomat e shkollës fillore, të mesme, shkollimit vokacional, nivelin e pestë të kualifikimeve sipas kornizës së kualifikimeve evropiane (EQF), diplomat bachelor, master dhe doktoraturat.
Njohja reciproke e diplomave bëhet përmes procesit të certifikimit ndërkombëtar të diplomave nga një palë e tretë dhe në këtë rast këtë certifikim do të bëjë Asociacioni i Universiteteve Evropiane ( European Association of Universities – EAU) dhe pastaj diplomat e certifikuara konsiderohen të njohura nga të dyja shtetet. Për njohjen e diplomave të shkollës fillore, të mesme dhe ato profesionale (që është risi në këtë marrëveshje) do të përzgjidhet një organizatë ndërkombëtare e cila do të bëjë certifikimin ndërkombëtar. Kandidatët e interesuar për njohjen e diplomave do të aplikojnë pranë zyrave të organizatës SPARK në të dyja shtetet për të paraqitur aplikacionin për njohje e diplomave cila pastaj do ta realizoj procesin e certifikimit ndërkombëtar.
Njohja e diplomave është e ndarë në dy grupe, në njohjen profesionale dhe akademike. Pas certifikimit ndërkombëtar, njohja profesionale do të realizohet nga institucionet e shteteve përkatëse në afat prej 90 ditësh dhe me një pagesë prej 50 eurosh apo në valutë tjetër ekuivalente me shumën prej 50 eurove. Njohja profesionale e diplomave do të shërbejë për qëllime punësimi, duke përfshirë edhe punësimin në institucionet qeveritare në shtetin përkatës. Njohja akademike e diplomave do t’iu shërbej studentëve për të vazhduar studimet e mëtejmë në shtetin përkatës, ku procedurat do të realizohen nga secili institucion i arsimit të lartë i shtetit përkatës të cilës i drejtohet aplikuesi dhe afati i realizimit të njohjes është 5 muaj.
Po ashtu, të gjithë kandidatët të cilët tashmë kanë kryer procedurat e njohjes nga Asociacioni i Universiteteve evropiane (EUA) munden menjëherë pas 1 marsit 2016 të aplikojnë për njohje nga institucionet e larta arsimore të shtetit përkatës. Kandidatët gjatë aplikimit për njohje duhet të theksojnë se çfarë njohje dëshirojnë, profesional apo akademike. Të gjitha udhëzimet për procedura do të merren nga zyra implementuese përkatësisht zyrat e SPARK-ut në Kosovë dhe në Serbi.
Marrëveshja për diplomat vlen vetëm për diplomat që janë marrë nga universitetet e akredituara në shtetet përkatëse, Kosovë dhe Serbi.
Duke marrë parasysh se kjo Marrëveshje është veçanërisht e rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Ministrja Edita Tahiri ka thënë se njohja reciproke e diplomave mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë ka një rëndësi të madhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse shumica e tyre kanë studiuar dhe diplomuar në Kosovë dhe u duhet kjo njohjen e diplomave, në mënyrë që të kthehen në vendlindje për të ndihmuar zhvillimin e komunitetit shqiptarëve etnik atje, duke u angazhuar në jetën institucionale dhe sidomos në fushën arsimore për të përgatitur gjeneratat e reja. Ajo ka inkurajuar kuadrot universitare që të kthehen në Luginën e Preshevës, sepse brezi i shkolluar ka obligim t’i shërbej kombit për të zhvilluar dhe forcuar shqiptarët. Kuadrot e shkolluara duke u kthyer në vendlindje japin ndihmën më të mirë për zhvillimin dhe emancipimin politik, shoqëror dhe ekonomik të një kombi dhe kjo është mënyra e duhur për të penguar shpërnguljen e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës. Politikat diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve etnik në Luginën e Preshevës luftohen më së miri përmes shkollimit dhe shërbimit në interes të shqiptarëve.
Qeveria e Kosovës angazhohet dhe kërkon një bashkëpunim të ngushtë me komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për zbatimin e plotë të kësaj Marrëveshje, në interes të qytetarëve dhe për një efikasitet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Ministrja Tahiri ka theksuar po ashtu se moszbatimi i kësaj Marrëveshje nga Serbia për pesë vjet me radhë, që nga viti 2011 kur është arritur marrëveshja, ka pasur për qëllim që të pamundësoj perspektivën dhe punësimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të cilët shkollohen në universitetet e Republikës së Kosovës. Politikat e tilla diskriminuese të Serbisë të dëshmuara edhe me sabotimin e zbatimit të kësaj marrëveshje, unë i kam denoncuar vazhdimisht në takimet me Bashkimin Evropian, ka thënë Ministrja Tahiri, duke shtuar se edhe Bashkimi Evropian ka qenë i ngadalshëm në masat e saja për detyrimin e Serbisë që të përmbush obligimet zbatuese. Ajo shprehu besimin se BE-ja nuk do të lejoj zvarritjet  e mëtejme nga ana e Serbisë.
Qeveria e Kosovës do të publikoj së shpejti një udhëzues të hollësishëm për t’i njoftuar të interesuarit me procedurat e aplikimit për njohje.

 
 

 

Last modified: 25 Janar, 2016

Comments are closed.

×