Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Sot paraqesim para jush imazhin e ri të Kosovës, para mbarë botës, me mundësi që të mësojnë për shtetin e ri, për qytetarët e rinj, për shtetin e Kosovës

26 Tetor, 2009

Prishtinë, 26 tetor 2009

Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e Kryeministrit Thaçi:

I nderuar President i Republikës së Kosovës,
Të nderuar Ambasadorë, pjesëmarrës në këtë ceremoni për shtetin e ri të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të kompanisë, Saatchi & Saatchi,
Të nderuar e të dashur evropianë të rinj,

Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua të shpalos këtu, së bashku me ju, promovimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Sot ne prezantojmë, para rrjeteve më të shikuara televizive, imazhin e ri të Kosovës, imazhin e shtetit të Kosovës, imazhin e Kosovës së pavarur, sovrane, demokratike dhe multietnike, imazhin e Kosovës me perspektivë euroatlantike.

Vetëm para dhjetë vitesh bota dhe mediet ndërkombëtare e kanë përcjellë një imazh të dhunës, një imazh të dhimbshëm të realitetit të Kosovës dhe të luftës në Kosovë.

Fatmirësisht qytetarët e Kosovës, falë sakrificës së madhe dhe ndihmës ndërkombëtare, arritën ta fitojnë lirinë. Tashmë, Kosova ka ndërtuar institucione demokratike dhe nga 17 Shkurti 2008, pas një shekulli errësirë, Kosova zuri vendin e vet në mesin e kombeve të lira të botës.

Ndryshoi gjithçka në imazhin e Kosovës. Kosova u bë vend i lirë, vend i njohur ndërkombëtarisht, vend demokratik, paqësor dhe i progresit.

Sot paraqesim para jush imazhin e ri të Kosovës, para mbarë botës, me mundësi që të mësojnë për shtetin e ri, për qytetarët e rinj, për shtetin e Kosovës.

Shfrytëzojë këtë rast që të ftojë të gjithë qyfterët e Kosovës të jenë pjesë e imazhit të ri dhe të punojmë edhe më tej për të ngritur këtë imazh dhe për njohje të reja.

Urime dhe përgëzime!     

Last modified: 26 Tetor, 2009

Comments are closed.