Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Zgjedhjet komunale të 15 nëntorit – provimi më i madh pas shpalljes së Kosovës shtet

22 Tetor, 2009

Prishtinë, 22 tetor 2009

Kryeministri i Qeverisës së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,  presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Christopher Dell vizituan sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Kryeministri Hashim Thaçi në fjalimin e tij i dha mbështetje të plotë KQZ-së dhe tha se ky proces do të jetë provimi më i madh për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë.

Në vazhdim japim fjalimin e plotë të kryeministrit Hashim Thaçi.

I nderuar President
I nderuar Ambasador Dell
E nderuara Kryetare,
Të nderuar anëtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor

Sot kemi kënaqësinë të jemi së bashku për të dhënë mbështetje të plotë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në punën shumë profesionale, punën e shkëlqyeshme, të cilën janë duke e bërë për organizimin e zgjedhjeve të para të lira në Kosovën e pavarur.

Këto janë zgjedhjet e para të lira në shtetin tonë. Është mesazhi më i mirë i mundshëm për demokracinë që po ndërtojmë, demokracinë e re në shtetin tonë të ri.

Unë dua të besoj fuqishëm se përgatitjet e tilla teknike, profesionale do të vazhdojnë me një ritëm të tillë.

Institucionet e Republikës së Kosovës në raport me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë kryer të gjitha obligimet dhe do të vazhdojnë të jenë në krye të përgjegjësive për çdo kërkesë, çdo nevojë të KQZ-së, që vetëm procesi të jetë i përmbyllur suksesshëm.

Nuk do të kursejmë asgjë, gjithë potencialin tonë. Është provimi më i madh pas shpalljes së Kosovës shtet dhe i bashkëngjitëm falënderimit për gjithë spektrin politik kosovar, për fushatën e filluar qetë, demokratike, të konkurrencës së vlerave, të prezantimit të ideve dhe projekteve.

Në të njëjtën kohë, është inkurajuese edhe mesazhi i vazhdimit të po të njëjtit angazhim të prezantimit të konkurrencës së projekteve për punë më të mirë, për qeverisje më të mirë, për institucione më efektive, më efikase, më të pranueshme, në krye të përgjegjësive që dalin nga vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Këto janë zgjedhjet e para që organizohen edhe në disa komuna të reja, duke respektuar dokumentin e presidentit Ahtisaari.

Është inkurajuese pjesëmarrja apo certifikimi i shumë subjekteve politike serbe dhe individëve të pavarur.

Participimi i tyre në zgjedhje është mesazh i shkëlqyeshëm për Kosovën.

Dëshiroj të theksoj se, edhe në këto zgjedhje, me ftesën e institucioneve të Republikës së Kosovës, do të kemi prezencën ndërkombëtare, do të kemi mbështetjen e tyre, këshillat ndërkombëtar, vëzhguesit ndërkombëtar sa më tepër që është e mundur.

Falënderoj Ambasadorin Dell, Qeverinë Amerikane, USAID-in, për mbështetjen e plotë që janë duke e dhënë këtij procesi dhe vizita jonë e përbashkët është mesazhi më i mirë, se ky është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe do të kemi sukses të plotë edhe në këtë proces fillestar, edhe të vazhdueshëm në ditët e ardhshme, por edhe të njohjes  së rezultatit zgjedhor dhe menjëherë fillimit të ndërtimit të institucioneve të reja lokale.

Faleminderit! 

Last modified: 22 Tetor, 2009

Comments are closed.