Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Qeveria të cilën e udhëheq unë është qeveri e realizimit të premtimeve. Është dhe do të jetë qeveri e vendimeve të mëdha në të mirën e gjithë qytetarëve të vendit. Ne do të realizojmë edhe më tepër se zotimet në mandatin katërvjeçar 2011-2014

6 Janar, 2011

Prishtinë, 06.01.2011

Qeveria e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, në mbledhja e parë për vitin 2011, ka marrë vendim për rritjen e pagave për sektorin publik në Kosovë.

Në hapje të mbledhjes kryeministri Hashim Thaçi, kabinetit të tij qeveritar dhe gjithë popullit të Kosovës u ka uruar Vitin e ri 2011.

“Ne kemi theksuar vazhdimisht se premtimet tona dhe besimin qytetar për ne e shndërrojmë në vendime dhe vepra tona. Prandaj ky vit është viti i angazhimeve të mëdha të institucioneve të Republikës së Kosovës, por në veçanti e Qeverisë së Republikës së Kosovës, viti i angazhimeve për Kosovën evropiane, për Kosovën e zhvilluar, për Kosovën integruese, për Kosovën e investimeve kapitale, për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies sociale, për rend dhe ligj, pra për një perspektivë të gjithanshme”, theksoi z. Thaçi, duke propozuar  nxjerrjen e disa vendimeve të rëndësishme, vendime këto të cilat ndërlidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarit, me përmirësimin e jetës së qytetarit.

“Ne jemi deklaruar dhe jemi zotuar se nga janari do të ketë rritje të pagave për sektorë të ndryshëm në Kosovë. Prandaj do të vazhdojmë me investime kapitale fuqishëm, do të vazhdojmë me rritjen e mirëqenies sociale, dhe do të punojmë për krijimin e mundësive të reja zhvillimore, që do ta bëjnë vendin tonë shumë atraktiv, që çdo qytetar do të ndjehet mirë. Prandaj, i siguroj dhe garantoj të gjithë qytetarët e RK se atë që e kam premtuar do t’i realizojë”, theksoi z. Thaçi duke shtuar se ato zotime kanë qenë vendime shtetërore, të cilat nga sot janë vendime shtetërore.

“Sot me kënaqësinë më të madhe dhe përgjegjësinë më të lartë shtetërore paraqes për aprovim propozim-vendimin për rritjen e pagave në sektorin publik të Kosovës. Me këtë vendim të gjithë të punësuarit në këta sektorë në fund të muajit janar në llogaritë bankare do t’i kenë pagat me rritje. Kjo do të thotë se një stimulim shtesë për punën që bëjnë arsimtarët, mjekët, punëtorët… policët, zjarrfikësit, shërbyesit civilë. E di se ka pasur dyshime apo mosbesime nga më të ndryshmet rreth zotimeve të mia para të gjithë qytetarëve të venit. Por sot këto vendime janë të Qeverisë së Kosovës, janë vendime të shtetit të Kosovës. E di se ka pasur edhe zëra se mund të jenë vetëm premtim elektoral, por këto janë vendime shtetërore. Prandaj fushata elektorale i takon vitit të kaluar, tani do të punojmë për implementimin e tyre.

Qeveria të cilën e udhëheq unë është qeveri e realizimit të premtimeve. Është dhe do të jetë qeveri e vendimeve të mëdha në të mirën e gjithë qytetarëve të vendit. Ne do të realizojmë edhe më tepër se zotimet në mandatin katërvjeçar, pra 2011-2014”, pohoi z. Thaçi, duke shtuar se kjo është rritje e pagave e merituar për qytetarët e Kosovës, për familjet kosovare. Ne të gjithë i gëzohemi këtij vendimi, i cili nuk do të jetë i fundit gjatë këtij mandati. Përderisa unë të vazhdoj të jem kryeministër, dhe unë kam besimin qytetarë, do të vazhdojë me investime të fuqishme në të gjithë sektorët. Së shpejti do të ketë rritje pagash edhe në sektorin e drejtësisë. Në qeverisjen time, sistemi i drejtësisë është plotësuar me ligje moderne të standardit evropian dhe gjyqtarët tanë do të kenë pagën më të lartë se në shumë vende të botës. Kjo bëhet nga janari i këtij viti, me të vetmin qëllim që të rritet efikasiteti në sistemin e drejtësisë, sepse rritja e pagave në sistemin e drejtësisë, në polici, është edhe forcim i rendit dhe ligjit, është edhe forcim i betejës ndaj së keqes dhe fenomeneve negative, korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve.

Në vazhdim Qeveria ka miratuar vendimin për rritjen e pagave në këto sektore.

1.     Për mësimdhënësit parauniversitar 50 për qind mbi pagën bazë.

2.     Pas hyrjes në fuqi të ligjit për vlerat e luftës… nga janari pagat për 50 për qind për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës

3.     Për Policinë e Kosovës 40 për qind mbi pagën bazë duke përjashtuar shtesat jashtë pagës bazë.

4.     Shërbyesit civilë 30 për qind mbi pagën bazë duke përjashtuar shtesat jashtë pagës bazë.

5.     Oficerët doganorë dhe personelin e ATK-së 30 për qind.

6.     Sektorin shëndetësor 30 për qind mbi pagën bazë.

7.     Zjarrfikësit 30 për qind mbi pagën bazë.

8.     Pensionet për minatorët sipas memorandumit të mirëkuptimit.

Në vazhdim kryeministri Thaçi ka theksuar se mund të ketë edhe të tillë që do të shtrojnë pyetje se prej nga do të paguhet rritja e pagave të gjithë këtyre sektorëve. E theksoj se ne do ta rrisim disiplinën financiare, do të rrisim maksimalisht kursimet, do të bëjmë rritjen e inkasimeve, dhe këtu kërkohet një angazhim shumë i doganave… do të ulet maksimalisht informaliteti, si dhe do të bëjmë rregullimin e strukturës apo ri-rregullimin e strukturës buxhetore. Por në asnjë rrethanë rritja e pagave për të gjithë këta sektorë nuk do të ndikojë në uljen e investimeve kapitale, përkundrazi vetëm sa do të rriten këtë vit investimet kapitale. Vetëm për Autostradën Vërmicë – Merdare, që tani ka arritur në kilometrin e 24, janë zotuar 275 milionë euro për të punuar 365 ditë 24 orë në ditë. 

Last modified: 6 Janar, 2011

Comments are closed.