Prishtinë, 12 shkurt 2008
Do të ketë ofrim të shërbimeve sa më cilësore për të gjithë bashkatdhetarët tanë që kanë shprehur dëshirën të vijnë në ditët e festës së madhe të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kështu është thënë në takimin e sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe përfaqësuesve të kompanive për transportin e udhëtarëve dhe agjencive turistike të Kosovës.
Kryeministri Thaçi ka vlerësuar në këtë takim se diaspora shqiptare ka investuar gjithmonë për liri, pavarësi dhe shtet të Kosovës, dhe për këtë do të jetë mirënjohës gjithmonë Kosova si shtet. Z. Thaçi ka kërkuar që t’u lehtësohet maksimalisht ardhja dhe t’u ofrohen shërbime të mira të gjithë bashkatdhetarëve, që kanë shprehur dëshirën të jenë pranë familjeve të tyre në ditët e festimit të pavarësisë dhe që në asnjë rrethanë të mos ngrihen çmimet e biletave gjatë këtyre ditëve. “Mund të them që kemi një marrëveshje mirëkuptimi për përkrahjen e duhur nga institucionet shtetërore dhe kompanitë, për lehtësimin e udhëtimit të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në diasporë, në SHBA, apo në Evropën Perëndimore, të cilët kanë shprehur interesim të jenë pranë familjeve të tyre në ditën e festës së madhe”, është shprehur kryeministri Thaçi.
Më këtë rast përfaqësuesit e kompanive për transportin e udhëtarëve dhe agjencive turistike janë zotuar dhe kanë premtuar se nuk do të ketë ngritje çmimesh, por do të ofrojnë kapacitete të mjaftueshme për të gjithë ata që dëshirojnë të vijnë gjatë ditëve të festës së pavarësisë së Kosovës.
Last modified: 12 Shkurt, 2008