Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ceremoninë e dhënies së pasaportave të para biometrike
Prishtinë, 31 tetor 2011
I nderuari Ministër i Brendshëm, z. Bajram Rexhepi
Të nderuar ambasadorë, zëvendësambasadorë, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar
Të nderuar punëtor dhe staf i Ministrisë së Punëve të Brendshme
Sot është një ditë e re, ditë e suksesit për Republikën e Kosovës, dita e Kosovës Evropiane.
Ashtu siç kemi premtuar, dhe premtimi jonë po realizohet, që deri në fund të tetorit, do të lëshojmë pasaportat e para biometrike.
Pra sot, me lëshimin e pasaportës së parë biometrike, po e përmbushim një parakusht shumë të rëndësishëm për Kosovën, si në rrafshin e përgjithshëm të sigurisë së dokumenteve, ashtu edhe në kontekstin e liberalizimit të vizave.
Duke marrë parasysh që deri më tani kemi shënuar një progres substancial në fushën e liberalizimit të vizave, si në fushën e riatdhesimit dhe riintegrimit, në regjimin e integruar të kufijve, sot po e avancojmë këtë proces me lëshimin e pasaportave biometrike.
Me digjitalizimin e regjistrit civilë dhe lëshimin e pasaportave biometrike, ne tashmë mund të themi që dita kur qytetarët e Republikës së Kosovës mund të lëvizin pa viza, do të bëhet një realitet shumë shpejt.
Është një hap i madh për Kosovën, është dokument që barazon qytetarët e Republikës së Kosovës me ata të Bashkimit Evropian.
Pasaportat biometrike janë shenjë se Kosova do të plotësojë kushtet për liberalizimin e vizave me shpejtësi dhe sipas kritereve të Bashkimit Evropian.
Ka qenë një ëndërr e qytetarëve të Kosovës, që sot po bëhet realitet.
Urime, dhe gëzuar të gjithëve!