Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi priti në takim një grup nxënësish të Shkollës Fillore “Mileniumi i Tretë” në Prishtinë

28 Shkurt, 2008

Prishtinë, 28 shkurt 2008

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot një grup nxënësish të Shkollës Fillore “Mileniumi i Tretë” nga Prishtina, me ç’rast ka theksuar se fëmijët dhe nxënësit tanë tashmë e kanë shtetin e tyre që quhet Republika e Kosovës.
 
Kryeministri Thaçi ka thënë para shkollarëve të vegjël se shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës do të jetë një shtet demokratik, në të cilin të gjitha qytetarët do të gëzojnë të drejtat e tyre dhe në të cilin do të respektohen ligjet dhe rregullat. “Kosova do të ketë një zhvillim ekonomik, me perspektivë të qartë të integrimit në strukturat euroatlantike, duke thelluar edhe më tutje miqësinë me SHBA-të, shtetet anëtarë të BE-së dhe vendet tjera demokratike të botës”. 

Z.Thaçi në fund të takimit iu ka përgjigjur disa pyetjeve të vizitorëve të vegjël dhe ua ka dhuruar flamurin e Republikës së Kosovës. Gjatë kësaj vizite nxënësit e Shkollës Fillore “Mileniumi i Tretë” patën rastin të vizitojnë edhe  hapësirat e punës në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës dhe sallën e mbledhjeve të kabinetit qeveritar.  

Last modified: 28 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×