Prishtinë 26 Nëntor 2012
Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Akademinë solemne të organizuar për të shënuar 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, që u mbajt sot në Prishtinë
Zonja dhe zotërinj,
Vetëm dy ditë na ndajnë nga ngjarja më e madhe e historisë së popullit shqiptar përgjatë tërë ekzistencë së tij, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, njëqind vjet më parë.
Më 28 nëntor 1912 Kuvendi i Vlorës, me praninë e delegatëve të shumicës së viseve shqiptare shpalli pavarësinë e Shqipërisë, duke nënkuptuar tërë viset ku jetonte dhe vepronte popullsia shqiptare.
Në qytetin e Vlorës po kurorëzohej përpjekja e kombit shqiptar për të dalë nga robëria shekullore, në rrethana të ndjeshme politike në fillimin e dekadës së dytë të shekullit njëzet.
Shqiptarët i shpëtuan zhdukjes dhe asimilimit bazuar në origjinalitetin e racës, gjuhës, traditave, grupimit etnik kompakt, karakterit dhe individualitetit që i shquante mes kombeve të Ballkanit.
Pas epokë së Skënderbeut, ishte Rilindja Kombëtare si lëvizje kulturore, politike dhe emancipuese që formësoi edhe më shumë vetëdijen kombëtare të shqiptarëve.
Kjo lëvizje krijoi organizatën politike dhe ushtarake, Lidhjen e Prizrenit, më 1878, që intensifikoi përpjekjet për mbrojtjen e territoreve shqiptare.
Shpërbërja e Perandorisë Osmane krijoi rrethana të reja në Ballkan dhe rrezik të ri të copëtimit dhe ndarjes së tokave shqiptare.
Edhe në këtë kohë nuk mungoi vizionariteti politik dhe veprimi luftarak i shqiptarëve për mbrojtjen e qenies së tyre kombëtare dhe gjeografike.
Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe përfaqësues të tjerë me ndikim, reaguan me zgjuarsi, guxim dhe pjekuri.
Ata vepruan në rrafshin diplomatik dhe ushtarak, duke organizuar kryengritje anembanë viseve shqiptare, veçanërisht në Kosovë, ku aspiratat hegjemone të shteteve të reja të Ballkanit kishin dalë hapur.
Në rrethana të vështira, lëvizja politike kombëtare shqiptare kishte përpunuar idetë për fatin e tokave shqiptare, dhe midis opsionit të autonomisë brenda Perandorisë Osmane dhe Pavarësisë, fiton i dyti.
Patriotët shqiptarë, të prirë nga diplomati, burrështetasi, ideologu dhe burri i urtë, Ismail Qemali, kuptuan se kishte ardhur momenti i sublimit të interesave dhe synimeve të popullit shqiptar.
Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, u shpall Shqipëria shtet i pavarur.
Kjo e arritur ishte historike, por jo e plotë, jashtë cilës kishin mbetur më shumë se gjysma e territoreve.
Kryetar i Qeverisë së Parë Shqiptare, u zgjodh Ismail Qemali.
Ismail Qemali ishte një figurë komplekse, me një përgatitje të larë intelektuale, me erudicion në fushën e legjislacionit, diplomat me përvojë dhe burrështetas i sprovuar.
Ismail Qemali ishte mbrujtur me idetë filozofike më përparimtare të kohës, duke u shquar për frymën liberale dhe shpirtin demokratik.
Ismail Qemali mbetet ndër personalitet shqiptare më të nderuara, më të respektuara në të gjitha kohët, deri më sot, në saje të integritetit të fuqishëm të cilësive intelektuale dhe të karakterit që kishte.
Për aq sa drejtoi qeverinë, pra brenda 14 muajsh ai vuri bazat e shtetit shqiptar:
1. Siguroi ekzistencën e shtetit shqiptar,
2. Filloi ngritjen e institucioneve të para shtetërore,
3. Përcaktoi një politikë të jashtme të paqes, neutralitetit dhe ekuilibrit rajonal
4. Hodhi themelet e arsimit kombëtar
5. Profilizoi kahen perëndimore të kombit shqiptar.
Për ta ruajtur unitetin kombëtar dhe politik, në një moment të ndjeshëm, Ismail Qemali, me vetëdijen e burrështetasit koherent dhe parimor, u tërhoq nga jeta politike e vendit të tij
Deri në vdekje, në botën e jashtme, në vendet perëndimore, Ismail Qemali nuk e ndali asnjëherë punën dhe aktivitetin në të mirë të Shqipërisë.
Zonja dhe zotërinj,
Për frymën perëndimore që parapëlqyen themeluesit e shtetit shqiptar, që në vigjilje të Shqipërisë së Pavarur mjafton të shihen paragrafët e Memorandumit të 2 janarit 1913.
Anëtarët e delegacionit shtetëror Rasih Dino, Memet Konica dhe Filip Noga, ministrit të Jashtëm të Anglisë, Edward Gray, që ishte njëkohësisht edhe kryetar i Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër, i shkruanin:
Në qoftë se Shqipëria nuk mund t’u shkojë pas kombeve të Perëndimit, në vrullin e admirueshëm të përparimit e të qytetërimit të tyre, arsyet e kësaj pas ngeljeje duhen kërkuar në kushtet jo të favorshme që e rrethonin atë…
…Populli shqiptar ka vuajtur nën sundime të huaja. Ai ka bindjen se e meriton të radhitet ndër kombet e Perëndimit, të cilët ai shpreson se do ta ndihmojnë këtë tokë, që nuk kërkon veçse të begatet.
Zonja dhe zotërinj,
Sot, kur nderojmë themeluesin e shtetit shqiptar, nuk kemi si të mos rikapitulojmë fatin historik të trojeve që mbetën jashtë Shqipërisë londineze.
Nuk ka epitet politik më kundërthënës dhe negativ se shprehja Shqipëri londineze.
Kjo për faktin që Londra është thelbi i anglosaksonizmit, metropol diplomatik, politik, kulturor dhe administrativ në të cilin përpunimi dhe mishërimi i demokracisë nuk ka lejuar kurrë të shfaqet asnjë lloj ekstremizmi diktatorial apo monist.
Kosova, ajo që kishte dhënë kontributin themelor për Pavarësinë e Shqipërisë, me kryengritjet e ideruara nga Hasan Prishtina, dhe shumë vise tjera kishin mbetur jashtë Shqipërisë.
Rreth njëqind vjet përpjekje për liri iu deshën Kosovës për të arritur deri tek qershori vitit 1999, kur përfundimisht nga toka e saj u larguan administrata, ushtarët, policët dhe tanket e ushtrisë serbe.
Në vend të tyre, mbeti fuqishëm kudo Ushtria Çlirimtare e Kosovës, hynë forcat e NATO-s makineria ushtarake e KFOR – it, në mesin e të cilave edhe trupat londineze.
Historia, e mbështetur në gjakun e dëshmorëve dhe rezistencën qytetare të Kosovës, korrigjoi vendimin e Konferencës Ambasadorëve, aty ku 99 vjet më parë delegacioni shqiptar parashtronte kërkesa për mos copëtimin e trojeve shqiptare.
Zonja dhe zotërinj,
Njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë shqiptarët e presin me dinjitete dhe krenari.
Bazë e këtij dinjiteti është fakti se Kosova dhe Shqipëria festojnë të dyja në pozicionin dinjitoz historik të ngadhënjimtarit.
Shqipëria është shtet anëtar i aleancës më të rëndësishme ushtarake dhe të sigurisë botërore, anëtare e NATO-s.
Nuk do të kish shkëlqimin, solemnitetin dhe elegancën e tashme celebrimi i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë pa Pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008.
Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.
Pavarësia e Kosovës është njohur nga afër 100 shtete, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet më të fuqishme të BE-së dhe shumë të tjera anembanë globit.
Kosova është shtet i ri, i vendosur për të ecur i sigurt në rrugën e demokracisë, lirisë, përparimit dhe integrimit në institucionet euroatlantike.
Zonja dhe zotërinj,
Në këtë përvjetor të njëqind të Pavarësisë, në Ditën e Festës së Flamurit, shpreh bindjen e plotë dhe besimin e pathyeshëm se Shqipëria dhe Kosova e shekullit 21 do të jenë shtete evropiane.
Urime Festa e Flamurit!