Prishtinë, 16 mars 2011
Qeveria e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi ka zhvilluar mbledhjen e saj të pestë, në të cilën ka aprovuar një varg vendimesh nga fusha e veprimit të saj. Është miratuar Plani vjetor i Punës së Qeverisë për vitin 2011; Strategjia Legjislative për vitin 2011; Plani i Veprimit për Partneritetit Evropian 2011; si dhe Rregullorja për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive.
Në hapje të mbledhjes kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se Projektbuxheti i vitit 2011 është proceduar në Kuvendin e Kosovës. Buxheti është i të gjithëve, ka thënë kryeministri dhe ka vlerësuar se ky është një buxhet i cili do të hapë perspektivë për zhvillimin ekonomik, për themelimin e reformave demokratike dhe perspektivës evropiane.
Kryeministri Thaçi ka thënë se Qeveria do të vazhdojë të jetë kontribuuese në debatin për miratimin e projektbuxhetit për vitin 2011 në Kuvendin e Kosovës kur do të debatohet më 25 mars.
“Unë edhe njëherë dëshiroj të falënderoj misionin e Fondit Monetiar Ndërkombëtar për diskutimet shumë korrekte, produktive dhe të një progresi real mes Qeverisë së Kosovës dhe FMN-së. Këto diskutime nuk kanë përfunduar ende, do të vazhdojnë së diskutuari edhe muajin e ardhshëm. Kemi përafrim të shumicës së çështjeve që i kemi diskutuar dhe kjo është një sukses i punës së përbashkët dhe korrektësisë në raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe FMN-së”.
“Është jashtëzakonisht me rëndësi që edhe FMN e vlerëson rimëkëmbjen ekonomike të Republikës së Kosovës, që është në rrugë të mbarë. Gjithashtu edhe FMN vlerëson se rritja ekonomike në Republikën e Kosovës për vitin 2011 do të shënojë 5.5 për qind. Janë jashtëzakonisht shenja inkurajuese për shtetin tonë të ri, për qytetarët tanë. Dëshiroj të theksoj se rritja ekonomike prej 5.5 për qind definitivisht ky është vlerësim edhe i FMN edhe në deklaratën publike, është ndër rritjet më të larta në Evropë. Ky sukses është i punës së përbashkët i menaxhimit të mirë dhe i disiplinës fiskale”, ka thënë kryeministri Thaçi.
“Buxheti do të votohet tanimë në Kuvend me vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave për të gjithë punëtorët e arsimit, shëndetësisë, policisë, shërbyesve civilë, zjarrfikësve, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, dhe respektimin e marrëveshjeve për minatorët. Dikush edhe mund të deklarojë se rritja prej 50 për qind deri në 30 për qind e pagave është e lartë. Por, unë dua të theksoj shumë qartë për të gjithë: Kosova është shtet në transicion, Kosova është shtet i ri, ende nuk e ka arritur stadin e shtetit të zhvilluar dhe modern. Punëtorët në Kosovë deri sot kanë jetuar me ndihma sociale, jo me rrogë. Kur ta arrijmë stadin e shteteve të zhvilluara moderne mund t’i kalkulojmë rritjet për 2 për qind. Nuk mund të tolerojmë edhe më tutje që punëtorët të trajtohen më së keqi në Evropë, të jenë më të nëpërkëmburit në Evropë, më të fyerit në Evropë, me standardin më të ulët në Evropë. Prandaj vendimi është i drejtë do të implementohet, dhe kam besim të plotë që do të aprovohet edhe nga partitë opozitare, ka th në kryeministri Hashim Thaçi dhe ka shtuar se “E ritheksoj edhe njëherë për të gjitha çështjet ka përafrim me FMN”.
Kryeministri Thaçi ka vlerësuar se dialogu mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë ka filluar mbarë dhe jemi të bindur se me mbështetje të plotë të SHBA dhe BE dhe me qëndrimet korrekte e konstruktive, ky proces do të përmbyllet me njohjet reciproke të të dyja vendeve dhe me anëtarësimin e tyre në NATO dhe BE.
“Në procesin e dialogut gjithçka do të rrjedh në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe dokumentin e presidentit Ahtisari. Asnjë deklarim që mund të vjen dhe që bie në kundërshtim me dokumentin e Ahtisarit dhe me Kushtetutën e Kosovës do të tejkalohet. Kosova është unike, me kufij të njohur ndërkombëtarisht dhe të paprekshëm. Është e njohur nga 75 shtete vende të botës dhe është pjesë e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Prandaj, edhe afirmimi i ndonjë deklarate apo ndonjë rekomandimi, qoftë në Qeveri apo në pozicione tjera, është i panevojshëm, i paarsyeshëm për çfarëdo statusesh speciale të cilësdo pjesë të Kosovës, janë ide antishtetërore dhe kundër fuqizimit dhe konsolidimi të shtetit të Kosovës. Prandaj, gjërat e tilla kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë dhe do të jenë çdoherë të papranueshme për të gjitha institucionet e Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Qeveria ka aprovuar Planin Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2011. Plani i punës për vitin 2011 paraqet një mundësi të mirë për Qeverinë për të dëshmuar edhe më tutje angazhimin e saj për zhvillimin e shtetit dhe përmirësimin e jetës së çdo qytetari.
Në mbledhje është aprovuar Strategjia Legjislative për vitin 2011. Strategjia Legjislative për vitin 2011 është hartuar pas një procesi të konsultimeve në Qeverinë e Kosovës dhe konsultimit të dokumenteve të ndryshme siç është Plani i Veprimit për Partneritet Evropian, pastaj Raporti i Progresit për Kosovën 2010. Në Strategjinë Legjislative 2011, janë përfshirë edhe projektligjet të cilat janë bartur nga viti 2010 dhe të cilat janë në grupe punuese apo për arsye të ndryshme nuk është arritur që të procedohen gjatë vitit 2010.
Është aprovuar edhe Plani i Veprimit për Partneritetit Evropian 2011. Me këtë dokument është konfirmuar përkushtimi io Qeverisë së Kosovës për procesin e integrimit evropian përmes avancimit të mëtejshëm të kornizës institucionale. Plani është përgatitur për një afat rekord, dhe përfshin rreth 30 fusha të veprimit me rreth 400 veprime konkrete të institucioneve. Në hartimin e tij kanë qenë të përfshirë rreth 1000 ekspertë vendor dhe të huaj.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrive. Rregullorja përcakton fushat e përgjegjësisë dhe numrin e autoriteteve të larta të administratës shtetërore si dhe fushat e përgjegjësisë dhe numrin e organeve të larta të administratës shtetërore. Rregullorja është përgatitur nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me ministritë të cilat kanë dhënë komentet dhe sugjerimet e tyre me qëllim të finalizimit të saj.
Rregullorja përfshinë përcaktimin e dispozitave të përgjithshme, autoritetet e larta të administratës shtetërore, organet e larta të administratës shtetërore, këshilltarët politikë, Kabinet i Kryeministrit dhe Ministrive tjera dhe dispozitat përfundimtare.
Last modified: 16 Mars, 2011