Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarët në veri – Qeveria e Kosovës është në konflikt me strukturat ilegale dhe kriminale

1 Shtator, 2011

Prishtinë, 1 shtator 2011

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e sotme për media, pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë, iu është përgjigjur interesimit të medieve për gjendjen në veri.

“Ne kemi deklaruar edhe më herët dhe deklarojmë edhe sot, se për dhunën dhe djegien e pikave kufitare në veri, përgjegjës është Beogradi, edhe për dhunën e treguar ndaj pjesëtarëve të policisë së Kosovës, por tani kemi informacione të plota se Beogradi qëndron edhe pas dhunës në vazhdim” është shprehur z.Thaçi.

“Beogradi qëndron pas strukturave ilegale dhe kriminale, me financimin e rregullt të tyre. Kam kërkuar edhe personalisht nga z.Cooper, përfaqësues i Bashkimit Evropian, që Beogradi të sillet në mënyrë evropiane edhe në raport me Kosovën dhe në asnjë rrethanë të mos lejohen gjëra të tilla. Ne duam që Serbia të jetë pjesë e BE-së, por si parakusht të jetë edhe sjellja evropiane edhe ndaj Kosovës” – theksoi kryeministri Thaçi.

“Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarët në veri. Qeveria e Kosovës është në konflikt me strukturat ilegale dhe kriminale, që kanë funksionuar tash e 12 vite” – ka thënë kryeministri Hashim Thaçi dhe ka shtuar:

“Por, është jashtëzakonisht inkurajuese puna e përbashkët tani që po bëhet mes institucioneve të Kosovës, mekanizmave përkatës investigues dhe atyre ndërkombëtar dhe aksionet e njëpasnjëshme për kapjen e vazhdueshme të strukturave ilegale dhe kriminale. Kanë ndodhur aksione edhe dje, edhe sot dhe do të ndodhin edhe në të ardhmen dhe këto aksione nuk do të ndalen deri në shpartallimin e plotë të gjithë njerëzve që kanë shkelur rendin dhe ligjin. Para drejtësisë do të dalin të gjithë bartësit e këtyre strukturave kriminale dhe ilegale”.
 

Last modified: 1 Shtator, 2011

Comments are closed.

×