Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Sot Qeveria që udhëheq unë po fillon projektin më të madh dhe më të rëndësishëm pas pavarësisë së Kosovës, projektin më të madh në historinë e saj

25 Prill, 2010

Prishtinë, 25 prill 2010

Në vazhdim po e japim të plotë fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

I nderuari president i Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu,
I nderuari kryeparlamentar z. Krasniqi,
Të nderuar ministra, deputet,
I nderuari kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z. Salih Berisha,
I nderuari ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell,
Ambasador i Britanisë së Madhe Endru Sparks,
Ambasador i Francës,
Ambasador i Turqisë,

Të gjithë ju prezentë në këtë tubim madhështorë jo vetëm për qytetarët e Kosovës, për shtetin e Kosovës dhe për Shqipërinë, por për gjithë rajonin, prandaj më lejoni që t’ju falënderoj për pjesëmarrjen e tuaj, të shpreh admirimin dhe respektin më të lartë për këtë punë madhështor që po fillojmë e që është kontribut i të gjithëve.

Dëshiroj që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të shpreh edhe një përshëndetje nga zemra dhe shtetërore edhe për përfaqësuesit e Kompanisë ndërtuese Betchel – Enka, z. Maykel Adams dhe përfaqësuesit të Enka-s, z. Tarik Shara.
           

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, të dashur shqiptar në Kosovë dhe kudo që të jeni edhe në diasporë, secili nga ne sot për një çast duhet të mendojmë ku ishte Kosova vetëm 11 vite më parë. E pushtuar, duke përjetuar një gjenocid të paparë, me një masë të madhe të njerëzve të deportuar, Kosova ishte fushëbetejë për liri. E fituam atë fushëbetejë, e fituam atë betejë të paparë, e fituam lirinë, dhe pikërisht liria që fituam solli përshpejtimin e shumë projekteve në rajon. Pa lirinë e Kosovës nuk do të ndodhte  ky projekt.

Të dashur qytetarë të republikës së Kosovës,

Sot po nisim  rrugën e kombit, më lejoni t’ju përkujtoj ëndrrën dhe sakrificën e stërgjyshërve dhe baballarëve tanë në kufij të ndarë dhe t’u themi me zë të lartë dhe shtetëror, po, sot në këtë ditë, po e nisim rrugën tonë, rrugën e munguar, rrugën e kombit, rrugën e ëndrrave tuaja dhe ëndrrave tona, rrugën e afrimit dhe të komunikimit, rrugën e zhvillimit ekonomik dhe emancipimit shumëdimensional të shoqërisë kosovare.

Sot po nisim që nga Kosova për Shqipëri. Prizreni me Kukës kishte një distancë një shekullore. Një shekull vuajtje, një shekull përpjekje, një shekull pritje, ky është çmimi i kësaj autostrade që po fillojmë sot.

Zonja dhe zotërinj, sot është një ditë e madhe dhe e shënuar për të gjithë ne.

Sot Kosova, dhe gjithë shqiptarët kudo që jetojnë kanë festë. Po e hapim kapitullin e ri të historisë së Kosovës. Epokën e fuqizimit të zhvillimit ekonomikë të Republikës së Kosovës.

Sot, historia dhe e ardhmja e Kosovës dhe e qytetarëve e Kosovës bëhen një.

Sot Qeveria që udhëheq unë po fillon projektin më të madh dhe të rëndësishëm pas pavarësisë së Kosovës, projektin më të madh në historinë e saj.

Po fillojmë rrugën që na bashkon emocionalisht dhe fizikisht me njeri tjetrin në Evropë.

Sot po e fillojmë rrugën e munguar për Kosovën dhe rajonin. Sot ëndrrën po e bëjmë realitet. Dëshirën dhe ëndrrën e qytetarëve dhe vizionin e Qeverisë së Kosovës po e jetësojmë .

Zonja dhe zotërinj,

Sakrificën dhe vlerat e lirisë sonë po i fisnikërojmë . Këtë rrugë po ua dedikojmë heronjve të rënë dhe të gjallë. Kjo rrugë do të shëroj plagët e lirisë invalidëve të luftës . Do të bëjë edhe më krenarë, edhe më të fortë të gjitha familjet e dëshmorëve.

Ua dedikojmë mësuesve tanë që na mësuan ta duam dhe ndërtojmë atdheun tonë .

Po ua dedikojmë mjekëve tanë që na shëruan plagët.

Ua dedikojmë pensionistëve që me djersën e tyre ndërtuan Kosovën , ua dedikojmë komunitetit të biznesit për mundësitë e reja që po u krijohen.

Kjo rrugë është vullneti i qytetarëve , prandaj edhe u dedikohet të gjithëve. Mbi të gjitha këtë projekt madhor ua dedikojmë fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë . Të ardhmes sonë. Sot fillojmë ti lëmë trashëgim rrugën që do ti lidhë me Evropën . Rrugën që tani e tutje nuk do ta bëjnë në kërkim të lirisë por në kërkim të së ardhmes së sigurt të tyre, në shërbim të zhvillimit ekonomik, në shërbim të integrimit.

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, të nderuar dhe të dashur shqiptarë kudo që jeni ,

Përveç dëshirave dhe ëndrrave për integrime kombëtare dhe evropiane , kjo rrugë do të bartë ide, mallra rritje ekonomike Kosovën . Kjo rrugë do të jep shtytje të gjithanshme në shtetin tonë të ri.

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, ju më të merituarit e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës . Ju të gjithë qytetarët e Kosovës jeni ideatorët, arkitektë dhe ndërtuesit  e kësaj autostrade .

Ju falënderoj të gjithëve për besimin dhe mbështetjen . Ky projekt po fillon në Vermicë dhe do të vazhdojë përgjatë Prizrenit , Therandë, Prishtinë e deri në Merdare . Për këtë rrugë nuk do të kursejmë asgjë dhe me çdo çmim do ta realizojmë.

Si kryeministër i shtetit më të ri në botë sot ndihem krenarë dhe i privilegjuar që sot po e fillojmë këtë kryevepër në Republikën e Kosovës.
  

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, të dashur shqiptarë, nga sot nuk ka bjeshkë që do të na ndajë, por do të ketë vetëm rrugë e cila do të na bashkojë.

Sot çdo qytetarë dhe familje kosovare ka më shumë shpresë, optimizëm, besim dhe siguri për të ardhmen e shtetit tonë dhe të familjeve tona.

Sot, secili nga ne ndihet krenar me Kosovën. Ju dëshiroj punë të mbarë të gjithëve që do të jeni të përfshirë në këtë projekt madhor, gjithë qytetarëve të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve e gjithë njerëzve që do të lëvizin në këtë rrugë, rrugë të mbarë e të sigurt.

Urime dhe suksese!

Urime nga zemra të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe të gjithë kontribuuesve për fillimin e ndërtimit të autostradës së ëndrrave të qytetarëve të Kosovës.

Edhe një herë faleminderit

Last modified: 25 Prill, 2010

Comments are closed.