Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi vazhdon gjelbërimin e hapësirave publike edhe në Ferizaj: Ne sot ne po e ndërtojmë dhe po e mbjellim Kosovën tonë të ardhshme

25 Prill, 2009

Prishtinë, 25 prill 2009
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar sot qytetin e Ferizajt, ku në qendër të qytetit ka mbjellur fidanë. I shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Idriz Vehapi dhe nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, kryeministri Thaçi, në kuadër të aksionit “Një qytetar, Një fidan”, që po vazhdon në të gjitha qytetet e Kosovës, ka mbjellë fidanë në disa pjesë të qendrës së qytetit, ku është mirëpritur nga qytetarë të shumtë. 

Në vazhdim po e japim të plotë, deklarimin e kryeministrit Hashim Thaçi me këtë rast.

Jemi shumë të vendosur për të shkuar deri në implementimin përfundimtar të projektit “Një qytetar, Një fidan”, në mënyrë që të zgjerohen hapësirat e gjelbërimit edhe në qytetet tona edhe në territorin e Kosovës. 

Sot jam, këtu në Ferizaj  për të përgëzuar edhe kryetarin e Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemailin për këtë punë të mrekullueshme që ka ndryshuar Ferizajn në kuptimin e zgjerimit të hapësirave të gjelbërimit. Në bashkërisht  e filluam këtë aksion “Një qytetar, Një fidan”.  

Vetëm në komunën e Ferizajt do të mbillen 30 hektarë me 70 mijë fidanë , por ky projekt që është në interesin e çdo qytetari dhe familjeve, të gjeneratave të ardhshme, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, por brenda mundësive tona për sivjet do të jetë ky projekt, kjo është hapësira që kemi si Qeveri e Republikës së Kosovës. 

E kam theksuar edhe dje, edhe në ditët e kaluara, është çështja e ambientit, zgjerimi i hapësira të gjelbëruara, krijimi i kushteve më të mira për jetë në Kosovën tonë te re.  Ne sot ne po e ndërtojmë dhe po e mbjellim Kosovën tonë të ardhshme.

Ky është projekt i Qeverisë së Republikës së Kosovës, nën patronatin e tim si Kryeministër i Kosovës,  ku jemi së bashku me autoritetet e Ministrisë së Ambientit dhe Ministrisë së Bujqësisë. Ky ka qenë një nga pesë prioritetet ku i kam prezantuar së bashku me këshilltarin tim Klark. 

Ky ambient është në interes të të gjithë njerëzve të Kosovës dhe unë i falënderoj qytetarët  për mbështetjen e plotë që po i japin kësaj pune të mbarë që i ka munguar Kosovës.  I falënderoj të gjithë njerëzit e shkollës , nxënësit, studentët, arsimtarët, zejtarët, biznesin për mbështetjen që po i bëjnë kësaj filozofie të re për ndërtimin e shtetit tonë të ri. 


Në vazhdim, kryeministri Thaçi është përgjigjur edhe në interesimin e medias lidhur me raportet e Kosovës me Maqedoninë. 

Raportet me Maqedoninë dhe me të gjitha vendeve fqinje, me përjashtim të Serbisë, janë raporte shumë të mira. Së shpejti do të vemë raporte diplomatike raporte ndërshtetërore, të cilat do të rezultojnë për të mirën e vendeve tona popujve dhe në kuadër të kësaj edhe me Maqedoninë. 


Po ashtu, kryeministri Thaçi është përgjigjur edhe në interesimin e medias lidhur me raportet me Greqinë 

Me rëndësi është që Greqia ka njohur tash për tash pasaportën e Republikës së Kosovës, në të ardhmen në do të jemi pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian siç është edhe Greqia. Dua të theksoj se Greqia ka luajtur një rol pozitiv në mbështetje të përgatitjes së Kosovës për pavarësi. Ka qenë prezentë dhe është prezentë në Kosovë në kuadër  të KFOR-it dhe administratës së re civile ndërkombëtare, në kuadër të EULEX-it  dhe të ICO-së. Duhet të përshëndeten këto raporte të rregullta konstruktive të bashkëpunimit. Kemi gjithashtu edhe një prezencë të biznesit grek në Kosovë. Vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës në të ardhme jo shume të largët për Kosovën do të ndodhë nga Athina, në momentin kur ata shohin interesat e tyre nacionale.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, ka theksuar: 

Ne jemi shumë të nderuar që kemi kryeministrin Thaçi me bashkëpunëtorë, me ministër dhe deputetë të tjerë. Sigurisht që ndihemi mirë sa herë që vjen kryeministri Thaçi këtu. Kjo do të ketë jehonën e vet sa i përket mbjelljes së fidanëve edhe në Ferizaj edhe gjetkë. Ne do të ndjehemi gjithmonë mirë për vepra të mira, siç janë këto.

Last modified: 25 Prill, 2009

Comments are closed.