Prishtinë, 7 prill 2009
I nderuari ambasador Moshopulos, shef i zyrës greke në Prishtinë,
Ministër Shala,
Ministër Zharku,
Të nderuar biznesmenë nga Greqia,
Të nderuar biznesmenë nga Kosova
Kam kënaqësinë e veçantë që t’ju uroj mirëseardhje në Prishtinë. Është një nder i madh për Kosovën të pret një delegacion të volumit dhe rangut të tillë. Dëshiroj të falënderoj ambasadorin Moshopulos për angazhimin e tij diplomatik dhe personal për mbajtjen e Forumit Kosovar – Grek të Biznesit.
Shpreh falënderimet e mia të sinqerta që ju të nderuar, anëtarë të komunitetit të biznesit grek keni zgjedhur të vizitoni Kosovën, si vend që premton zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe siguri për kapitalin privat.
Dhe më lejoni t’ju them këtu se keni zgjedhur pikërisht një vend i cili ofron siguri për investimet e jashtme dhe fitimet që ato gjenerojnë.
Realiteti i ri në Kosovë, pavarësia e Kosovës, ka hapur rrugë të qarta dhe të sigurta për zhvillim dhe integrim politik e ekonomik të Kosovës në botë.
Në vazhdën e zhvillimeve të reja dhe realitetit të ri politik, ne çmojmë lartë vendimin e autoriteteve greke për krijimin e kushteve për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës përmes pranimit të pasaportave të Kosovës.
Jemi të bindur se ky akt forcon marrëdhëniet midis dy vendeve tona, mundëson qarkullimin më të lirë të mallrave, shërbimeve dhe fuqisë punëtore, dhe siguron bashkëpunim të qëndrueshëm të të gjitha niveleve.
Trendet e zhvillimit ekonomik tregojnë se Kosova është në rritje të qëndrueshme ekonomike.
Bazuar në vlerësimet më të fundit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, performanca e ekonomisë për vitin 2008 ka qenë mjaft premtuese.
Kjo reflektohet me një rritje të qëndrueshme ekonomike prej 5.5 për qind, ruajtjen e nivelit të ulët të inflacionit dhe rritje të të ardhurave vjetore për kokë të banorit.
Këto rritje në fakt gjithnjë e më shumë i ofrohen mesatares së rritjes ekonomike të vendeve në rajon, dhe vijnë si rezultat i rritjes së të eksporteve dhe investimeve të huaja, duke përfshirë këtu investimet private si dhe ato publike.
Ju të nderuar përfaqësues të biznesit, këtu në Kosovë do të gjeni një sektor bankar me shërbime nga më të ndryshmet, kualitet të mirë, dhe me çmime të pranueshme.
Është e drejtë të thuhet se ky sektor është nga më të zhvilluarit në Kosovë dhe bazuar në indikatorët kryesor të këtij sektori, është edhe nga më të mirët në rajon.
Viti 2008 u karakterizua me rritje të vazhdueshme të depozitave dhe kredive, rritje të kualitetit të shërbimeve dhe në të njëjtën kohë ky sektor po vazhdon të tërheq investitorë shumë serioz nga vendet me përvojë në këtë fushë.
Kosova si e tillë ka pasur dhe vazhdon të ketë një qëndrueshmëri fiskale, dhe në të shumtën e rasteve, një politikë publike gjithnjë në përkrahje të zhvillimit të sektori privat.
Në vitet në vijim, qeveria do të vazhdojë të rrisë buxhetin për shpenzime kapitale, mjete të cilat pritet të shkojnë në projekte produktive të ekonomisë.
Ne mbetemi të përkushtuar për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, për t’ju ofruar kështu bizneseve kosto më të ulët të prodhimit.
Për më tepër, nga janari i këtij viti ka filluar aplikimi i normave të reja më të ulëta tatimore, ndryshime këto pozitive të cilat priten të rezultojnë në tërheqjen më të madhe të investimeve dhe inkurajimin e qytetarëve për kursime më të mëdha.
Kosova ofron mundësi të shumta investimi:
• Pasuri me resurse natyrore: lignit, plumb, zink, nikel dhe tokë pjellore;
• Popullatë të re dhe të motivuar (70% nën moshën 35 vjeçare);
• Qasje të lirë në tregun e CEFTA-së dhe tregjeve të vendeve fqinjë;
• Kornizë ligjore moderne dhe në përputhshmëri me atë të BE-së;
• Valutë zyrtare : Euro
Kjo jep të kuptojmë se ne kemi krijuar një ambient të përshtatshëm për investime, duke i ofruar Investitorëve të huaj:
• Trajtim kombëtar (Investitori i huaj trajtohet sikurse investitori vendor);
• Garantim për përdorimin e pakufizuar të të hyrave;
• Procedurë të lehtë dhe të thjesht të regjistrimit të biznesit (brenda një dite);
Ne jemi në proces të angazhimit të sektorit privat në asetet kyçe të sektorit publik në Kosovë, përfshirë aeroportin ndërkombëtarë të Prishtinës, hidrocentralin e Zhurit, termocentralin “Kosova e re,” privatizimin e distribucionit dhe KEK-ut, Postën dhe Telekomin e Kosovës dhe fillimin e procesit të riorganizimit të minierës së “Trepçës.”
Këto projekte do të zgjojnë interesin dhe kërshërinë e shumë investitorëve të fuqishëm strategjik – afatgjatë dhe do të rrisin dukshëm vëllimin e investimeve të jashtme.
Më lejoni që këtu t’ju ftoj gjithë juve që të shikoni më në hollësi këto mundësi dhe pse jo të jeni pjesë e këtyre projekteve.
Vizioni ynë për zhvillimin ekonomik të Kosovës paraqet bazën për një Kosovë – shtet i qytetarëve të saj, i zhvilluar në përputhshmëri me parimet demokratike, me një ekonomi të qëndrueshme, shoqëri shumë-etnike, me përkushtim të plotë kundrejt integrimit Euro-Atlantik dhe natyrisht atij rajonal, përmes zbatimit të kritereve dhe me standardet më të larta të përgjegjësisë dhe transparencës.
Qeveria jonë ka identifikuar një plan me prioritetet strategjike, në mesin e një shkalle të gjerë të prioriteteve zhvillimore, që do ta përshpejtojnë zhvillimin e Kosovës në rrugën e rritjes ekonomike dhe prosperitetit.
Qëllimi ynë është që Kosova t’i realizoj këto prioritete sa më shpejt, duke bashkëpunuar me partnerët të ndryshëm, siç në këtë rast jeni ju, përfaqësues të biznesit grek.
Andaj, më lejoni që së fundi të ju përgëzoj për vizitën tuaj dhe njëkohësisht t’ju siguroj se në Kosovë nuk do të zhgënjeheni dhe se Kosova është e gatshme për çdo lloj bashkëpunimi të ndërsjellët.
Ju faleminderit për vëmendjen Tuaj!
Last modified: 7 Prill, 2009