Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Nuk do të ndodhë asnjëherë ndryshimi i kufijve, as shkëmbimi i territoreve, as statusi special apo autonomia

28 Tetor, 2011

Në vazhdim po e japim të plotë intervistën e kryeministrit Thaçi dhënë Neue Zürcher Zeitung

Neue Zürcher Zeitung: Në veriun e Kosovës nuk ka shenja të shtendosjes. Serbët e revoltuar bllokojnë edhe më tej rrugët kryesore, duke protestuar kundër prezencës së doganierëve kosovarë në kufi me Serbinë. Sa serioze është gjendja atje?

Kryeministri Thaçi:
Gjendja është e qetë por shumë komplekse. Atje nuk bëhet fjalë për çështje politike por për rend dhe ligj. Gjatë 12 viteve të fundit në veriun e Kosovës nuk kishte as rend as ligj. Për më tepër, ky rajon kontrollohej nga grupacionet ilegale serbe dhe ekstremistët serbë. Me 25 korrik kemi marrë përsipër kontrollin dhe që nga atëherë kemi doganierët dhe policët kosovarë në dy pikat kufitare. Me këtë rast bashkëpunojmë ngushtë me Misionin e BE-së, Eulex-in dhe me Nato-n. Vërtetë kemi ende problemin e bllokadave të rrugëve, por e ardhmja e regjionit bazohet në lirinë e lëvizjes e jo në mentalitetin e barrikadave dhe izolimit.

Neue Zürcher Zeitung: Përse kësaj vere vendosët të dërgoni doganierët në kufijtë verior të kontrolluar nga serbët dhe të ndërroni status-quon në mënyrë të njëanshme?

Kryeministri Thaçi:
Ka qenë një vendim i palëkundur i Qeverisë për të zbatuar ligjin edhe në veriun e Kosovës. Problemet e tanishme atje janë pasojë e të qëndruarit anash gjatë dymbëdhjetë viteve. Meqenëse gjatë këtyre dymbëdhjetë viteve nuk kishte rend ligjor në veri, nuk ka pasur as investime as zgjedhje të lira. Kanë ekzistuar vetëm korrupsioni dhe kriminaliteti. Askush nuk ua ka prerë rrugën këtyre dukurive. Unë nuk kam mundur të toleroj diçka të tillë më gjatë.

Neue Zürcher Zeitung: Aksioni i juaj u zhvillua në kohën kur dialogu bilateral në mes Serbisë dhe Kosovës jepte rezultatet e para premtuese. Akuzoheni se qëllimisht e keni torpeduar dialogun e pezulluar që nga ajo kohë.

Kryeministri Thaçi:
Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë i shërben ardhmërisë më të mirë të të dy vendeve dhe popujve. Dialogu është i natyrës teknike dhe jo politike. Në kuadër të dialogut kemi mënjanuar problemet rreth vulës doganore të Kosovës, kurse bisedimet do t’i vazhdojmë rreth sektorëve të energjisë dhe komunikimeve. Kjo nuk është vetëm për të mirën e Kosovës dhe Serbisë, por edhe për paqen dhe stabilitetin e tërë regjionit.

Neue Zürcher Zeitung: Ju e vlerësoni dialogun si teknik. Sidoqoftë çdo temë lidhet edhe me çështjen e kontestuar të statusit. Pra dialogu është gjithsesi edhe politik

Kryeministri Thaçi:
Jo, çështja e statusit është zgjidhur njëherë e përgjithmonë. Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Kemi njohje nga 85 vende dhe jemi anëtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Të gjitha shtetet fqinje, me përjashtim të Serbisë e njohin pavarësinë tonë. Jam i bindur se në të ardhmen e afërt, edhe Serbia do ta njeh pavarësinë e Kosovës. Përmes bashkëpunimit regjional, duke marrë për bazë dy shtete të pavarura fqinje, ekziston një potencial i madh për lidhje të mira bilaterale me Serbinë.

Neue Zürcher Zeitung: Serbët e veriut të Kosovës nuk duan të dëgjojnë fjalën pavarësi? Si mund të ketë sukses Kosova në fitimin e besimit të këtij minoriteti?

Kryeministri Thaçi:
Në mes të Qeverisë dhe qytetarëve në veri nuk ka konflikt. Ata janë gjithashtu qytetarë të Kosovës, kurse unë si kryeministër jam edhe në shërbim të tyre. Problemi qëndron në faktin se 200 deri në 300 persona të veriut kanë bërë shumë para me kontrabandë, kriminalitet dhe krim të organizuar. Ne kemi vënë mjete në dispozicion për të mundësuar investime në veri, siç janë shkollat, spitalet, rrugët, urat. Me këtë duam që ata qytetarë të integrohen, të krijojmë vende pune dhe të mundësojmë jetë sociale. Veriu nuk është vetëm turp për Kosovën por për tërë Evropën. Atje nuk ka pasur ndonjëherë zgjedhje të lira, demokraci ose shtet ligjor.

Neue Zürcher Zeitung: Si zgjidhje e çështjes së veriut po zihet në gojë tani për tani edhe një shkëmbim territoresh, bashkimi i veriut të Kosovës me Serbinë dhe i regjioneve të dominuar nga shqiptarët në jug të Serbisë me Kosovën. Çfarë mendoni ju rreth kësaj?

Kryeministri Thaçi:
Nuk do të ndodhë asnjëherë ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve. Poashtu nuk do të ketë status special apo autonomi. Ekziston vetëm një shtet i pavarur -Kosova në kufijtë e tashëm. Në të vërtetë Serbia, me vite të tëra po i manipulon serbët e veriut të Kosovës me idenë e kufijve të ri. Por në atë rast do të mendohej edhe për ndryshime kufijsh në gjashtë shtete të regjionit, ku ka fenomene të ngjashme si në Mitrovicë.

Neue Zürcher Zeitung: Sipas Komisionit Evropian, Serbia së shpejti do të marrë statusin e kandidatit për BE. A është ky lajm i mirë apo i keq për Kosovën?

Kryeministri Thaçi:
Përveç Serbisë, edhe Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë të integrimit në BE. Parakusht për integrim është bashkëpunimi i mirë fqinjësor, i cili fatkeqësisht nuk po respektohet nga ana e Serbisë. Për këtë arsye, Komisioni Evropian i ka bërë të qartë Serbisë se duhet t’i qaset raportit më të mirë me Kosovën. Serbia nuk mund të ketë qasje evropiane ndaj BE-së dhe të mbajë qëndrim ndaj Kosovës sipas mentalitetit të Millosheviqit

Neue Zürcher Zeitung: Meqë u përmend Millosheviqi: Pak pas luftës në Kosovë, sipas raportit të parlamentarit të Këshillit Evropian Dick Marty, një grup nën udhëheqjen tuaj ka qenë i përfshirë në krim të organizuar dhe tregti ilegale me organe. Çfarë jehone ka pasur ky raport në Kosovë?

Kryeministri Thaçi:
Ky raport është raport politik. Është i motivuar politikisht dhe konfronton Kosovën me një barrë të padrejtë. Unë jam në përkrahje të shtetit ligjor. Drejtësia duhet të veprojë e pandikuar nga politika. Nuk kemi asgjë për të fshehur.

Neue Zürcher Zeitung: A ka megjithatë raporti i Marty-t ndonjë ndikim në pasqyrimin më të diferencuar të historisë, të themi në njohjen që gjatë dhe pas luftës, vepra të këqija nuk janë bërë vetëm nga pala serbe por edhe nga ajo shqiptare?

Kryeministri Thaçi:
Askush nuk mund ta rishkruajë apo ta ndryshojë historinë.

Neue Zürcher Zeitung: Por historia duhet të ripërtërihet.

Kryeministri Thaçi:
Por duhet të thuhet vetëm e vërteta.

Neue Zürcher Zeitung: Duket se është e vështirë në Kosovë të hulumtohet kjo e vërtetë, meqë në vazhdimësi po ushtrohet frikë te dëshmitarët apo edhe po vriten. A është fare e mundur një ripërtëritje vetëkritike e historisë në kushte të tilla?

Kryeministri Thaçi:
E tëra kjo është çështje e organeve të drejtësisë. Kosova mbështet këto organe të drejtësisë dhe në këtë drejtim kemi arritur edhe sukseset tona. Por politika aty nuk duhet të përzihet. Po e përsëris: Nuk kemi asgjë për të fshehur, dhe është në interes të Kosovës të qartësohet kjo gjë. Për këtë qëllim do ta përkrahim Eulex-in në përpjekjet e tij.

Neue Zürcher Zeitung: A është garantuar siguria e dëshmitarëve në Kosovë, të cilët për shembull dalin publikisht me dëshmi kritike rreth Ushtrisë Çlirimtare të dikurshme –UÇK-së?

Kryeministri Thaçi:
Ekziston vetëm një e vërtetë. Mendimi i lirë i personave është çështje tjetër – por e vërteta mbetet e pandryshuar.

Neue Zürcher Zeitung: Në kërkim të kësaj të vërtete, javën e kaluar ka filluar punën në hulumtimin e akuzave të Marty-t prokurori special i Eulex-it John Clint Williamson. A keni pasur tashmë kontakt me të?

Kryeministri Thaçi:
Qeveria ka pasur kontakt me z.Williamson dhe i kemi siguruar përkrahjen tonë të plotë.

Neue Zürcher Zeitung: Çka pritni nga raporti i Williamson-it?

Kryeministri Thaçi:
Të vërtetën – asgjë përveç të vërtetës. 

Last modified: 28 Tetor, 2011

Comments are closed.