Prishtinë, 04 shkurt 2008
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në një takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), z.Ali Ahmeti. Ata kanë biseduar për procesin e pavarësimit të Kosovës si dhe bashkëpunimin e Kosovës dhe Maqedonisë.
Z. Thaçi dhe z. Ahmeti kanë vlerësuar bashkëpunimin e mirë midis dy vendeve dhe kanë çmuar rolin konstruktiv të këtij vendi fqinjë gjatë gjithë procesit nëpër të cilin po kalon Kosova. Kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti ka siguruar kryeministrin Thaçi se nuk do të mungojë mbështetja për Kosovën edhe pas pavarësimit të saj.
Kryeministri ka kërkuar që edhe Maqedonia ti bashkohet shteteve që do ta njohin Kosovën pas shpalljes së pavarësisë. Ndryshe, ai ka pohuar se Kosova ka një bashkëpunim shumë të mirë në të gjitha fushat dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Kryeministri Thaçi dhe lideri i BDI-së, z. Ali Ahmeti kanë diskutuar edhe lidhur me demarkacionin e vijës kufitare midis Kosovës dhe Maqedonisë. Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se për këtë çështje ekziston vullneti i mirë dhe se shënimi i kufirit do të bëhet në bazë të marrëveshjes midis Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë me ndërmjetësimin e NATO-s dhe faktorit ndërkombëtar.
Last modified: 4 Shkurt, 2008