Zyra e Kryeministrit

Lansohet programi shtetëror “Sport në Shkolla”, që synon fuqizimin e nxënësve dhe të rinjve përmes ndërlidhjes së arsimit me sportin dhe të sportit me shëndetin

26 Janar, 2024


Podujevë, 26 janar 2024

Në shkollën “Xheladin Rekaliu” në Podujevë, me praninë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot u lansua programi shtetëror “Sport në Shkolla”, i cili ka për synim mirëqenien dhe edukimin e të rinjve përmes sporteve të ndryshme në arsimin parauniversitar.

Programi “Sport në Shkolla” do të fillojë nga sot me zbatimin e kurseve të rregullta sportive për nxënësit, si dhe pajisjen e shkollave me mjetet e nevojshme për sportin e shahut dhe basketbollit, me qasje të plotë dhe pa pagesë për të gjithë nxënësit brenda mjedisit shkollor dhe në raste të caktuara edhe në hapësira sportive jashtë shkollës.

Kryeministri Kurti, para të pranishmëve, tregoi se në linjë me vizionin e Qeverisë, programi është hartuar në kornizë kohore prej gjashtë vitesh, dhe i përfshinë pesë komponentë: zhvillimin e aktivitetit të rregullt sportiv dhe fizik në shkollë; organizimin e garave sportive në shkolla; ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve për organizimin e aktivitetit sportiv; furnizimin e shkollave me pajisje sportive; dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive shkollore.

“Në përpjekjen tonë të përbashkët, ne duam që të gjithë pa dallim, si etni, si statusi socio-ekonomik, të gjitha moshat, nga më të vegjlit e klasës së parë e deri tek ata në shkollat e mesme, pavarësisht nëse jetojnë në fshat ose në qytet, të kenë mundësinë të marrin pjesë dhe të shijojnë më shumë aktivitet fizik e ndeshje sportive”, u shpreh ai duke theksuar se mirëqenia e të rinjve është kryefjala e këtij programi.

Faza pilotuese e “Sport në Shkolla” ka filluar në gjysmë vjetorin e vitit të kaluar, në 49 shkolla të 23 komunave të Kosovës, nëpërmjet trajnimit të mësimdhënësve për zbatimin e programit në sportin e basketbollit dhe të shahut. Ndërkaq sot, kryeministri ftoi nxënësit për pjesëmarrje aktive sepse, siç edhe tha ai, përmes lojës në fushë kultivojmë vlerat të cilat na përcjellin gjatë tërë jetës: disiplinën në punë, respektimin e rregullave dhe lojën e ndershme, bashkëpunimin dhe vlerësimin për shoqërinë, e aftësitë për të përballur sfidat me sukses.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi u shpreh i lumtur që sot janë mbledhur në këtë komunë, në Shkollën “Xheladin Rekaliu” për të festuar nisjen e programit kombëtar “Sport në Shkolla”, një ngjarje siç tha ai tejet e rëndësishme për nxënësit dhe shkollat.

“Për t’i dhënë rëndësinë që i takon këtij programi, sot kemi edhe kryeministrin dhe ministrat përkatës qeverisë këtu. Aspekti fizik dhe vitaliteti i nxënësve është tejet i rëndësishëm për shëndetin fizik e psiqik të tyre. Aktivitete sportive jo vetëm që e ndihmojnë ata të ruajnë një trup të shëndetshëm, ato gjithashtu i ndihmojnë nxënësit të zhvillojnë aftësitë e tyre sociale’’, u shpreh kryetari derisa përgëzoi Qeverinë e vendit për realizimin e këtij projekti kombëtar.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës dhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, janë hartuesit dhe realizuesit e programit shtetëror “Sport në Shkolla”. Ndërkaq, sot në ceremoninë lansuese përveç kryeministrit Kurti, të pranishëm ishin edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi si dhe Kryetari i Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Ardian Telaku.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari, z. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
E nderuara znj. Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
I nderuari, z. Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komunës së Podujevës,
E nderuara, znj. Daulina Osmani, zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
I nderuari, z. Adrian Telaku, kryetar i Federatës të Sportit Shkollor të Kosovës,
E nderuara, znj. Arjeta Bashota, drejtoreshë e Shkollës Fillore të Mesme të Ultë ”Xheladin Rekaliu”,
Të nderuar të pranishëm,
Shumë të dashur nxënës,
Zonja dhe zotërinj,

Mirëmëngjesi të gjithëve në këtë të premte të fundit të muajit janar të vitit të ri 2024, dhe të parën e gjysmë vjetorit të dytë të këtij viti shkollor.

Jemi mbledhur këtu së bashku për të shënuar fillimin e programit “Sport në Shkolla”, nismë kjo e cila synon fuqizimin e nxënësve dhe të rinjve tanë përmes ndërlidhjes së arsimit me sportin dhe të sportit me shëndetin.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe me Federatat Sportive kanë hartuar Programin “Sport në Shkolla”, i cili ka për qëllim ndërtimin e një shoqërie aktive dhe të shëndetshme nëpërmjet pjesëmarrjes së rregullt në aktivitet fizik dhe sportiv. Mirëqenia e të rinjve është kryefjala e këtij programi.

Të dashur nxënës, vetëm atëherë kur të jeni të shëndetshëm, do ta keni mundësinë që ta shpalosni plotësisht potencialin tuaj në mësime, sport, shkencë dhe në art, dhe në çdo fushë tjetër. Sporti është mjet për të forcuar edhe trupin dhe mendjen tuaj. Andaj është shumë me rëndësi që secili prej jush ta bëni sportin pjesë të rutinës suaj të çdo dite të cilën e jetoni kur mësoni e kur punoni.

Përtej shëndetit, pjesëmarrja aktive në sport na bënë njerëz më të mirë e qytetarë më të përgjegjshëm. Kjo për shkak se përmes lojës në fushë kultivojmë vlerat të cilat na përcjellin më pastaj për gjithë jetën: disiplina në punë, respektimi i rregullave dhe gjithashtu loja e ndershme apo “fair play” siç quhet ndryshe. Por njëkohësisht aktiviteti sportiv mundëson edhe bashkëpunimin dhe vlerësimin për shokët dhe shoqet, aftësitë për të përballur sfidat me sukses dhe shumë e shumë të tjera.

Në përpjekjen tonë të përbashkët, ne duam që të gjithë pa dallim si etnie si statusi socio-ekonomik, të gjitha moshat, nga më të vegjlit e klasës së parë e deri tek ata në shkollat e mesme, pavarësisht nëse jetojnë në fshat ose në qytet, duam që të gjithë të kenë mundësinë të marrin pjesë dhe të shijojnë më shumë aktivitet fizik e ndeshje sportive.

Në linjë me vizionin e Qeverisë, programi është hartuar në kornizë kohore prej gjashtë vitesh, dhe i përfshinë pesë komponente:
1. Zhvillimi i aktivitetit të rregullt sportiv dhe fizik në shkollë;
2. Organizimin e garave sportive në shkolla;
3. Ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve për organizimin e aktivitetit sportiv;
4. Furnizimin e shkollave me pajisje sportive; dhe
5. Përmirësimin e infrastrukturës sportive shkollore.

Në gjysmë vjetorin e vitit të kaluar, programi ka filluar fazën pilotuese në 49 shkolla të 23 komunave të Kosovës, nëpërmjet trajnimit të mësimdhënësve për zbatimin e programit në sportin e basketbollit dhe të shahut.

Nga sot po nisim zbatimin e kurseve të rregullta sportive për nxënësit, si dhe pajisjen e shkollave me pajiset e nevojshme për të luajtur shah dhe basketboll.

Programi “Sport në Shkolla” do të zbatohet brenda mjedisit shkollor dhe në raste të caktuara edhe në hapësira sportive jashtë shkollës. Të gjitha aktivitetet do të jenë të qasshme dhe pa pagesë për të gjithë nxënësit, tërë kohën, pa dallim.

Përveç kurseve sportive, mbi 10 mijë nxënës do të jenë pjesë edhe e shumë aktiviteteve tjera që parashihen në program e që i shërbejnë këtij ndërveprimit mes edukimit, shëndetit dhe sportit.

Nxënës të dashur,

Shumicës nga ne, na pëlqen të luajmë basketboll. Dikujt i pëlqen ta shikoj lojën e futbollit. Ka edhe nga ata që nuk duan të bëjnë sport, mirëpo duan ta mbështesin ekipin e tyre të zemrës. Cilado nga do që këto ju pëlqen më shumë, ju do të mund ta bëni në kuadër të programit “Sport në Shkolla”.

Unë ju inkurajoj që të merrni pjesë në aktivitetet e programit me vullnet dhe pasion, ku përveç që do të keni mundësi të shfaqni talentin dhe aftësitë tuaja në sport, njëkohësisht do të krijoni edhe kujtime të paharrueshme me njëri-tjetrin e për njëri-tjetrin.

Për fund, dua të falënderoj të gjithë ata që janë angazhuar në këtë program, ministritë përkatëse, federatat dhe klubet sportive, komunat me departamentet e tyre, dhe më e rëndësishmja institucionet shkollore, të cilat mbeten shtylla kyçe e zbatimit të këtij programi.

Ju uroj shumë shëndet dhe suksese të gjithëve.

Faleminderit.

 

Last modified: 26 Janar, 2024

Comments are closed.