Prishtinë, 27 prill 2009
Në vazhdim po e japim të plotë, prononcimin e kryeministrit Hashim Thaçi pas takimit
Jemi duke punuar bashkërisht me shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së. Diskutuam për hapat e mëtutjeshëm që duhet t’i ndërmarrim në përmirësimin e jetës dhe kushteve të veteranëve të luftës, të familjeve të dëshmorëve, të invalidëve të luftës. U theksua domosdoshmëria e ndryshimit të ligjit në ato pika ku është e nevojshme, por edhe e përputhshme në kuptimin kushteve dhe mundësive tona financiare.
Diskutuam edhe për hapat dhe mundësitë të cilat i ka qeveria në bashkëpunim me autoritetet lokale në kuadër të angazhimeve tona për krijimin e hapësirave më të mëdha për banim. Kjo do të arrihet edhe përmes procesit publiko-privat që do të ndikojë në sistemimin e familjeve të dëshmorëve, invalidëve t luftës dhe veteranëve.
Diskutuam edhe për mundësitë që sa më shpejt të kemi një lirim nga doganat dhe akcizat për automjetet e tyre dhe të vazhdohet me rritje të pensioneve për këto kategori, por edhe vazhdimin e lirimit nga pagesa për shkollimin e fëmijëve të këtyre kategorive në sistemin arsimor nga niveli më i ulët deri te ai më i lartë.
Veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, janë në kategorinë e kuptimit të angazhimeve afirmative të qeverisë që udhëheq unë. E kuptoj peshën, rëndësinë, sakrificën e këtyre njerëzve dhe kam obligim dhe përgjegjësi të jem më afër këtyre njerëzve.
Jemi këtu për të studiuar mundësitë për të gjetur zgjidhje më të mirë të implementimit të shumë angazhimeve dhe nevojave që kanë këto kategori, por zgjidhja e vetme është zgjidhja përmes rrugës institucionale, shtetërore dhe përgjegjësive që i kemi.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i shoqatave të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muharrem Xhemajli, pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi, theksoi:
U pajtuam që të krijohet një komision brenda qeverisë në bashkëpunim me organizatën e veteranëve, që të bëhet rishikimi i ligjit dhe amandamentimi tij. Në të ardhmen do të kemi raporte të mira dhe punë në të mirë të këtyre kategorive.
Last modified: 27 Prill, 2009