Kryeministri Thaçi: Raporti i “Freedom House”, vlerëson lartë progresin e arritur – është raporti më i suksesshëm deri më tani i nxjerrë për Kosovën


Image


Image


Prishtinë, 2 korrik 2009

Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi në konferencën e sotme për media.

Tani më Kosova edhe zyrtarisht u anëtarësua në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme e shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik vetëm për një vit të pavarësisë, si rezultat kryekëput i punës së madhe të bërë në Kosovë, i suksesit të konsoliduar të shtetit tonë, i funksionimit demokratik dhe efektiv të institucioneve qendrore dhe lokale, i rritjes së transparencës në punë, i sundimit të ligjit, i luftës së pakompromis kundër korrupsionit dhe dukurive tjera negative, i ndërtimit të shoqërisë civile, i përkushtimit për bërjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bankën Botërore, OPIC dhe organizatat tjera financiare ndërkombëtare, janë të një rëndësie të veçantë, sepse kjo ka dërguar mesazhin nga gjithë bota demokratike se në Kosovë është ndërtuar klimë e mirë për biznesin.

Kosova është vend atraktiv, shtet i ri, me mundësi të mëdha, mundësi këto, të cilat do të shfrytëzohen maksimalisht prej Qeverisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në kudër të kësaj, dëshiroj të falënderoj edhe njëherë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të gjitha shtete që e kanë përkrahur anëtarësimin e Kosovës në FMN, që janë 139 prej tyre, nga të cilat 60 nga ato e kanë njohur shtetin e Kosovës, ndërsa të tjerat janë në proces të njohjes.

Anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe mekanizmat tjerë, për aq sa është mbështetje politike, është edhe një kapitull i ri i fillimit real të zhvillimit ekonomik, por edhe i konsolidimit dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës.

Gjithashtu, në kuadër të këtyre sukseseve për Republikën e Kosovës, kemi edhe raportin e “Freedom House”, që vlerëson lartë zhvillimet e vitit 2008 dhe nxjerr si përfundim që vendi ynë ka arritur progres të përgjithshëm gjatë vitit të parë të pavarësisë.

Raporti i “Freedom House”, vlerëson zhvillimet e vitit 2008 dhe ky është raporti më i suksesshëm deri më tani i nxjerrë për Kosovën.

Raporti vlerëson se Qeveria e Republikës së Kosovës ka arritur të mbajë stabilitet të qëndrueshëm dhe ka thelluar konsolidimin institucional efektiv, rritjen e transparencës, përkundër sfidave të shumta me të cilat jemi përballur.

Përkushtimi ynë për të implementuar provizionet e propozimit të presidentit Ahtisaari, është vlerësuar lartë dhe ne do të vazhdojmë me këtë trend.

Kuvendi ka miratuar 100 ligje, nga ato, 50 të lidhura drejtpërdrejtë me dokumentin e presidentit Ahtisaari.

Po ashtu, vlerësohet progresi i arritur në qeverisjen lokale, si rrjedhojë e progresit të arritur në procesin e reformimit të pushtetit dhe përmirësimit të qeverisjes lokale.

Ngecjet e identifikuara në sistemin gjyqësor, janë shqetësim që nga dita e parë edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ne kemi qenë edhe insistues, por në të njëjtën kohë edhe kritikues të zëshëm në këtë drejtim.

Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë të thellohen reformat, si kusht i domosdoshëm për të fituar edhe drejtësia në Kosovë.

Ne, si Qeveri e Republikës së Kosovës, do t’i përmbushim të gjitha obligimet brenda kompetencave tona, për të thelluar reformat e nevojshme, kompetenca këto që dalin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, mediat i konsiderojmë partnerë dhe angazhohemi për të krijuar një ambient edhe më të përshtatshëm për zhvillimin e tyre të pavarur.

Organizatave të shoqërisë civile dhe atyre joqeveritare, iu kemi ofruar dhe do të vazhdojmë t’u ofrojmë partneritet dhe mbështetje në tejkalimin e sfidave që janë identifikuar në raport.

Kosova, në disa raporte ndërkombëtare është vlerësuar e fundit për nga niveli i korrupsionit dhe, angazhimet e Qeverisë në luftimin e kësaj dukurie, janë vlerësuar lartë.

Ne zotohemi se përkushtimet do të jenë të pakursyera dhe motoja, zero tolerancë ndaj korrupsionit, do të vazhdojë.

Por, që të kemi sukses të plotë në luftën kundër korrupsionit, kërkohen reforma të thella në drejtësi dhe vetë drejtësia të fitojë në Kosovë.

Për sa i përket procesit zgjedhor, ne besojmë fuqishëm se zgjedhjet lokale të këtij viti do të dëshmohen të pastra, të lira, demokratike, të standardeve perëndimore, si vazhdimësi e procesit shembull që kemi pasur edhe në të kaluarën e afërt.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors