Prishtinë, 14.02.2012
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, edhe sot vazhdoi vizitën nëpër komunat e Kosovës, për të parë nga afër situatën e krijuar, pas reshjeve të mëdha të borës.
Fillimisht, kryeministri Thaçi i shoqëruar nga ministri i FSK-së Agim Çeku, ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi dhe deputeti Elmi Reçica u ndal në Ferizaj, ku kryetari Bajrush Xhemajli e informoi gjerësisht me gjendjen e rrugëve dhe punën që ka bërë komuna për të ndihmuar banorët në lëvizjen e lirë. Pavarësisht vështirësive, u konstatua se situata është nën kontroll dhe e menaxhueshme, dhe pavarësisht vështirësive, të gjitha rrugët janë të kalueshme.
“Ne do t’i përgjigjemi si Qeveri e Republikës së Kosovës çdo kërkese që vije nga autoritete komunale, në rast të ndonjë nevoje të re. Pra, do të kemi një bashkëpunim të ngushtë në hapat e mëtutjeshëm. Ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe tash kur pritet fillimi i shkrirjes së borës, në mënyrë që mos të ketë pasoja nga ndonjë vërshim eventual” theksoi kryeministri Thaçi.
Më pas kryeministri Thaçi ka vizituar edhe Komunën e Kaçanikut. Kryetari i Komunës, Xhabir Zharku ka njoftuar kryeministrin Thaçi lidhur me situatën në këtë komunë . Të gjitha rrugët që lidhin Kosovën me fqinjët janë të kalueshme. Në Komunën e Kaçanikut është punuar intensivisht që problem mos të kenë as banorët e fshatrave më të largëta, theksoi z. Zharku .
“Çdo kërkese të Kaçanikut dhe të gjitha komunave të Republikës së Kosovës , Qeveria do t i përgjigjet në bazë të kushteve dhe mundësive . Qëllimi i këtyre vizitave është që t i harmonizojmë veprimet tona institucionale në mënyrë që ti kryejmë të gjitha obligimet “, ka thënë kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi me këtë rast ka falënderuar kryetarët e komunave Ferizaj dhe Kaçanik por edhe gjithë autoritetet komunale për punën e shkëlqyer që e kanë bërë në tejkalimin e kësaj situate. Pos tyre, kryeministri shprehu falënderim të veçantë edhe për vetë qytetarët që u solidarizuan me njëri-tjetrin dhe mundësuan përballimin më të lehtë të vështirësive të krijuara nga moti i lig.