Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi
I nderuar president Sejdiu,
I nderuar kryetar i Parlamentit, z. Krasniqi,
I nderuar guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës,
Të nderuar ambasadorë,
Të gjithë ju prezentë në këtë konferencë
Zonja dhe zotërinj,
Jam veçanërisht i lumtur që sot marr pjesë në shënimin e dhjetëvjetorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) dhe natyrisht në shënimin e të gjitha sukseseve dhe të arriturave të këtij institucioni, me rëndësi të veçantë për ekonominë e shtetit tonë.
Në periudhën e pasluftës, në momentet dinamike të procesit të pavarësimit të Kosovës, por edhe më tej, Banka Qendrore nuk u lëkund asnjëherë nga parimet e saj statutore.
Sot, Kosova ka konsoliduar rrugën e saj drejt një ekonomie të qëndrueshme tregu dhe drejt një sistemi të shëndoshë financiar.
Banka Qendrore e Kosovës ka luajtur dhe luan një rol themelor në mbikëqyrjen e tregut financiar dhe ky fakt mjaft domethënës, vihet në pah nga shumë faktor me kredibilitet edhe vendor edhe ndërkombëtar.
Zonja dhe zotërinj,
Të gjithë jemi dëshmitar të goditjes së madhe globale që solli kriza financiare. Megjithatë, ndikimi i kësaj krize në vendin tonë nuk pati dhe nuk do të mund të ketë efekte edhe aq të theksuara negative.
Është me rëndësi të theksoj se një nga elementet amortizuese të kësaj krize, ka qenë edhe politikat tona stabile makroekonomike dhe politikat e qarta nga ana e Bankës Qendrore.
Si pjesë e kësaj, suksesi financiar në vend, është rezultat i drejtpërdrejt i punës së Bankës Qendrore, e cila i përmbushi me sukses detyrat e saj kushtetuese dhe ligjore. i ka krijuar kushtet në pajtim me standardet perëndimore, me një sistem financiar konkurrues dhe shumë të qëndrueshëm.
Mesazhi i duhur i qëndrueshmërisë së sistemit bankar tashmë mund të funksionojë si bazë e mirë për lehtësimin e zhvillimit edhe më të madh ekonomik.
Me kuadrin ligjor në fuqi dhe me politikat tona aktive ekonomike dhe fiskale, ne kemi siguruar që sistemi financiar i Kosovës të ofrojë kushte ideale për një treg të lirë.
Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, por edhe ajo që do të ndodh shpejt, anëtarësimi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, është faktor i rëndësishëm për rritjen ekonomike.
Po ashtu kjo forcon edhe më shumë subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Pavarësia e Bankës Qendrore është dhe do të jetë e paprekshme.
I nderuar guvernator, z.Rexhepi,
Tashmë ju, e përfaqësoni shtetin tonë edhe në Bordin e Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Kjo është një arritje shumë e rëndësishme për vendin tonë, paraqet sfidat profesionale dhe kërkon përgjegjësi të lartë.
Andaj, roli juaj, gjegjësisht i Bankës Qendrore duhet të jetë dhe besoj që do të jetë në lartësinë e duhur.
Duke besuar në kapacitetet zhvillimore dhe profesionale të Bankës Qendrore të Kosovës, jam i bindur që në një të ardhme jo shumë të largët, ky institucion do të jetë pjesë e plotë e familjes dhe institucioneve bankare ndërkombëtare.
Po ashtu jam i bindur se do të përmbushni me sukses të plotë sfidat dhe detyrat e juaja dhe natyrisht në këtë do të keni mbështetjen e plotë timen dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Prandaj, duke ju falënderuar ju z.Luboteni, edhe sot me prezencën e presidentit Sejdiu, të kryeparlamentarit Krasniqi, të Qeverisë, të ambasadorit Dell, të cilin e falënderoj për mbështetjen dhe për prezencë, falënderoj të gjithë juve prezentë, besoj me fuqi të plotë se do të keni sukses plotë.
Faleminderit!
Last modified: 30 Tetor, 2009