Prishtinë, 01 mars 2010
Në mbledhjen e 111-të, të rregullt të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është aprovuar Projektligji për Gjykata në Kosovë dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ujitjen e Tokave Bujqësore.
Duke riafirmuar angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për reformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se gjykatat në Kosovë, me aprovimin e Ligjit për Gjykatat, do të jenë më efikase dhe do të përmbushin misionin e tyre për zbatimin dhe mbrojtjen e ligjit, duke funksionuar shpejtë dhe drejtë në zgjidhjen e lëndëve gjyqësore.
Ligji i ri për gjykatat përcakton formën organizative të gjykatave në Kosovë dhe shtrirjen e tyre në të gjitha qendrat e Kosovës, me shtatë gjykata themelore dhe degët e tyre nëpër komunat e Kosovës.
Qeveria ka aprovuar edhe Projektligjin për ndryshimet dhe plotësimin e Ligjit për ujitjen e tokave bujqësore, duke synuar që me këto ndryshime dhe plotësime, ligjin ta bëjë të implementueshëm dhe në pajtim me direktivat e BE-së në këtë fushë.
Me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për ndarjen e mjeteve për shënimin e 100 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të udhëheqë me Këshillin Organizativ për shënimin e këtij jubileu dhe vitin 2010 do ta shpallë “Vit të Nënë Terezës”. Gjatë tërë vitit 2010 do të organizohen manifestime të ndryshme kulturore dhe shkencore në përkujtim të humanistes së madhe Nëna Terezë.
Last modified: 1 Mars, 2010