Prishtinë, 26 prill 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosoves, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministrat Enver Hoxhaj, Mahir Jakgjillar dhe Idriz Vehapi ka qëndruar sot në Komunën e Prizrenit.
Fillimisht kryeministri Thaçi është ndalur në lagjen Bazhdarhane në hyrje të qytetit ku në kuadër të aksionit “Një qytetar, Një fidan”mbolli një fidan. Po në këtë lagje bashkë me kryetarin e komunës ka përuruar rregullimin e parkut në Bazhdarhane.
Z. Thaçi i shoqëruar nga udhëheqësit komunal dhe shumë qytetarë ka vizituar Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, me ç rast në oborrin e këtij monumenti historik ka mbjell një fidan.
Në sheshin “Shadervan” kryeministri Thaçi është përshëndetur nga të rinjtë dhe qindra qytetarë prizrenas me të cilët ka kaluar disa qaste pushimi.
Z. Thaçi ka thënë se ndjehet shumë mirë që sot në kuadër të aksionit “Një qytetar, Një fidan” është në Prizren për të vazhduar këtë projekt . Në komunën e Prizrenit do të mbillen 30 hektar me fidane që është projekt i qeverisë, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se Prizreni është kryeqyteti ynë shpirtëror por në anën tjetër edhe qyteti i bukurisë dhe do ta bëjmë edhe më të bukur dhe më të dashur. Do ta bëjmë që çdo qytetar që jeton në Prizren të ndihet krenar me historinë dhe bukurinë e këtij qyteti.
“Ne po e ndërtojmë, po e mbjellim Kosovën e re. D o të kemi më tepër hapësira të gjelbëruara që është në interesin e shëndetit tonë dhe të fëmijëve tanë”, pohoi z. Thaçi. Kryeministri Thaçi ka falënderuar udhëheqjen komunale për punën e mirë që ka bërë dhe ka premtuar mbështetjen e qeverisë për përmirësimin e ambientit në Prizren dhe në gjithë Kosovën.
Last modified: 26 Prill, 2009